Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Licenca e CEZ-it, në dorë të Bankës Botërore

Në vitin 2009, kur qeveria shqiptare dhe kompania çeke, “CEZ Group” firmosën kontratën e privatizimit të 76 për qind të aksioneve, për 102 milionë euro, në të njëjtën tryezë qëndronte edhe drejtoresha e Bankës Botërore, Camille Nuamah. Prezenca e saj lidhej me një tjetër pakt po aq të rëndësishëm: garantimin e respektimit të kontratës. E thënë ndryshe, Banka Botërore dilte garante, duke vendosur shumën 60 milionë euro se qeveria shqiptare do t’i qëndronte deri në fund Deklaratës Rregullatore, pra respektimit të disa angazhimeve në kontratën ndaj CEZ dhe anasjelltas. Në të kundërt, pra në rast se qeveria cenonte ndonjë të drejtë të CEZ-it në kontratë, atëherë vihej në diskutim shuma e garancisë te BB.
Tashmë kur diskutohet prej një muaji heqja e licencës së CEZ, për ERE-n situata duket më e qartë, por vendimi kërkon të shoqërohet me të tjera garanci.
Shtatë misione të Bankës Botërore kanë ardhur në Tiranë vetëm për çështjen e licencës, por gazeta “Shqip” mëson se misioni i ardhshëm, mund të vulosë fatin e kompanisë çeke. Pritet që në ditët e ardhshme, një tjetër ekip i BB-së të zhvillojë takime me ERE-n dhe CEZ-in, por edhe me palë të tjera, si me Ministrinë e Financave, garantuesja e shumës 60 milionë euro dhe METE-n, pronari shtet i 24 për qind të aksioneve në kompaninë “CEZ Shpërndarje”.
Për ERE-n, licenca e CEZ-it është tashmë e hequr, d.m.th, Enti ka hartuar një relacion ku shpjegon arsyet se pse duhet hequr licenca, por bordi i komisionerëve është treguar më i rezervuar, duke e shtyrë dy herë mbledhjen për marrjen e vendimit.
Tashmë pritet vizita e ekipit të BB-së për të vendosur përfundimisht se çfarë strategjie do të ndiqet, në mënyrë që largimi të jetë sa më i butë dhe pa shumë komplikacione për shtetin shqiptar.
Tjetër diskutim për ditët e ardhshme nga ku priten debate të forta lidhet me çmimin e energjisë elektrike. Tre operatorët energjetikë, “Cez Shpërndarje”, OST dhe KESH kanë paraqitur kërkesat e tyre për rishikim të çmimeve të energjisë dhe kostove operative, si dhe planet përkatëse të investimeve. Për çmimin e energjisë që paguan konsumatori familjar nuk mund të bëhet kërkesë rishikimi, pasi ERE ka marrë vendim për ruajtjen e këtyre tarifave deri në fund të vitit 2014. Kompanitë kërkojnë një harmonizim më të mirë të kostove për sa i përket operacioneve të përbashkëta dhe të tregut energjetik në përgjithësi.

Gazeta Shqip, 26.10.2012