Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vetro Energy: Nisin procedurat nga Raiffeisen në Vjenë për pagesën e garancisë 170 milionë euro

Pas mëse dy javë deklarimesh e kundërdeklarimesh për pagesën e garancisë prej 170 milionë euro që Vetro Energy duhet të paguajë, në kuadër të privatizimit të Albpetrol, duket se më në fund diçka ka filluar të lëvizë. Burime nga Ministria e Ekonomisë pohuan për Monitor.al se janë kontaktuar nga qendra e Raiffeisen në Vjenë dhe kanë nisur procedurat për pagesën e  kësaj shume.  Megjithatë burimet e Ministrisë tregohen të rezervuara dhe pohojnë se ata do të tregohen të kujdesshëm deri në momentin që pagesa të mbërrijë pranë Raiffeisen në Tiranë.
Gati dy javë më parë, Vetro Energy deklaroi se e kishte bërë pagesën e garancisë, por lajmi nuk u konfirmua nga autoritetet shqiptare.
Vetëm pak ditë më parë, zv ministri i Ekonomisë Sokol Dervishej tha se “edhe sot që flasim nuk kemi një deklaratë të shkruar por kemi një deklarim publik të ofertuesit i cili deklaron se ka bërë progres në sigurimin e një elementi mjaft të rëndësishëm financiar, ligjor dhe procedural i cili është  depozitimi i garancisë së kontratës në vlerën 20 për qind të vlerës totale të ofertës. Do të verifikohet vlefshmëria e saj, në rast se ajo do të vijë dhe më tutje nëse do të gjykohet e arsyeshme do të vazhdojmë negocimin me kompaninë”, ka pohuar Dervishej.
Albpetrol iu shit mëse dy muaj më parë grupit Vetro Energy, për një shumë rekord prej 850 milionë euro. Aksioneri kryesor i kompanisë, që bleu Albpetrol, është biznesmeni shqiptar i njohur në fushën e naftës Rezart Taçi. Ndonëse kanë kaluar dy muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes (ku afati tashmë është shkelur dy herë), deri tani nuk ka pasur lëvizje konkrete lidhur me ecurinë e këtij procesi.

Revista Monitor, 21.12.2012