Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Largimi me pasoja i CEZ-it

Nisi me faturat e dritave dhe po mbyllet me ujin, duke lënë gjysmën e vendit në thatësirë. ERE nis procedurat për heqjen e licencës dhe bën gati shtetëzimin e kompanisë
“Lufta e bajonetave” ka nisur dhe nuk dihet se çfarë pasojash do të sjellë, por me siguri dihet se do të jenë konsumatorët ata që do ta pësojnë. Pas mungesës së energjisë elektrike, vendi u përball me thatësirën e ujit të pijshëm, pasi mbi 50 ndërmarrjeve të ujësjellësve iu ndërpre rryma, duke prekur gjysmën e vendit, madje në disa zona pati probleme edhe me kanalizimet e ujërave të zeza.
E “premtja e zezë” ishte akti final i një ftohjeje mes shtetit dhe kompanisë private më të madhe në vend, ku kompania stakoi linjat për ujësjellësit, duke shkaktuar revolta në Fier dhe Vlorë, kurse qeveria reagoi nëpërmjet Entit Rregullator të Energjisë (ERE) duke nisur procedurën për heqjen e licencës.
Pati arrestime të punonjësve të CEZ-it, policia bashkë me banorët rikthyen në disa zona energjinë, kurse shoqëria reagonte se “pushtohej me dhunë”. Kërcënimet janë më të forta, sidomos kur ministri i Brendshëm, Flamur Noka, e konsideroi aktin e ndërprerjes së ujit si “veprim kriminal”.
Tashmë koha ecën më shpejt dhe palët duhet të gjejnë një zgjidhje. Shpresat e fundit nuk do të zgjasin më shumë se 30 ditë. Vendimi final pritet deri në dhjetor, dhe ku në janar të vitit tjetër, shoqëria “CEZ Shpërndarje” (qeveria shqiptare ka 24 për qind të aksioneve) do ta gjejë veten të shtetëzuar.
“Janë disa hallka, deri në largimin final të kompanisë, por më së pari, duhet të zgjidhet një administrator i ri për menaxhimin e kompanisë ‘CEZ Shpërndarje’”, thotë Enti Rregullator i Energjisë.
Shteti merr kontrollin
Me hir apo me pahir, qeveria shqiptare pritet të bëhet pronarja e “CEZ Shpërndarje”, edhe pse me 24 për qind të aksioneve. ERE vendosi të premten e kaluar të nisë procedurat për heqjen e licencës dhe do të kërkojë, sipas ligjit, 60 ditë afat deri në marrjen e vendimit final. Sakaq, CEZ-it i jepen 30 ditë kohë për të apeluar, e vlefshme për palët për të rishikuar dhe analizuar situatën.
Shanset që kompania të ikë/largohet janë të shumta. Heqja e licencës në vetvete nuk zgjidh ndonjë problem, pasi kompania i zotëron aksionet, të blera katër vjet më parë për 102 milionë euro.
“Ajo çfarë pritet të ndodhë në rast se i hiqet licenca dhe që është në dorë të ERE-s, është vendosja e një administratori, në varësi të shtetit, për menaxhimin e mëtejshëm të kompanisë ‘CEZ Shpërndarje’. Më tej, do të vendoset për shoqërinë që do ta menaxhojë, edhe kjo shtetërore”, thotë ERE.
Po sa u takon aksioneve? “Këto janë kompetencë e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila ka të drejtë t’i shtetëzojë, duke i blerë me çmim simbolik. Ndryshimi i raporteve të aksioneve i hap rrugë gjetjes së një kompanie tjetër private, për menaxhimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në vend”, vijon më tej Enti Rregullator i Energjisë.
Vendimi për heqjen e licencës do të merret brenda 60 ditëve, nga nisja e procedurës, ndërsa CEZ ka afat 30 ditë për tu ankimuar
ERE: Pse hiqet licenca
ERE, si organi përgjegjës për monitorimet e sektorit të energjisë në bazë të nenit 8, të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, konstaton deformimet e mëtejshme të shkaktuara nga sjellja në treg e shoqërisë “CEZ Shpërndarje”, për më tepër mosreagim ndaj gjobës së vendosur dhe mosveprim për të rivendosur funksionimin normal të tregut dhe të veprimtarisë së shpërndarjes dhe furnizimit publik me pakicë.
Ky është sqarimi i parë, bazuar në ligj i ERE-s, pas marrjes së vendimit për licencën. Gjoba e vendosur me vlerë 4 milionë euro, rreth dy muaj më parë, për shkak se kompania nuk kishte respektuar kontratat për pagesat e energjisë së blerë te KESH dhe për kufizimet kolektive, sipas ERE-s nuk e kanë “ndërgjegjësuar” CEZ-in të ndryshojë mekanizmin e sjelljes në treg.
“Kjo sjellje ndaj pjesëtarëve të tjerë të tregut ka shkaktuar vënien në vështirësi financiare të të gjithë të licencuarve të tjerë në treg”, thotë më tej Enti. Në fakt, detyrimet e CEZ ndaj KESH shkojnë deri në 100 milionë euro, për pasojë, korporata nuk ishte në gjendje të shlyente detyrimet ndaj subjekteve të vogla të HEC-eve lokale, me vlerë rreth 15 milionë euro.
Bazuar në ligjin 9072, datë 22.05.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, mjetet e ushtrimit të autoritetit nga ana e ERE-s konsistojnë në vendosje gjobe për shkelje të legjislacionit në fuqi (neni 64) apo heqja e licencës (neni 18). Në kushtet kur gjoba nuk solli reflektim, tashmë ERE-s i ka mbetur të vendosë për licencën.
Humbjet
Mosimportimi nga CEZ i energjisë që i takonte për të mbuluar humbjet, me rreth 600 milionë kilovatë, i shkaktoi KESH-it borxhe të mëdha, pasi korporata nuk mund ta linte vendin pa drita
2.2 miliardë kW
CEZ deklaron se energjia e humbur në rrjet shkon deri në 2.2 miliardë kilovatë, deri në muajin gusht, ose gati sa gjysma e energjisë së hedhur në rrjet
Kulmi i krizës shtet-CEZ
ERE thotë se CEZ nuk i është përmbajtur kontratës dhe marrëveshjes me shtetin në disa pika apo drejtime. Në plan të parë, shkaku kryesor lidhet me mosprokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e plotë të të gjitha humbjeve në sistemin e shpërndarjes. “‘CEZ Shpërndarje’, në shkelje të detyrimit të Licencës së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (pika 3.1 dhe 3.16.4) nuk ka realizuar prokurimin e energjisë
elektrike për mbulimin e plotë të humbjeve në sistemin e shpërndarjes, detyrim ky edhe në bazë të Modelit të Tregut (pika 4.8)”, thotë ERE.
Referuar barrierave të pretenduara nga “CEZ Shpërndarje” (abuzimi nga tregtarët) të cilat pengonin këtë shoqëri që të realizonte importet e nevojshme, ERE, megjithëse nuk i vërtetoi këto abuzime, me qëllim që të krijojë lehtësirat e kërkuara nga CEZ, vendosi alokimin e kapaciteteve të mbetura të lira për muajin gusht 2012 falas, pra linjat e transmetimit për importin e energjisë, në pronësi të shtetit shqiptar, iu dhanë CEZ falas, pa tarifë (0.65 lekë për kilovat). Kjo praktikë u ndoq edhe në muajin shtator, por CEZ nuk i përdori linjat, thotë ERE. “Për më tepër, duke filluar nga muaji shtator, “CEZ Shpërndarje” ka pasur periudha ku jo vetëm nuk ka importuar sasinë e duhur, por nuk ka importuar asnjë megavat energji elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes”, tregon ERE. Kjo solli për pasojë situatë të rëndë financiare për buxhetin e shtetit, i cili i dha KESH-it 50 milionë euro për të bërë punën që i takonte CEZ-it, pra importin e energjisë për të mos lënë vendin në terr.
Letra
Më 9 tetor, CEZ i shkruan qeverisë: “I kemi ulur importet në zero dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike po përballohet pothuajse nga rezerva e kaskadës së Drinit”. Kjo letër solli nisjen e betejës për heqjen e licencës
Problem, faturimi afrofe
Në analizë të informacionit dhe të monitorimeve në vend të ushtruara nga Grupet e Punës si në Tropojë, Kukës, Fier, Vlorë, janë konstatuar shkelje të ligjit nr. 9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (të ndryshuar), nenit 52, ku përcaktohet qartë se “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është i detyruar të pajisë me sistem matjeje çdo klient të lidhur në sistemin e shpërndarjes”, si dhe për rrjedhojë dhe Licencës së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe kushtet e Kontratës së Furnizimit të Energjisë Elektrike te klientë tariforë.
Investimet, 7%
Nga të dhënat paraprake të monitorimit të kryer së fundmi dhe siç deklarohet nga vetë kompania për vitin 2012, nuk ka realizuar as 7% të planit të miratuar të investimeve (6.5 miliardë lekë). Për këtë pjesë, kompania thotë se gjoba e tatimeve, 3.5 miliardë lekë, shoi çdo shans për realizim të investimeve
Berisha: Shteti e menaxhonte më mirë
Kryeministri thotë se nivelet e humbjeve dhe të arkëtimeve paraqiten më keq nga sa priteshin. Kreu i qeverisë pranoi se ka probleme me CEZ-in, pasi shoqëria nuk po realizon dot objektivat e vendosura në kontratë. “Po të shikojmë të dhënat, situata paraqitet më keq se kur OSSH-në e menaxhonte shteti”, thotë Kryeministri.

Revista Monitor, 24.11.2012