Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, Berishës: Njëra zgjidhje largimi, por do t’ju kushtojë

Vizita e Kryeministrit çek disa muaj më parë, u duk se e qetësoi situatën e trazuar mes qeverisë dhe kompanisë CEZ. Pas takimit të dy kryeministrave, qeveria miratoi disa vendime për njohjen e borxheve të kompanisë CEZ dhe shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, madje u diskutua edhe për rishikim tarifash. Nuk kaloi gjatë dhe raportet u prishën, e tashmë diskutohet marrja e vendimit final: largimi.
Mes Kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe Tomas Pleskac, anëtari i bordit drejtues të CEZ Grup në Pragë, një ndër aktorët kryesorë të kompanisë, është zhvilluar një takim në Tiranë, dy ditë më parë. Një ditë më pas, pra dje, Pleskac zhvilloi konferencë në Pragë, nga ku dha lajmin se shikohet si opsion i mundshëm largimi nga Shqipëria.
Po çfarë është biseduar mes tij dhe Kryeministrit? Nga deklarata duket qartë se palët nuk kanë gjetur ende një zgjidhje. Burime konfidenciale të gazetës thonë se, drejtuesi kryesor i CEZ-it i ka paraqitur Berishës disa opsione për zgjidhje të konfliktit, duke nisur nga rishikimi i metodologjisë për vendosjen e çmimit të energjisë elektrike, të nivelit të borxhit të keq, apo të humbjeve në rrjet. Ka edhe një zgjidhje tjetër, opsion, që Berishës i është paraqitur në tryezë, “largimi nga vendi”, por Kryeministrit tonë i është bërë e qartë se ky vendim do t’i kushtojë shtrenjtë, pra i duhet të paguajë një çmim akoma dhe më të lartë sa vetë garancia 60 milionë euro, e vendosur në depozitat e Bankës Botërore. “Në takimin tonë me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, ne ramë dakord të nisim bisedimet për një metodë se si të zgjidhim situatën aktuale, përfshirë edhe një tërheqje të mundshme nga ky vend”, thotë Pleskac.
Vendimi personal i Kryeministrit është për largimin e CEZ-it nga Shqipëria, por jo të paktën deri në marrjen e vendimit final të statusit të vendit kandidat për në BE, që jepet në muajin dhjetor. Edhe për ERE-n, CEZ-i duhet të largohet, por ende nuk e ka marrë një vendim, pasi çdo hap duhet bërë me kujdes për t’u mos u penalizuar në Gjykatën e Arbitrazhit.
Sa i takon situatës, ku ndodhet kompania, Pleskac jep këtë qëndrim. “Ne po përballemi me të vërtetë me një ambient biznesi jashtë standardeve në Shqipëri. Skuadra jonë atje është munduar shumë që të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet në mënyrën më konstruktive të mundshme. Pavarësisht kësaj, kufizimi kryesor i aktiviteteve tona është dhe ka qenë gjithmonë të mbrojmë interesat e aksionerëve tanë”, thotë ai.
Tashmë CEZ do të vendosë deri në fund të vitit nëse do të shesë kompaninë e shpërndarjes dhe ka marrë shprehje interesi nga blerës potencialë, përfshirë qeverinë shqiptare, fonde kapitali dhe tregtues energjie. CEZ dhe Kryeministri shqiptar kanë rënë dakord që të zgjidhin me shpejtësi çështjen që CEZ mund të lërë vendin dhe që Kryeministri do të emërojë një ekip negociues deri në fund të tetorit. Në mediat ndërkombëtare janë publikuar pjesë nga konferenca e drejtuesve të CEZ në Pragë, nga ku binin në sy tituj me përmbajtje të njëjtë: largim nga Shqipëria.
Vizibiliteti në tregun shqiptar është “jo ekzistent” dhe CEZ-it i mungon një partner negociues në vend, tha anëtari i bordit të CEZ, Tomas Pleskac, në një konferencë shtypi në Pragë. Kjo deklaratë ka shqetësuar padyshim ERE-n, e cila prej kohësh ishte në frontin e parë të diskutimeve me CEZ-in.
Deklarata
Tomas Pleskac:
Në takimin tonë me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, ne ramë dakord të nisim bisedimet për një metodë se si të zgjidhim situatën aktuale, përfshirë edhe një tërheqje të mundshme nga ky vend
Tashmë CEZ do të vendosë deri në fund të vitit nëse do të shesë kompaninë e shpërndarjes
Shifrat
Humbjet e kompanisë, 120 milionë dollarë
CEZ, e cila administron rrjetin e shpërndarjes së energjisë së Shqipërisë, ka raportuar humbje për gjashtëmujorin e parë prej 2.3 miliardë koruna (119 milionë dollarë) në Shqipëri në fitimet përpara taksave, interesave, zhvlerësimit dhe amortizimit (Ebitda). Drejtuesit e saj në Pragë thonë se, autoritetet në Shqipëri, duke përfshirë Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, kanë urdhëruar atë që t’i paguajë operatorit shtetëror prodhues të energjisë tarifa më të larta, pa e lejuar CEZ-in që të rrisë çmimet për klientët. Konflikti në Shqipëri u përshkallëzua në verë, pasi vendi i ngarkoi CEZ-it një taksë shtesë prej 23 milionë eurosh, shprehen mediat ndërkombëtare. CEZ ka ecuri të mirë në 5 vendet e tjera ku ka degë, ndërsa në Shqipëri, vetëm raporton humbje.
Kostot
Analistët: Largimi, jo në formë “elegante”
“Gjërat në Shqipëri po shkojnë me të vërtetë keq”, tha Petr Bartek, një analist në degën e Pragës të “Erste Group Bank AG”. “Por, legalisht do të jetë e vështirë që CEZ të dalë nga vendi në mënyrë elegante”. CEZ mund të pretendojë një garanci prej 60 milionë eurosh nga Banka Botërore, tha Pleskac. Kompania çeke i ka ndaluar të gjitha investimet në Shqipëri në vjeshtë, tha ai. “Problemi në Shqipëri është se ne arritëm një marrëveshje me disa institucione shtetërore dhe në vijim një tjetër institucion fillon që të ketë pretendime tërësisht të ndryshme”, tha Pleskac. Sipas “Dow Jones Newswires”, CEZ ka investuar rreth 120 milionë euro në njësinë e saj në Shqipëri, por kjo shumë nuk ka dhënë impaktin e duhur. Aktualisht, për këtë vit, kompania ka një nivel investimi vetëm 0.7 për qind.

Gazeta Shqip, 01.11.2012