Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Interviste e Ministrit te Ekonomise Haxhinasto

Haxhinasto: “Takimi me Hillari Klinton, kur më premtoi vizitën”.
Intervista me Zv/Kryeministrin dhe Ministërin e Ekonomisë /Problemet e energjetikës? E ardhmja, pozitive. Marrëdhëniet me fqinjët. “Greqia dhe Shqipëria të zgjidhin problematikën reale”.
-Zv/kryeministri dhe ministri Ekonomisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, është shprehur se vizita e Sekretares se Shtetit amerikan, Hillari Klinton, në Tiranë zhvillohet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Sipas zv/ kryeministrit Sekretarja Klinton kishte kohë që dëshironte të vinte në Shqipëri, pasi ftesës për të ardhur në vendin tonë i është përgjigjur pozitivisht që përpara dy vjetësh gjatë vizitës së z. Haxhinasto në SHBA dhe takimit të tij me znj. Klinton në Uashington. Sipas z. Haxhinasto, vizita e Sekretares së Shtetit vendos themelet e fundit të tablosë së shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Zv/kryeministri ka folur edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinjë, ku sipas tij, Maqedonia dhe Greqia janë dy shtetet të cilat në marrëdhëniet me Shqipërinë kanë një specifikë të veçantë. Maqedonia, sipas Haxhinastos, duhet që të krijojë hapësira të vazhdueshme për realizimin e plotë të marrëveshjes së ‘Ohrit’ me qëllim që të ketë qëndrueshmëri politike e sociale. Ndërsa, sa i përket Greqisë, Zv/kryeministri ka qenë shumë konciz duke thënë se marrëdhëniet Shqipëri- Greqi, duhet të mos ndikohen nga pickimet nacionaliste dhe ekstremiste, duhet bashkëpunim i ngushtë dhe ruajtje kursi me qëllim që të zgjidhim gjithë problematikën që ekziston mes dy vendeve, që ka të bëjë me lëvizjen e përkatësive të caktuara të qytetarëve shqiptarë, që ka të bëjë me çështjen e pronave veçanërisht ato të komunitetit çam etj. Z. Haxhinasto e ka konsideruar vlerësimin e Sekretares Klinton bërë për qeverinë dhe shtetin e ri të Kosovës me nota maksimale duke u shprehur se është një moment për të uruar Kryeministrin Thaçi për vlerësimet që ka marrë. Haxhinasto ka prekur dhe çështjet e krizës energjetike, burimeve të reja të prodhimit të energjisë si dhe ato të rinovueshme, por edhe ndërtimin e gazsjellësit më të madh TAP.
Z. Haxhinasto, Sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillari Klinton viziton sot Tiranën. Si e lexoni ju vizitën e saj? Është një vizitë kortezie me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë apo një vizitë që do të përcjellë mesazhe politike shtetit dhe politikës në Shqipëri?
Vizita është një ngjarje shumë e madhe për Shqipërinë dhe marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Vizita për faqëson në vetvete një zhvillim shumë pozitiv, shumë konkret. Duke pasur parasysh dhe përfundimin e mandatit aktual të administratës amerikane, është kurorëzimi i një katërvjeçari shumë intensiv marrëdhëniesh, suksesi në shkëmbimet tona politike dhe ekonomike. Një dimension tjetër i kësaj vizite është ai rajonal, që reflekton atë qëndrim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm që SHBA-të dhe Republika e Shqipërisë kanë mbajtur për zhvillimet rajonale. Kontribut indirekt i Shqipërisë si faktor i jashtëzakonshëm konstruktiv në rajon. Gjithashtu ecurinë e procesit të integrimit i cili është një proces i ndikimit evropian, proces ky që mbështetet fuqimisht nga SHBA-të. Vizita sigurisht që vendoset në kontekstin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në fakt, znj. Klinton kishte kohë që dëshironte të vizitonte Shqipërinë, kam pasur kënaqësinë që këtë konfirmim ta marrë edhe gjatë periudhës që unë isha ministër i Jashtëm. Është një koincidencë e lumtur që tashmë ajo e realizon këtë duke pasur parasysh edhe 100-vjetorin e Pavarësisë. Në tërësi znj. Klinton vendos themelet e fundit në një tablo të shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Tregu ka nevojë për burime të reja energjie
Përflitet se vendi mund të kalojë në një krizë energjetike, a është reale, a do të ndodhë kjo, z. Haxhinasto?
Unë dua të them që po bëjmë të pamundurën që të gjithë hallkat e sistemit energjetik të funksionojnë pa defekte dhe në harmoni me njëra tjetrën. Mund të jenë vënë re disa problematika në sistemin e shpërndarjes, por kam besimin se me një predispozitë pozitive nga të gjithë aktorët në këtë sektor, do të zgjidhen dhe do të garantojmë ato objektiva që kanë të bëjnë me furnizimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të qytetarëve shqiptarë, por edhe të bizneseve. Pasi është shumë e rëndësishme që dhe bizneset të furnizohen me qëllim që të garantojnë aktivitetin e tyre ekonomik. Energjetika nuk është vetëm shpërndarja, është dhe gjenerimi dhe politikat për gjenerimin e mundësive energjetike.
Para disa ditësh ju keni marrë pjesë në Mal të Zi në një Konferencë për energjinë e rinovueshme. Çfarë mund të bëhet në Shqipëri për këtë lloj energjie? A ka treg për këtë industri dhe sa do të arrijë të furnizojë energjia e rinovueshme nevojat e vendit?
Tregu ynë ka nevojë për burime të reja energjie, kjo është tashmë një fakt. Burimet energjisë së rinovueshme janë më miqësore me mjedisin dhe me zhvillimin tonë të qëndrueshëm. Ne kemi në politikat tona objektiv për t’i shfrytëzuar këto burime, qofshin ato të hidros, forca voltarike, të erës, por edhe ato të bio-karburanteve. Shumë e rëndësishme për ne do të jetë ndër imi i gazsjellësit TAP, i cili është në fazën përfundimtare të tij sa i takon marrëveshjes me këtë konsorcium si dhe në përfundim të marrëveshjeve të mirëkuptimit për blerjen e gazit. Shqipëria ka edhe një sfidë tjetër që të përfundojë gjithë projektet e tjera energjetike që ka në proces dhe atëherë do të jetë, jo vetëm plotësuese e nevojave të saj, por do të ketë mundësinë të eksportojë. Pra, duke garantuar të ardhura të mëdha dhe duke ndikuar drejtpërdrejtë në ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit.
Duke parë se në Shqipëri ka vetëm një operator të shpërndarjes së energjisë, a do të ketë liberalizim të tregut të shpërndarjes? A do të hyjnë edhe operatorë të tjerë me qëllim që të ketë përzgjedhje të furnizimit me energji nga qytetarët?
Sigurisht që konkurrenca nuk është qëllim në vetvete. Është një mjet i rëndësishëm për të arritur eficencën dhe eficencë do të thotë furnizim më i mirë për qytetarët shqiptarë. Furnizim më i mirë do të thotë furnizim me cilësi për qytetarët shqiptarë, pa luhatje të tensionit por do të thotë dhe furnizim i qëndrueshëm. Sigurisht për të arritur këtë eficencë do të vlerësojmë të gjithë mënyrat, modelet e mundshme.
A ka pas investitor që interesohen për të hyrë në Shqipëri në fushën e shpërndarjes së energjisë?
Aktualisht në treg kemi një kompani shpërndarjeje. Deri tani nuk kam pasur oferta konkrete për të ndryshuar këtë model që kemi.
Rajoni dhe marrëdhëniet me Shqipërinë
Marrëdhëniet me secilin nga fqinjët sigurisht që kanë dinamikën e tyre të veçantë. Marrëdhëniet me Malin e Zi, po zhvillohen në një kontekst politik të shkëlqyer dhe sfida kryesore është realizimi i projekteve konkrete veçanërisht I atyre infrastrukturore, të cilat do të rrisin shkëmbimet dhe do të zgjerojnë hapësirën ekonomike mes dy vendeve tona, duke e trajtuar si një treg të përbashkët. Një sfidë e ngjashme është dhe me Maqedoninë, por specifika e marrëdhënieve me të është që zhvillimet politike atje duhet të krijojnë hapësira të vazhdueshme për realizimin e plotë të marrëveshjes së ‘Ohrit’. Marrëveshje që qëndron në themel të lidhjeve dhe qëndrueshmërisë politike e sociale që ka ky shtet. Sa i takon marrëdhënieve me Greqinë, marrëdhëniet tona duhet të ruajnë kursin e tyre. Të mos ndikohen nga pickime ekstremiste. Kur si është bashkëpunim i ngushtë sa i takon çështjeve të integrimit evropian, bashkëpunim i ngushtë sa i takon përballimit të sfidave të përbashkëta si dy vende anëtare të NATO-s. Bashkëpunim i ngushtë do të thotë që të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik, pavarësisht vështirësive që kalon sot Greqia. Bashkëpunim i ngushtë dhe ruajtje kursi do të thotë që të zgjidhim gjithë problematikën që ekziston mes dy vendeve. Kam parasysh këtu problematikën reale që ka të bëjë me lëvizjen e përkatësive të caktuara të qytetarëve shqiptarë, që ka të bëjë me çështjen e pronave veçanërisht ato të komunitetit çam. Sigurisht, bashkëpunim më i ngushtë do të thotë të gjithë problematikat e tjera të cilat hedhin një dritë mbi një sjellje evropiane në marrëdhëniet mes dy shteteve që bazohen mbi respektin reciprok, mbi të drejtat universale të qytetarëve të minoriteteve, të drejtën e pronësisë. Gjithashtu mbi dëshirën dhe angazhimin për të punuar së bashku për një të ardhme më të mirë mes dy vendeve duke lënë pas të gjithë ngarkesat qofshin ato nacionaliste apo ekstremiste të cilat mund të kenë ndikuar herë pas here në marrëdhëniet tona
“Dy shtete me një ekonomi”
Për Kosovën është moment për të uruar për atë vlerësim të jashtëzakonshëm që bëri Sekretarja e Shtetit Klinton, gjatë konferencës me Kryeministrin Thaçi, si një vend që ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në kaq pak kohë. Sigurisht sfida jonë kombëtare është që të integrohemi sa më shpejt mes vetes, të realizojmë integrim të plotë ekonomik mes dy vendeve. Do të shkojmë drejt një integrimi të plotë ekonomik mes dy vendeve, me qëllim që të përballojmë me sukses sfidat e integrimit në Evropë. Ndërkaq, është shumë e rëndësishme që në Kosovë të ndodhin zhvillime pozitive sa i takon integrimit të minoritetit serb në jetën sociale, ekonomike dhe politike. 

Gazeta Shekulli, 01.11.2012