Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Termocentrali “Kosova e Re” mbeti pa menaxher

Lorik Haxhiu më nuk do të jetë udhëheqës i projektit energjetik “Kosova e Re”. Ai ka dhënë dorëheqjen nga projekti që e ka drejtuar që nga fillimi, njofton Zyra për Informim e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të martën, raporton sot “Koha Ditore”. Nuk jepen hollësi për arsyen e dorëheqjes.
Haxhiu nuk ka pasur marrëdhënie pune me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, por ka qenë i angazhuar si bashkëpunëtor i jashtëm – menaxher i projektit. Angazhimi i menaxherit të ri pritet të bëhet nëpërmjet konkursit. Ekipi e ekspertëve që ka punuar në këtë projekt e që është angazhuar përmes konkursit do të vazhdojë punën, ndërsa pritet të angazhohet vetëm pasardhësi i Haxhiut.
Gazeta ka kontaktuar me Lorik Haxhiun, por ai nuk ka dashur të jepte asnjë sqarim rreth arsyes se dorëheqjes së tij. Ai e ka lënë projektin që e ka udhëhequr për më shumë se gjashtë vjet në udhëkryq, pas heqjes së termocentralit “Kosova B” nga pako tenderuese. Në përgjigjet zyrtare të MZHE-së thuhet se ende nuk është caktuar data se kur pritet të mbahet Komiteti Drejtues i projektit “Kosova e Re”.
Haxhiu ka qenë udhëheqës i këtij projekti edhe në kohën kur ky termocentral parashihej të kishte kapacitet prej 2000 megavatëve. E në atë kohë ekzekutivi drejtohej nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa zyra që menaxhonte këtë projekt ka qenë nën drejtimin e Bankës Botërore.
Edhe pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës, Haxhiu vazhdoi të drejtojë projektin më të madh në Kosovë, ndërtimin e termocentralit. Gjatë qeverisjes së PDK-së projekti disa herë ka ndryshuar. Fillimisht i ishte ndryshuar emri, e pastaj edhe kapacitetet. Por, pas tërheqjes së dy prej kompanive që kanë qenë në garë për të investuar në këtë projekt, Qeveria Thaçi kishte vendosur që të shpallte një tender të ri për këtë projekt. Shpallja e tenderit të ri bëri që të gjitha kompanitë e parakualifikuara herën e parë të humbin interesin për këtë projekt.
Në tenderin e dytë ishte planifikuar që termocentrali të kishte kapacitet prej 900 megavatëve. Por, në “heshtje”, Qeveria e Kosovës kishte vendosur se kapaciteti i instaluar fillestar të ishte vetëm 600 megavat, e jo 1000 siç ishte thënë në fillim. Në kuadër të projektit ishte futur edhe termocentrali ‘Kosova B’, që u kundërshtua nga opozita e shoqëria civile. Me gjithë kundërshtimet, Kosova B mbeti në pako tenderuese deri në shpalljen e kohës për pranimin e ofertave që njihet si tender. U desh që kompanitë që kanë qenë në garë të kërkojnë heqjen e Kosovës B nga pakoja, që të bindet edhe qeveria të bëjë një gjë të tillë.
Pas heqjes se Kosovës B, projekti “Kosova e Re” ka mbetur në udhëkryq. Ministri në një intervistë për “Kohën Ditore” ka thënë se të gjitha aspektet rreth këtij projekti pritet të vendosen, pasi janë lëvizur pas ndryshimeve në pakon tenderuese. Madje, ministri Beqaj kishte paralajmëruar se mund të ketë një proces të ri tenderues për këtë projekt, që ka nisur qysh në vitin 2006.

Gazeta Koha Ditore, 24.10.2012