Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, model të ri drejtimi, vjen Marksi

Kompania CEZ do të drejtohet tashmë sipas modelit britanik, duke emëruar Ronald Marks, administratorin e ri, si rrjedhojë e ndryshimeve në sistemin e drejtimit të bordit. “Schindlers”, kompania britanike për zgjidhjen e krizave, ka marrë drejtimin dhe më 5 tetor, sikurse bën të ditur “energjia.al”, janë pasqyruar në QKR ndryshimet në postet drejtuese.
Ardhja e drejtuesit e ri shihet me optimizëm nga CEZ-i në Pragë, me shpresën se raportet me qeverinë do të ndryshojnë, ndërsa konfirmohet për gazetën “Shqip” se kompania nuk ka ndërmend të largohet nga Shqipëria dhe se ka plane afatgjata zhvillimi. Shoqëria britanike është e njohur për rolin ndërmjetësues për zgjidhjen e konflikteve, deri në likuidimin e shoqërive kur shihet se nuk ka zgjidhje tjetër. Qëndrimi në Shqipëri i tyre do të varet nga negociatat, por janë provizorisht deri në marrjen e vendimit final. Janë disa opsione, heqje licence, pra largim të CEZ-it, rishikim aksionesh, ku shteti merr shumicën ose qëndrim të CEZ-it, por me kushte të reja.
Sipas të dhënave të marra nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, më 5 tetor 2012, Asambleja e Ortakëve e “CEZ Shpërndarjes” ka zgjedhur administratorin e ri, Ronald Marks. Ky i fundit zëvendëson tre administratorët e mëparshëm çekë, Jaroslav Macek, Karel Kral dhe Dusan Ryban. Marks është pjesë e kompanisë angleze “Schindlers”, e cila u përzgjodh nga “CEZ Shpërndarje” për shtensionimin e mënyrës së deritanishme të komunikimit, si dhe gjithashtu për ndërmarrjen e të gjitha hapave të nevojshëm për të zgjidhur situatën në Shqipëri.
Një nga ndryshimet kryesore është praktikisht eliminimi i Bordit të Drejtorëve, duke mundësuar kontrollin e kompanisë direkt nga Këshilli Mbikëqyrës. Ky është ndryshimi i tretë brenda këtij viti, pas largimit të Hejsek, ardhjes së Macek dhe tashmë pozicionimit të ri drejtues të Marksit.
Situata mes kompanisë dhe qeverisë duket deri-diku e qetë, por sërish me pasiguri për të ardhmen. Takimet me drejtuesit e Entit Rregullator të Energjisë janë të shpeshta, por ende pa zgjidhje, ndërsa me Bankën Botërore janë kryer disa diskutime, ku po trajtohen disa opsione, por që duken larg realizimit.
Për qeverinë shqiptare, performanca e CEZ-it lë shumë për të dëshiruar, kurse kompania justifikohet se vendimet e shumta e kanë dëmtuar financiar dhe prishur planet e zhvillimit.
Burime nga METE bëjnë të ditur se për momentin, heqja e licencës nuk shihet si opsion i duhur, të paktën deri në fund të vitit. Si veprim duket i lehtë, por pasojat janë të rënda, prandaj qeveria i druhet të marrë veprime të nxituara.
Sakaq, ERE është duke parë me kujdes të dhënat financiare të kompanisë, raportimet mujore, nëse përputhen me realitetin dhe më tej do të marrë një vendim, natyrisht duke u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë, si USAID dhe Banka Botërore.

Gazeta Shqip, 30.10.2012