Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE: Rishikimi i kontratës me CEZ shpërndarje nis më 21 dhjetor

Enti Rregullator i Energjisë do të nisë më datë 21 dhjetor, të premten procedurat për rishikimin e kontratës së shpërndarjes të energjisë elektrike. Burimet zyrtare pranë Entit Rregullator të Energjisë bëjnë të ditur për gazetën “RD” se, kompania private e shpërndarjes së energjisë elektrike ka dorëzuar pranë ERE pretendimet e saj për kontratën e energjisë. Bordi i komisionerëve të Entit Rregullator do të shqyrtojë ankesat dhe pretendimet e kompanisë “CEZ Shpërndarje” deri ditën e enjte të kësaj jave, dhe një ditë më pas do të fillojnë procedurat e rishikimit të kontratës dhe konfirmimit ose jo të kompanisë që do të operojë në tregun shqiptar të energjisë. Këto masa vijnë fill pas vendosjes së gjobës ndaj “CEZ” prej 4 milionë euro, për rritje të humbjeve në rrjet, duke arritur në nivelin 50%, për mosrealizim të planit të investimeve dhe garantimit të furnizimit pa ndërprerje. Kompania nuk reagoi për masat e ndërmarra dhe e vetmja rrugë për zgjidhjen e situatës së ngarkuar energjetike është heqja e licencës së shërbimit të shpërndarjes. Gjithsesi, procedurat për rishikimin e kontratës pritet të zgjasin nga një deri në dy muaj kohë. Ndërkohë, Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar dje bllokimin e llogarive bankare të kompanisë private deri në vlerën prej 430 milionë lekë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që vlerësoi si të drejtë gjobën e vendosur për mosrealizim të planit të investimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet. Por nga ana tjetër, gjatë një reagimi për mediat, kompania “CEZ Shpërndarje” bën të ditur se, vonesat në zëvendësimin e linjave të shkëputura për shkak të motit të keq dhe transformatorëve vjen për arsye të vështirësive financiare dhe bllokimit të aseteve të kompanisë në të gjitha bankat tregtare në një vlerë prej 430 milionë lekë. Kompania private sqaron se, nuk ka pasur shkëputje të qëllimshme të energjisë elektrike dhe në të gjitha rastet e avarive, janë dërguar ekipet e specializuara për riparimin e tyre. Gjithashtu, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka kërkuar ndihmë Përmbarimit që të ekzekutojë një gjobë prej 430 milionë lekë, që i ka vendosur operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, CEZ. Në përfundim të afatit të kërkuar tek zyrat e Përmbarimit, nga ky veprim pritet bllokim i llogarive bankare të CEZ-it. Ndërsa sot është afati i fundit që ERE kishte lënë për shqyrtimin e licencës së CEZ, burime nga ky ent pohojnë se, shumë shpejt pritet të merret vendimi, që sipas gjasave, do të jetë deri në heqjen e licencës. Që nga vera, konflikti mes operatorit çek të energjisë, CEZ (që privatizoi OSSH në mars 2008) është ashpërsuar ndjeshëm, pasi ky operator nuk ka plotësuar asnjë detyrim sipas kontratës për investime në rrjetin e shpërndarjes si dhe në planin e investimeve për vitin 2012.
Procedurat e nisura ndaj CEZ-it
ERE nisi që në 11 shtator procedurat për ndëshkimin me gjobë të CEZ Shpërndarje në masën 1% të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës, që i korrespondojnë vlerës 430 milionë lekë për mos prokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e gjitha humbjeve në sistemin e shpërndarjes për vitin 2012. Në 12 nëntor Bordi i Komisionerëve të ERE-s vendosi të fillojë proçeduren për vendosje gjobe ndaj shoqërisë CEZ me vlerë fillestare të gjobës në masën 1.11% të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës të shoqërisë. Ndërsa, në 16 nëntor vendosi fillimin e procedurës për heqje të licencave të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe furnizimit publik me pakicë të energjisë elektrike shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a. Nëse CEZ do t’i hiqet licenca, operatori i shpërndarjes së energjisë pritet të kalojë sërish në duart e shtetit.
Tregtimi i energjisë elektrike, ERE jep 23 licenca për 2012
Enti Rregulltor i Energjisë (ERE) ka licencuar gjatë këtij viti 23 firma private për tregtimin e energjisë elektrike, nga 34 kërkesa të paraqitura prej tyre, të gjitha që merren me HEC-et vendore, të ndërtura prej tyre përgjatë viteve të fundit. Ndër to, janë kompani vendase si dhe të huaja, të shtrira në zona të ndryshme të vendit. Licenca për tregtimin e energjisë kanë përfituar kompani të mëdha si “Kurum”, “Albpetrol”, “Bindi”, “Wenerg”, Henz Energy”, “Danske Commodities Albania”, “Seament Albania”, “Energji Ashta”. Ndër kompanitë shqiptare veçohen “Malido Energji “,”HEC Stravaj Energy”, “Peshku Picar 1”, “Hydro Salillari”, “Hydro Poëer Plant Of Korca”, etj. HEC-et janë kryesisht në zona të ndryshme si në Gjirokastër, Stravaj në Dibër, Vërtop në Berat, në Qarkun e Korçës, Burrelit, në Ashtë të Shkodrës, etj. Në procedura licencimi janë shoqëritë “Favina 1”, “Truen”, “Henz Energy”, “Gjo Spa Power”, “Evn Trading”, “Erdat Lura”, “Rej Energy”, “Danske commodities Albania”, etj, bënë të ditur burime të ERE-s.

Gazeta Rilindja Demokratike, 18.12.2012