Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vetro bën pagesën, METE nuk e konfirmon

Kompania amerikane fituese në tenderin për privatizimin e “Albpetrolit”, “Vetro Energy” deklaroi dje se ka kryer pagesën e 20 për qind të garancisë së kontratës. Me anë të komunikatës për mediat, koncersiumi “Vetro Energy”, ku Rezart Taçi zotëron 51 për qind të aksioneve, konfirmon se është bërë pagesa prej 170 milionë euro. “Pagesa e garancisë së kontratës i hap rrugë vijimit të procesit të privatizimit dhe finalizimit të saj mes kompanisë dhe qeverisë shqiptare. Ajo ka afruar datën e pagesës tërësore prej 850 milionë euro”, deklaron zyrtarisht Taçi.
Lajmi është përcjellë në media dje në mëngjes, duke i dhënë mundësi Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të nisë procedurat e verifikimit pranë bankës ku Taçi pretendon se është kryer pagesa.
Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, zyrtarë të lartë të ministrisë, sqarojnë se “shuma 170 milionë euro nuk konsiston si cash i derdhur në arkën e shtetit, por si letër garanci e 20 përqindëshit të ofertës, të ngrirë në një nga bankat kryesore në Europë”. Sa i takon kësaj procedure, pra nëse “Vetro Energy” ka depozituar pranë bankës shumën dhe nëse banka i ka paraqitur METE-s letër garancinë, zyrtarë të ministrisë thonë se nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.
I gjithë debati mbi procedurat e privatizimit të “Albpetrol” lidhet me mbylljen e negociatave brenda 60 ditëve dhe se qeveria nuk ka të garantuar shumat e caktuara, sipas VKM-ve. Sipas ministrisë, “Vetro” kishte si detyrim të paraqiste letër garancinë e ofertës prej 10 për qind të 850 milionë eurove, që në momentin e parë të zhvillimit të tenderit më datë 7 shtator. Ky fakt është konfirmuar nga konsulenti i qeverisë, “Patton Boggs”, se garancia e ofertës prej 85 milionë eurosh është depozituar pranë bankës “American Chartered”, konfirmim, sipas METE-s, i ardhur më 25 shtator. Ky veprim është hapi i parë drejt nisjes së negociatave, më 4 tetor 2012, një ditë pasi qeveria shpalli zyrtarisht fituese ofertën e “Vetro Energy”. Me nisjen e negociatave, METE i kërkon “Vetros” garancinë e dytë, atë të kontratës, tashmë me 20 për qind të vlerës, pra 170 milionë euro (të 850 milionë eurove). Afati i negociatave është 30 ditë me të drejtë shtyrje të 30 ditëve të tjera, periudhë kjo e konsumuar dhe e mbyllur më 4 dhjetor 2012. Duhet sqaruar se, sido të shkojnë negociatat, pra nëse dështojnë për faj të “Vetros”, qeveria ka të drejtë të kërkojë pranë “American Chartered” shumën 85 milionë euro, procedurë e nisur sakaq.
Të kontaktuar nga agjencia rajonale e lajmeve “Balkan Insight”, zyra e konsulencës së “Patton Boggs”, lidhur me ekzistencën e garancisë 85 milionë euro, pra nëse janë të ngrira në bankën amerikane, thotë se pyetjen duhet t’ia drejtojnë qeverisë shqiptare.
Me mbylljen e afatit të negociatave, METE thotë se “Vetro” nuk i është përmbajtur derdhjes së garancisë 20 për qind të kontratës, ndaj i lind e drejta të kërkojë 10 përqindëshin e garancisë së ofertës dhe të nisë procedurat me shoqërinë e renditur e dyta, “Win Business”. Koncersiumi amerikano-shqiptar, “Vetro Energy” thotë se procesi i negociatave duket më kompleks sesa paraqitet, por megjithatë shpreh optimizmin për zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjeve me qeverinë shqiptare dhe derdhjen në kohë të gjithë shumës, prej 850 milionë euro.

Gazeta Shqip, 14.12.2012