Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Portali i Energjise zbardh dosjen e plote te privatizimit te Albpetrol-it!

RAPORT PËR VLERËSIMIN E OFERTAVE PËR PRIVATIZIMIN E SHOQËRISË “ALBPETROL” SHA PATOS
Komisioni i vlerësimit të ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos, i krijuar me urdhrin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nr. 619, datë 4.9.2012 “Për krijimin dhe funksionimin e komisionit të vlerësimit të ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos”, bazuar në raportin e konsulentit për vlerësimin e ofertave për privatizimin e “Albpetrol” sh.a. dhe në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, datë 1.2.2012 “Për miratimin e rregullave për paraqitjen, hapjen dhe vlerësimin e ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos” (referuar si “vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 107”), paraqet raportin përfundimtar të vlerësimit të ofertave, të paraqitura në procesin e tenderit të mbajtur më 7 shtator 2012, ora 12:00 pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Analizë e ofertave
Ofertat e paraqitura në vendin dhe datën e përmendur më sipër, janë të përshkruara dhe të analizuara në mënyrë të detajuar si vijon:
KANDIDATI 1
Konsorciumi Vetro Energy PTE. Ltd. (“Vetro” ose “kandidati”)
Konsorciumi Vetro Energy, përbëhet nga YPO Oil & Energy/Home Creek dhe SilkRoad Equity/Huddleston.
Në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, kapitulli II paragrafi 2, dokumentet e paraqitura nga kandidati për kriteret e kualifikimit janë si më poshtë:
1. Kopje të certifikatës së regjistrimit në regjistrin tregtar të shoqërive ose një dokument të barasvlershëm të lëshuar nga autoritetet e vendeve përkatëse të kandidatëve, është paraqitur nga Vetro Energy PTE. Ltd. (regjistrim 200704225W në Singapor); YPO Oil & Energy PTE. Ltd. (regjistrimi 200817042M në Singapor); SilkRoad Equity, LLC (themeluar në Delware, USA); Huddleston Energy Advisors, LLC (themeluar në Delware, USA) dhe Home Creek Energy LLC (themeluar në Delware USA).
2. Dokumenti i kërkuar i Standardit të Certifikimit ISO 9000 (certifikatë nr. 14353), është paraqitur vetëm nga shoqëria SilkRoad Equity, LLC (SilkRoad), në cilësinë e saj si anëtare e Konsorciumit. Në përputhje me këtë dokument, SilkRoad zotëron certifikatën e kërkuar, e cila është e vlefshme nga data 31 gusht 2012 deri më 31 gusht 2015.
3. Kërkesa ndaj kandidatit, që të jetë një shoqëri e specializuar në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit, dhe të ketë ushtruar veprimtarinë në këtë fushë në nivel ndërkombëtar për jo më pak se 5 (pesë) vjet është plotësuar nga:
a) Konsorciumi, nëpërmjet YPO Oil & Energy PTE. Ltd./Home Creek Energy LLC, ka paraqitur një përshkrim të eksperiencës mbi pesë vjet në një shumëllojshmëri projektesh në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit.
b) Për më tepër, shoqëria SilkRoad Equity, LLC, e cila zotëron grupin Huddleston, ka eksperiencë të zgjeruar në të njëjtat fusha. Në dokumentet e themelimit të shoqërisë Huddleston, z. Peter Huddleston listohet si drejtuesi i shoqërisë dhe shoqëria mëmë Huddleston & Co. është partnerja e SilkRoad-it në zotërimin e shoqërisë Huddleston Energy Advisors, duke i shtuar në këtë mënyrë konsorciumit të shoqërive, eksperiencën e nevojshme.
c) Konsorciumi ka eksperiencë në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit. Home Creek Energy LLC, e cila zotërohet 100% nga YPO Oil & Energy PTE. Ltd., ka zhvilluar dhe menaxhuar mbi 100 puse në “Pellgun Permian” përgjatë katër shteteve, duke përfshirë marketingun e projektit, i cili ka përfunduar me shitjen e puseve dhe prodhimit të marrë prej tyre. Shoqëria, gjithashtu, ka kryer operacione riparimi, duke rivënë në punë një numër pusesh në fushën e Hendrick Ranch në Haskell County, Texas, të cilat më pas u shitën. Në vitin 2007, shoqëria shpoi një numër pusesh në Luizianë, USA, të cilat si pasojë e operacioneve të suksesshme gjithashtu u shitën. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 2008, shoqëria mori në zotërim një seri prej 8 pusesh në Teksas, të cilat i rivendosi në punë dhe që janë ende duke u punuar prej saj. Më së fundmi, përkatësisht në prill të vitit 2012, shoqëria mori në zotërim operimin e një numri pusesh në St. Helena Parish, Luiziana, të cilat janë duke u punuar prej saj dhe aktualisht janë në fazën e operacioneve të përmirësimit. Shoqëria ka eksperiencën e kërkuar prej pesë vitesh në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit.
d) Duke plotësuar eksperiencën e Home Creek Energy LLC, shoqëria Huddleston dhe drejtuesi i saj z. Peter Huddleston, kanë gjithashtu eksperiencë të zgjeruar në kërkimin, zhvillimin, prodhimin dhe tregtimin e naftës dhe të gazit. Duke filluar nga viti 2007, Huddleston ka qenë i përfshirë në kërkimin dhe zhvillimin e puseve në Teksasin e Jugut, USA, në projektin e quajtur “Energji PPPCO CB”, i cili ka pasur si rezultat shpimin e suksesshëm dhe prodhimin në pesë puse. Huddleston gjithashtu ka shërbyer si konsulenti kryesor në një projekt prodhimi në Brazil, i cili ka nisur në vitin 2011 dhe ka punuar gjithashtu në vende të tilla, si: Ekuadori, Venezuela, Franca dhe në një numër të madh vendesh të tjera në Amerikën Qendrore dhe Jugore, në Europë, në Afrikë dhe në Azi, përgjatë pesë viteve të fundit, por edhe më herët. Z. Huddleston, nëpërmjet një shoqërie të themeluar prej tij, të quajtur CIMA, menaxhon dhe operon një firmë marketingu të naftës dhe të gazit me më shumë se 50 punonjës, e cila ka zhvilluar operacione të vazhdueshme që nga viti 1996 deri më sot.
e) Z. Huddleston, nëpërmjet grupit të drejtuar prej tij, i cili është pjesë e grupit të SilkRoad-it për këtë projekt, ka dhënë shërbime konsulence inxhinierike në fushën e naftës për më shumë se 500 shoqëri nafte dhe gazi, shoqëri të transmetimit të gazit, banka dhe institucione të tjera financiare. Projektet e huaja përfshijnë vende, si: Kanadaja, Amerika Qendrore dhe Jugore, Afrika, Australia, Kina, Kuvajti, Indonezia, Deti i Veriut dhe Komunitetin e Shteteve të Pavarura (“CIS” – më parë Bashkimi Sovjetik). Shoqëria e zotëruar prej tij menaxhon interesa joint venture dhe partneriteti në më shumë se 2,000 pasuri prodhuese, dhe ai ka gjithashtu në zotërim një shoqëri operative nafte dhe gazi e cila operon në më shumë se 400 puse të ndodhura në Arkansas, Kaliforni, Kansas, Luiziana, North Dakota, Oklahoma, Teksas dhe Wyoming.
f) Home Creek Energy LLC, e cila duke qenë e zotëruar 100% nga YPO Oil & Energy PTE. Ltd., është pjesë e këtij Konsorciumi, nëpërmjet letrës së dërguar prej saj në datën 21 shtator 2012, ka konfirmuar edhe njëherë se Home Creek Energy LLC është tërësisht e angazhuar në zbatimin e planit të biznesit të paraqitur në lidhje me ofertën, në zbatimin e të gjithë procesit të privatizimit, ashtu si dhe në zbatimin e operacioneve të “Albpetrol”-it në vijim të këtij procesi. Për më tepër, kandidati na informoi se z. Huddleston i shoqërive Huddleston dhe z. Maye i Home Creek, do të jenë secili personalisht të përfshirë në operacionet strategjike dhe në menaxhimin e “Albpetrol”-it, në rast se Konsorciumi Vetro do të jetë fituesi i tenderit.
Koment: Në përfundim, si investitori strategjik ashtu dhe investitori financiar sjellin eksperiencën dhe njohuritë e nevojshme për të realizuar planin strategjik të projektit Albpetrol dhe për të pasur një përfundim të suksesshëm. Konsorciumi zotëron një shtrirje të gjerë aktivitetesh, duke përmbushur kërkesat e tenderit. Për më tepër, mbas sqarimeve të kërkuara Konsorciumit me anë të letrës së datës 12 shtator 2012, dërguar nga Komisioni, kandidati, nëpërmjet dy letrave të dërguara në datat 17 dhe 21 shtator 2012, paraqiti dokumente shtesë, të cilat vërtetojnë kushtet e mëposhtme përforcuese të ofertës së tyre: i) se Home Creek Energy LLC është 100% e zotëruar nga shoqëria YPO & Oil Energy dhe tërësisht e angazhuar në zbatimin e këtij projekti, angazhim i ndërmarrë nga vetë shoqëria nëpërmjet paraqitjes së një deklarate të tillë, të nënshkruar nga administratori i Home Creek Energy LLC, z. Maye; ii) se z. Huddleston i shoqërive Huddleston dhe z. Maye i Home Creek, do të jenë secili personalisht të përfshirë në operacionet strategjike dhe në menaxhimin e “Albpetrol”-it, angazhim i paraqitur me anë të letrës së datës 17 shtator 2012; iii) se Vetro Energy PTE. Ltd. ka lidhur një marrëveshje për operacione në fushën e naftës me Huddleston & Co Inc., fakt i vërtetuar me anë të paraqitjes së kopjes së marrëveshjes në fjalë.
4. Në lidhje me kriterin e kërkuar për të pasur një kapital tërësisht të paguar në shumën 80 milionë euro, si dhe vlerën neto ose vlerën neto të konsoliduar të aseteve prej të paktën 100 milionë eurosh, kandidati ka paraqitur këto dokumente:
a) Sipas raportit të auditimit të shoqërisë Jespersen të datës 31 dhjetor 2011, për investitorin financiar të Konsorciumit, shoqërinë SilkRoad, kapitali tërësisht i paguar është 178,386,753 USD (€140 milionë)1. Ky tregues e plotëson dhe e tejkalon kriterin e kërkuar të kapitalit të paguar prej 80 milionë eurosh;
b) Sipas raportit të sipërpërmendur, rezulton që vlera neto e konsoliduar e aseteve të investitorit financiar të Konsorciumit, SilkRoad, më 31 dhjetor 2011 është 188,426,955 USD (€ 148 milionë), duke e tejkaluar sërish kërkesën e tenderit prej 100 milionë eurosh.
5. Dokumentet e tenderit kërkojnë që investitori strategjik i çdo Konsorciumi të zotërojë të paktën 30% të kapitalit dhe të të drejtave të votimit të Konsorciumit. Secili prej anëtarëve të Konsorciumit Vetro e përmbush këtë kriter, duke qenë se YPO Oil & Energy PTE. Ltd./Home Creek Energy LLC, zotëron 51% dhe SilkRoad/Huddleston zotëron 49% të Konsorciumit.
1 Për qëllim të këmbimit valutor të dollarit në euro është përdorur norma 1.27 me 1.
6. Në përputhje me paragrafin 2.2 të kapitullit II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, secili nga anëtarët e Konsorciumit kanë paraqitur një prokurë të posaçme, duke autorizuar drejtorin e Vetro-s, z. Matthew Roszak, të veprojë në emër të tyre në lidhje me procesin e privatizimit, duke i dhënë atij të gjitha kompetencat dhe autorizimin për të përfaqësuar Konsorciumin në procesin e tenderit. Për më tepër, z. Roszak është i autorizuar të nënshkruajë, të vulosë dhe të paraqesë çdo dokument përgjatë këtij procesi.
7. Ashtu siç kërkohet në pikën 2.1 (d) (iii) të kapitullit II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, anëtarët e Konsorciumit kanë deklaruar dhe kanë pranuar përgjegjësinë e tyre individuale dhe solidare për zbatimin e marrëveshjes.
Koment: Përveç deklaratës së përmbajtur më sipër, në ofertën e paraqitur prej Konsorciumit në datën 7 shtator 2012, bazuar në kërkesën e Komisionit të datës 12 shtator 2012, kandidati ka paraqitur pranë Komisionit në datën 27 shtator 2012 një kopje të marrëveshjes së aksionarëve, ku përmbahen në mënyrë të detajuar angazhimet dhe përgjegjësitë reciproke të anëtarëve të Konsorciumit në lidhje me privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Bazuar në këto dokumente, vlerësojmë se Konsorciumi e përmbush plotësisht kriterin e parashikuar më sipër.
Dokumentet e tenderit
8. Në lidhje me pranimin nga kandidati të dokumenteve të tenderit, ashtu siç kërkohet në paragrafin 3.1 (a) dhe (b), kapitulli III i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati në letrën e tij të prezantimit të ofertës në shtator 2012, të nënshkruar nga Matthew Roszak ka pranuar:
a) Termat dhe kushtet e parashtruar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107 dhe termat dhe kushtet e vendosur në dokumentet e tenderit;
b) Detyrimet që rrjedhin nga fitimi i tenderit;
c) Se të ardhurat e tij janë krijuar si rezultat i zhvillimit të aktiviteteve të ligjshme ekonomike në zbatim të ligjeve në fuqi dhe se në asnjë rast këto të ardhura nuk janë prodhuar, përfituar ose ndikuar në mënyrë të tërthortë nga aktivitete kriminale.
Pranimi i kandidatit nuk është i kushtëzuar nga asnjë kusht paraprak.
9. Siç kërkohet nga paragrafi 2 (c) i kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, anëtarët e Konsorciumit kanë paraqitur ekstrakte të pasqyrave financiare të audituara për vitet 2009, 2010 dhe gjithashtu për vitin 2011, për Vetro Energy, YPO Oil & Energy dhe SilkRoad Equity.
10. Në përputhje me dokumentet e tenderit, siç kërkohet në paragrafin 2 (f) për të provuar se kandidati nuk është në likuidim, kandidati ka paraqitur:
a) Vetro Energy PTE. Ltd.: Certifikatë e lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, numër regjistrimi 200704225W, duke identifikuar Vetro Energy PTE. Ltd. të themeluar në 14 mars 2007, si një shoqëri me status aktiv dhe në gjendje të mirë. Shoqëria ka paraqitur gjithashtu një certifikatë të gjendjes së mirë, të lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, i datës 15 gusht 2012, certifikatë nr. ACR0000004220794A, nënshkruar nga z. Tan Yong Tat, asistent regjistrues i shoqërive dhe bizneseve, që provon se shoqëria ka statusin “aktiv” dhe në gjendje të mirë dhe nuk është në likuidim.
b) SilkRoad Equity LLC: Certifikatë riparaqitjeje e datës 30 gusht 2012 nga Sekretari i Shtetit të Delware, USA, duke përfshirë një certifikatë riparaqitjeje formimi të datës 30 gusht 2012, të nënshkruar nga Matthew Roszak, në cilësinë e anëtarit dhe personit të autorizuar, duke shpjeguar se shoqëria u krijua fillimisht në datën 20 maj 2003. Shoqëria gjithashtu ka paraqitur një certifikatë të gjendjes së mirë të datës 15 gusht 2012 nga Sekretari i Shtetit të Delware, USA, z. Jeffrey Bullock, duke dëshmuar se shoqëria është në gjendje të mirë dhe se të gjitha taksat vjetore janë paguar.
c) YPO Oil & Energy PTE. Ltd.: Certifikatë e lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, numër regjistrimi 200817042M, që identifikon YPO Oil & Energy PTE. Ltd., të themeluar më 28 gusht 2008 si një shoqëri me status aktiv në gjendje të mirë. Shoqëria ka paraqitur gjithashtu një certifikatë të gjendjes së mirë, të lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, të datës 15 gusht 2012, certifikatë nr. ACR0000004220794A, nënshkruar nga z. Tan Yong Tat, asistentregjistrues i shoqërive dhe bizneseve, që provon se shoqëria ka statusin “aktiv” dhe në gjendje të mirë dhe nuk është në likuidim.
d) Huddleston Energy Advisors, LLC: Certifikatë riparaqitjeje dhe ndryshimi e datës 30 gusht 2012, paraqitur nga Sekretari i Shtetit të Delware, USA, që dëshmon se shoqëria është themeluar më 9 korrik 2012 dhe se ortakët e shoqërisë janë SilkRoad Equity dhe Huddleston & Co., të zotëruara dhe të drejtuara nga z. Peter Huddleston.
e) Home Creek Energy LLC: Certifikatë formimi e datës 29 dhjetor 2006, të paraqitur nga Sekretari i Shtetit Delware, USA, nënshkruar nga z. Anthony Maye. Shoqëria paraqiti një letër të nënshkruar nga z. Maye, ku deklarohej se ortaku i vetëm i shoqërisë është YPO Oil. Për më tepër, shoqëria paraqiti një aplikim për regjistrim të emrit të shoqërisë nga Sekretari i Shtetit, Teksas, USA, të datës 28 gusht 2012 dhe një letër ku deklaron se shoqëria angazhohet të zbatojë biznesplanin e Vetro-s.
11. Kandidati ka paraqitur shumën në euro të çmimit total të ofruar prej tij për blerjen e aksioneve, në shumën prej 850,000,000.00 eurosh, e cila përfshin tarifën e konsulentit dhe të gjitha taksat dhe tatimet e tjera, siç parashikohet nga dokumentet e tenderit.
12. Për sa i përket deklaratës së aftësisë financiare, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit, kandidati ka paraqitur letrën e tij mbështetëse që certifikon aftësitë financiare, të nënshkruar nga z. Matthew Roszak në emër dhe për llogari të Vetro Energy PTE. Ltd.
Koment: Megjithëse në përputhje me dokumentet e tenderit, deklarata e mësipërme është e mjaftueshme, kandidati, për të treguar seriozitetin e tij në paraqitjen e kësaj oferte, i ka paraqitur Komisionit edhe një letër mbështetëse të lëshuar nga institucioni BNP Paribas në datën 21 shtator 2012.
13. Në lidhje me garancinë e ofertës, së kërkuar në paragrafin 4 të kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur një garanci bankare, lëshuar nga American Chartered Bank e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në datën 23 gusht 2012, në shumën prej 85,000,000 eurosh, një shumë, e cila përbën 10% të ofertës totale të paraqitur nga kandidati. Mbas kërkesës për sqarime në lidhje me garancinë e ofertës, kandidati ka deklaruar se “ka bërë që tani përparime thelbësore në sigurimin e garancisë së kontratës (e cila do të depozitohet në një nga bankat më të njohura/vlerësuara) për këtë transaksion.
Koment: Për të vërtetuar më tej përshtatshmërinë e garancisë së ofertës, Komisioni ka kryer verifikimet e tij dhe, gjithashtu, i ka kërkuar konsulentit Patton Boggs kryerjen e verifikimeve përkatëse pranë Amercian Chartered Bank. Me anë të letrës së datës 25 shtator 2012, përfaqësuesi i konsulentit z. David Farber ka konfirmuar kryerjen e verifikimeve pranë kësaj banke, duke njoftuar komisionin se garancia është e vlefshme dhe e mbuluar me një kolateral të mjaftueshëm. Në këto kushte, ne vlerësojmë se garancia e ofertës është e vlefshme dhe përmbush qëllimin e saj të besueshmërisë financiare të ofertës së paraqitur nga Konsorciumi.
14. Kandidati ka paraqitur planin e biznesit për vitet 2012-2017, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit.
Vlerësimi përshkrues i ofertës teknike
Kredencialet: Kandidati, nëpërmjet entiteve të tij Huddleston & Company dhe Home Creek, ka eksperiencë të zgjeruar në fushat e zhvillimit të naftës, marketingut, vlerësimit të rezervave dhe eksplorimit, transportimit të gazit, konsulencës, rregullimit të partneriteteve dhe rinovimit të puseve. Kandidati ka zhvilluar aktivitetin e tij në: Shtetet e Bashkuara, Brazil, Kanada, Tailandë dhe Venezuelë. Ka si klientë 13 shoqëri madhore të pavarura nafte dhe gazi, duke përfshirë Chevron Texaco Corp., shoqërinë ConocoPhillips, shoqërinë ExonMobil Exploration, shoqërinë BP Amoco dhe Marathon Oil. Klientët e tjerë konsistojnë në më shumë se 200 shoqëri të tjera të pavarura nafte dhe gazi, shoqëri depozitimi dhe transmetimit të gazit, institucione edukative dhe agjenci qeveritare.
Strategjia: Kandidati deklaron se vizioni i tij është pozicionimi i “Albpetrol”-it si lojtar kyç i tregut në Shqipëri, por edhe vendosjen e “Albpetrol”-it në zemër të planeve të kandidatit për të krijuar një platformë moderne dhe efektive rajonale. Kandidati është i vetëdijshëm për vendndodhjen strategjike të “Albpetrol”-it në tregun europian të naftës dhe të gazit, vlerën e të ardhurave të shpejta dhe të sigurta nëpërmjet të drejtave të transferimit të naftës të marrëveshjeve hidrokarbure ekzistuese, si dhe potencialet domethënëse të shfrytëzimit të burimeve të paeksploruara më parë, dhe aksesin në gazin natyror. Një pjesë e vizionit strategjik është modernizimi i infrastrukturave ekzistuese. Kandidati ka për qëllim: 1. Të vazhdojë kryerjen e operacioneve në fushat ku “Albpetrol”-i kryen aktivitet; 2. Të menaxhojë dhe të zbatojë në mënyrë më efikase marrëveshjet hidrokarbure; 3. Të eksplorojë dhe të zhvillojë blloqet e reja të naftës, që i janë dhënë rishtazi “Albpetrol”-it në mënyrë rritjen e prodhimit; 4. Të eksplorojë mundësitë e lidhura me licencën e gazit natyror dhe me licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Plani i biznesit: Përbërësit e planit të biznesit janë si më poshtë:
– Riaktivizimi i 1,048 puseve në fushat Kuçovë, Ballsh-Hekal, Patos-Marinza dhe Amonica.
– Rinovimi i infrastrukturës së puseve, njësive të dekantimit dhe të tubacioneve, dhe zhvillimi i një seti të ri procedurash administrative dhe operative të fokusuara në çështjet mjedisore, shëndetin dhe sigurinë.
– Kryerja e studimeve teknike duke përfshirë krijimin e një baze të dhënash gjeologjike, listën e puseve, dhe verifikimin e historisë së prodhimit; detektimin me matje elektrike-gjeofizike; studime gjeologjike, duke përfshirë ripërpunimin e të dhënave sizmike, përcaktimin e horizonteve kyçe të prodhimit, analizat kyçe për të matur më mirë rezervat ekzistuese sipas formatit OOIP (Original Oil in Place) dhe vlerësimin e puseve horizontale dhe rrjedhshmërisë së ujit ashtu, si dhe studime të tjera.
– Arritja e objektivit të madh të rritjes së prodhimit me anë të metodave EOR. Këto metoda përfshijnë shpimin horizontal, injektimin e ujit, përdorimin e pompave PCP dhe të makinerive të tjera specifike të puseve (që zakonisht sjellin dyfishimin e prodhimit për pus) dhe modelimit të sofistikuar.
– Angazhim për të mbajtur, rehabilituar dhe aktivizuar të gjitha puset ekzistuese dhe zonat e zotëruara nga “Albpetrol”-i në datën e blerjes.
Kandidati jep disa komente të shkurtra në planin e biznesit të paraqitur prej tij në lidhje me eksplorimin, zhvillimin dhe prodhimin e “zonave të reja” (blloqet e reja të prodhimit që i janë transferuar “Albpetrol”-it). Theksi vendoset në zonat ekzistuese dhe buxhetet vjetore për çdo aktivitet janë të përfshira në programin CAPEX të paraqitur nga kandidati.
Ambienti: Kandidati ka paraqitur të dhëna vërtet të detajuara mbi ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, bazuar në një studim të Universitetit të Tiranës. Sipas tij ndotja është shkaktuar nga teknologjia e papërshtatshme, amortizimi domethënës i makinerive të përdorura dhe nivelet e ulëta të disiplinës teknike të përdorur gjatë operacioneve. Masat e propozuara nga kandidati, të cilat përfshihen në buxhetin e paraqitur në programin CAPEX, janë si më poshtë:
– Masa emergjente përmirësuese.
– Minimizimin e rrjedhjeve në mjediset e hapura, nëpërmjet matjes së lëngjeve që dalin nga puset, ato që rrjedhin nga njësitë e dekantimit dhe rrjedhjet ose humbjet e naftës nga tubacionet, të ndjekura nga riparimi i puseve, përmirësimi i operacioneve nëpërmjet pompave dhe mjeteve të tjera, pastrimi i rërës etj.
– Rrethimi i zonave ku ndodhen puset e naftës.
– Parandalimi i emetimit të gazit, duke krijuar një sistem të mbyllur të rezervuarëve të akumulimit pranë pompave, njësive të dekantimit dhe sistemeve të transportit.
– Vlerësimi dhe krijimi i kompresorëve të mbledhjes së gazit për transmetimin e gazit në destinacionet ku konsumohet si energji.
– Respektimi i standardeve ndërkombëtare të tilla, si ISO dhe API për ndërtimin e tubacioneve dhe depozitave nëntokësore, matjen e emetimeve dhe arritjen e praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë zbatimit të procedurave të mjedisit.
Efikasiteti: Kandidati ka propozuar një planveprimi, i cili trajton sfidën e rritjes së prodhimit, duke mbajtur në të njëjtën kohë në të njëjtin nivel rezervat e naftës. Përbërësit e planit janë:
– Kontraktimi i një konsulenti të respektuar për të kryer studimin e të gjitha puseve të “Albpetrol”-it dhe vlerësimin e rezervave të tyre.
– Në gjashtë muajt e parë do të vlerësohet situata teknike e çdo pusi aktiv, kapaciteti i pusit, numri i ndërprerjeve etj. Ky vlerësim do të jetë i dobishëm për vendimet e drejtuesve në lidhje me programin e rehabilitimit të puseve.
– Krijimi i një sistemi të menaxhimit të informacionit të procesit të prodhimit (PIMS). Infrastruktura kompjuterike do të instalohet përgjatë të gjitha puseve dhe depozitave të “Albpetrol”-it. Sisteme kontrolli dhe monitorimi të procesit do të integrohen përgjatë sistemit dhe do të mbahen në një data-base. Këto të dhëna do të informojnë mbikëqyrësit e operacioneve dhe menaxhimit në lidhje me kostot e mirëmbajtjes dhe operacioneve.
– Teknologji të reja prodhimi do të përdoren për çdo pus, në mënyrë rritjen e prodhimit dhe zvogëlimin e kostove për fuçi.
– Kandidati ka për qëllim të rinovojë 50% të rrjetit të tubacioneve dhe të mbajë në gjendje të mirë pune 50% të mbetur përgjatë dy viteve të para pas blerjes. Të përfshira në programin e rinovimit janë lidhjet me dy rafineritë shqiptare dhe Portin e Vlorës. Është gjithashtu në plan rinovimi i depozitave.
– Programi CAPEX përfshin ndërtimin e tri njësive të reja të dekantimit, të cilat do të bëjnë të mundur ndarjen e ujit nga nafta bruto. Rezultati i pritshëm është 15% rritje e çmimit.
Shëndeti dhe siguria: Kandidati propozon aktivitetet e mëposhtme në lidhje me shëndetin dhe sigurinë:
– Izolimin e grykës së puseve për të eliminuar rrjedhjen e pusit.
– Kandidati planifikon ndërmarrjen e masave të menjëhershme për bllokimin e rrjedhjeve nga tubacionet e amortizuara dhe të prishura, të cilat janë një burim madhor ndotjeje me efekte mbi shëndetin.
– Kandidati ka në plan të ndryshojë skemën teknologjike të njësive të dekantimit dhe të rinovojë pajisjet e tyre brenda dy viteve (këto janë pjesë e programit CAPEX). Aktualisht, uji, i cili përmban naftë dhe substanca të tjera të rrezikshme, nuk kalon në asnjë proces trajtimi.
– Kandidati propozon riinjektimin e ujërave të mbetura mbas ndarjes në mënyrë, që të mos ndoten ujërat sipërfaqësore, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin.
Përmirësime në administrim: Kandidati deklaron se do të hartojë masa administrimi dhe do të japë disa shembuj, disa prej të cilëve janë përsëritja e aktiviteteve të listuara më sipër: drenazhi i zonave ku ndodhen puset e naftës, rinovimi dhe zgjerimi i rrjetit të tubacioneve të naftës, pastrimi dhe riparimi i depozitave të naftës, mirëmbajtja e rrjetit rrugor midis puseve të naftës dhe pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve të ujit që lidhin fushat e naftës me sistemin hidrologjik.
Shpenzimet kapitale: Kandidati propozon një CAPEX në shumën prej 174.3 milionë eurosh në pesë vitet e para mbas blerjes. Aty përfshihen 394,000 euro për aktivitete inxhinierike teknike dhe financiare dhe të njëjtën shumë për studimet e mjedisit – të dyja të realizueshme brenda vitit të parë. 115.5 milionë euro janë parashikuar për riaktivizimin e puseve përgjatë periudhës pesëvjeçare. Rehabilitimi i njësive të dekantimit, sistemeve të ndarjes së ujit, tubacioneve dhe depozitave kanë një buxhet prej 37.4 milionë eurosh, për t’u përfunduar brenda 2 viteve, përveç rehabilitimit të tubacioneve që do të realizohet në 3 vjet. 9.4 milionë euro janë vendosur të përdoren për ndërtimin e 8 puseve të reja dhe 2.4 milionë euro të CAPEX-it do të përdoren për projekte kapitale në lidhje me mjedisin.
Burimet njerëzore: Kandidati nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime personeli të nivelit mesatar të punonjësve të “Albpetrol”-it. Në bazë të një due-diligence do të bëhet edhe racionalizimi i fuqisë punëtore. Kandidati shpreh dëshirën për të mbajtur të pandryshueshëm numrin e punonjësve të trashëguar nga procesi i privatizimit.
Trajnimi: Plani i biznesit i paraqitur nga kandidati, kërkon zbatimin e teknologjive të reja të nxjerrjes, me qëllim rritjen e prodhimit. Zbatimi i këtyre teknologjive do të shoqërohet me trajnimin e personelit në departamentet e prodhimit të naftës krudo. Kandidati ka ndërmend të krijojë një njësi trajnimi dhe zhvillimi si pjesë e burimeve njerëzore, për të cilën nevojiten dy klasa dhe një workshop. Trajnimi do të realizohet si në vend ashtu edhe jashtë vendit, duke ndjekur kurse të specializuara teknike dhe administrimi. Buxheti i parashikuar për trajnimin është menduar të jetë 197,000 euro në vit.
Përfundim
Kandidati i ka përmbushur kriteret e kualifikimit dhe i ka trajtuar të gjitha çështjet operative dhe të biznesit të kërkuara në ofertën e propozuar prej tij. Të gjitha sqarimet që i janë kërkuar kandidatit, nuk janë të atij lloji që mund të modifikojnë thelbësisht cilësinë dhe vlerën e ofertës. Asnjë devijim nga kërkesat e dokumenteve të tenderit, nuk ka karakter thelbësor dhe ne e vlerësojmë ofertën në përputhje me dokumentet e tenderit. Pikët e pjesës teknike të ofertës janë 22.79 dhe jepen në bazë të analizës së bërë në tabelën në vijim. Ofertuesi mori pikët e plota të ofertës financiare, që janë 75 pikë, për shkak se paraqiti ofertën më të lartë financiare. Komisioni vlerëson se pikëzimi final për Konsorciumin Vetro, bazuar në kriteret e ofertës, është 97.79.
KANDIDATI 2
Shoqëria Amber Shine Inc. (“Amber Shine” ose “kandidati”)
Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, kapitulli II paragrafi 2, dokumentet e paraqitura nga shoqëria Amber Shine Inc. për kriteret e kualifikimit janë si më poshtë:
1. Kopje të vendimit për regjistrimin në regjistrin tregtar të shoqërive ose një dokument i barasvlershëm i dhënë nga autoritetet kompetente të vendit përkatës të kandidatit, është paraqitur nga Amber Shine Inc., në formën e certifikatës së themelimit nga Autoriteti i Zonës së Lirë Tregtare të Ras al Khaamah, në Emiratet e Bashkuara, të datës 13 maj 2008, regjistrimi IC/787/08, së bashku me certifikatën e gjendjes së mirë të lëshuar nga regjistruesi i Autoritetit të Zonës së Lirë Tregtare të Ras al Khaamah në Emiratet e Bashkuara, në datën 26 qershor 2012.
2. Dokumenti i Standardit të Certifikimit ISO 9000, nuk është paraqitur nga Amber Shine. Me anë të letrës së lëshuar në datën 24 shtator 2012, kandidati ka deklaruar se ai nuk zotëron ndonjë certifikatë të këtij lloji.
3. Kërkesa ndaj kandidatit, që të jetë një shoqëri e specializuar në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit, dhe të ketë ushtruar veprimtarinë në këtë fushë në nivel ndërkombëtar për jo më pak se 5 (pesë) vjet, është paraqitur vetëm me anë të deklaratës nga kandidati se ai e zotëron këtë eksperiencë. Kandidati në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, iu kërkua të japë prova në lidhje me aktivitetet e tij specifike në fushën e eksplorimit të naftës dhe të prodhimit, si dhe të numrit të viteve. Me anë të letrës në datën 24 shtator 2012, kandidati deklaroi se nuk ka një eksperiencë të tillë.
4. Në lidhje me kriterin e kërkuar për të pasur një kapital tërësisht të paguar në shumën 80 milionë euro, si dhe vlerën neto ose vlerën neto të konsoliduar të aseteve prej të paktën 100 milionë eurosh, kandidati ka paraqitur pasqyrat financiare vjetore të vitit 2010, të cilat pasqyrojnë kapitalin tërësisht të paguar në shumën prej vetëm 5,000 AED dollarësh dhe me humbje të mbartura prej 5,000 AED dollarësh, dhe një vlerë neto zero deri në fund të vitit kalendarik 2010. Kandidati paraqiti një deklaratë nga Autoriteti i Zonës së Lirë Tregtare të Ras al Khaamah, se shoqëria ka një kapital të paguar prej 1,000,000 AED dollarësh, por kjo shumë nuk i plotëson kriteret. Me anë të letrës së datës 24 shtator 2012, kandidati ka deklaruar se nuk e përmbush kriterin.
5. Siç kërkohet nga paragrafi 2.2. i kapitullit II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur një vendim nga këshilli i administrimit të shoqërisë, të datës 5 shtator 2012, që autorizon z. Gazmend Veli, shtetas shqiptar lindur në datën 13 gusht 1977, të nënshkruajë ofertën në emër të Amber Shine.
Dokumentet e tenderit
6. Në lidhje me pranimin nga kandidati të dokumenteve të tenderit, ashtu siç kërkohet në pikën 3.1 (a) dhe (b), kapitulli III i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka pranuar në letrën e tij të prezantimit të ofertës të shtatorit 2012:
a) Termat dhe kushtet e parashtruar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107 dhe termat dhe kushtet e vendosur në dokumentet e tenderit;
b) Detyrimet që rrjedhin nga fitimi i tenderit;
c) Se të ardhurat e tij janë krijuar si rezultat i zhvillimit të aktiviteteve të ligjshme ekonomike në zbatim të ligjeve në fuqi dhe se në asnjë rast këto të ardhura nuk janë prodhuar, përfituar ose ndikuar në mënyrë të tërthortë nga aktivitete kriminale.
Pranimi i kandidatit nuk është i kushtëzuar nga asnjë kusht paraprak.
7. Siç kërkohet nga paragrafi 2 (c) i kapitullit III i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur pasqyrat financiare të audituara për vitet 2009 dhe 2010.
8. Në përputhje me dokumentet e tenderit, siç kërkohet në paragrafin 2(f) për të provuar se kandidati nuk është në likuidim, kandidati ka paraqitur:
a) Certifikatë të gjendjes së mirë, të lëshuar nga regjistruesi i Autoritetit të Zonës së Lirë Tregtare të Ras al Khaamah në Emiratet e Bashkuara, në datën 26 qershor 2012.
b) Certifikatë përputhshmërie të lëshuar nga regjistruesi i Autoritetit të Zonës së Lirë Tregtare të Ras al Khaamah në Emiratet e Bashkuara, në datën 26 qershor 2012, ku deklarohet se për aq sa është në dijeni Autoriteti i Zonës së Lirë, kandidati nuk është subjekt i ndonjë urdhri administrimi ose procesi likuidimi dhe se nuk ka asnjë likuidator të emëruar për pasuritë e shoqërisë.
9. Kandidati ka paraqitur shumën e çmimit total në euro, që ofron për blerjen e aksioneve në shumën prej 750,000,000.00 eurosh, e cila përfshin të gjitha taksat, siç parashikohet nga dokumentet e tenderit. Oferta, e paraqitur në variantin e gjuhës shqipe me shifra dhe me fjalë, është 790,000,000.00 euro, ndërsa oferta e paraqitur në versionin anglisht në shifra është gjithashtu 790,000,000.00 euro. Megjithatë oferta e paraqitur me fjalë në variantin anglisht, që konsiderohet si varianti mbizotërues, është 750,000,000.00 euro.
10. Në lidhje me deklaratën e aftësisë financiare të kandidatit, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit, kandidati ka paraqitur një deklaratë në datën 6 shtator 2012, të nënshkruar nga z. Gazmend Veli se shoqëria ka aftësitë për të respektuar detyrimet që rrjedhin nga plani i biznesit i paraqitur prej saj.
11. Në lidhje me garancinë e ofertës, të kërkuar në paragrafin 4 të kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati nuk ka paraqitur një garanci bankare, dhe me anë të letrës në datën 24 shtator 2012, ka deklaruar se e ka të pamundur në këtë kohë të sigurojë një garanci të tillë.
12. Kandidati ka paraqitur biznesplanin e tij pesëvjeçar.
PËRFUNDIM
Kandidati ka dështuar në paraqitjen e disa prej dokumenteve të kualifikimit për ta cilësuar si ofertues të vlefshëm.
Meqenëse kandidati: i) nuk ka paraqitur garancinë e ofertës; ii) nuk ka strukturë të mjaftueshme kapitali; iii) nuk ka eksperiencë në fushën e kërkuar; iv) nuk ka certifikatën ISO, Komisioni vlerëson se shoqëria Amber Shine nuk kualifikohet si një ofertues i vlefshëm.
KANDIDATI 3
Brightoil Petroleum me anë të filialit të tij Win Business Energy (Aust.) Ltd. (“Win Business” ose “kandidati”)
Shoqëria Win Business Energy (Aust.) Ltd. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar nga ishujt e Virxhinias Britanike, e cila është paraqitur në Konsorcium me Bright Oil Petroleum (Holding) Limited (Holdings) Ltd., një shoqëri nga Bermuda. Në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, kapitulli II paragrafi 2, dokumentet e paraqitura nga kandidati për kriteret e kualifikimit janë si më poshtë:
1. Kopje të certifikatës së regjistrimit në regjistrin tregtar të shoqërive ose një dokument të barasvlershëm të lëshuar nga autoritetet e vendeve përkatëse të kandidatëve, është dhënë me anë të një certifikate themelimi të lëshuar nga regjistri i çështjeve të shoqërive të ishujve të Virxhinias Britanike, të datës 10 mars 2009, për personin juridik Win Business Energy (Aust.) Ltd. Për më tepër, një kopje të certifikatës së përputhshmërisë nga Ministria e Zhvillimit dhe Turizmit të Bermudës, është paraqitur për Brightoil Petroleum (Holdings) Limited, në datën 28 maj 2012, duke certifikuar se shoqëria është themeluar sipas ligjeve të Bermudës dhe se është në gjendje të mirë.
2. Dokumenti i kërkuar i Standardit të Certifikimit ISO 9000, nuk është paraqitur nga kandidati. Në vend të saj Win Business vërtetoi se nuk ka një certifikatë të tillë për shoqërinë. Mbasi kërkuam sqarime në lidhje me këtë pikë, kandidati me letër të datës 21 shtator 2012, kërkoi që vlerësimi i ofertës së tij të kryhej në bazë të dokumenteve të sjella deri në atë moment, pa vënë në dispozicion dokumente shtesë.
3. Kërkesa ndaj kandidatit, që të jetë një shoqëri e specializuar në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit, dhe të ketë ushtruar veprimtarinë në këtë fushë në nivel ndërkombëtar për jo më pak se 5 (pesë) vjet, është paraqitur me anë të informacionit që dokumenton zotërimin nga Win Business që në vitin 2008 të kontratës së prodhimit Dina – 1, e cila përfshinte shpimin dhe kërkimin e gazit, duke parashikuar prodhimin në fillim të shtatorit 2012. Shoqëria ka qenë e përfshirë gjithashtu në fushën e Zhaojue që nga viti 2006, dhe është aktualisht në procesin e prodhimit të dy puseve në atë zonë që nga viti 2009 dhe një pus i tretë, i cili pritet të hyjë në linjën e prodhimit këtë vit. Shoqëria, gjithashtu, zotëron kontratën e prodhimit Tuzi, e cila ka nisur në vitin 2009 për kërkimin dhe prodhimin e gazit nga fusha e Tuzi Luoke dhe parashikohet të fillojë së shpejti prodhimin.
4. Në lidhje me kriterin e kërkuar për të pasur një kapital tërësisht të paguar në shumën 80 milionë euro, si dhe vlerën neto ose vlerën neto të konsoliduar të aseteve prej të paktën 100 milionë eurosh, kandidati ka paraqitur pasqyrat financiare të konsoliduara të Brightoil, të cilat dëshmojnë (shënimi 34) se në 30 qershor 2011 kishte një kapital tërësisht të paguar prej 1,690,895,400 HK$ (afërsisht €169 milionë) dhe astetet neto prej 6,291,093,000 HK$ (afërsisht €629 milionë), duke i plotësuar dhe tejkaluar kërkesat e tenderit.
5. Dokumentet e tenderit kërkojnë që investitori strategjik i çdo Konsorciumi të zotërojë të paktën 30% të kapitalit dhe të të drejtave të votimit të Konsorciumit. Meqenëse Win Business është një filial i zotëruar 100% nga Brightoil në mënyrë të tërthortë, Konsorciumi duket se e përmbush këtë kriter. Ne kemi kërkuar sqarime nga kandidati në lidhje me specifikat e marrëdhënies midis dy entiteteve dhe me anë të letrës së datës 21 shtator 2012, kandidati kërkoi që vlerësimi i ofertës së tij të kryhej në bazë të dokumenteve të sjella deri në atë moment, pa vënë në dispozicion dokumente shtesë.
6. Në përputhje me paragrafin 2.2 të kapitullit II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur një vendim të drejtorit të vetëm të Win Business, të datës 5 shtator 2012, që autorizon z. Kenneth Dawayne Bryant dhe i jep këtij të fundit të gjitha kompetencat dhe autorizimet për të përfaqësuar Win Business në procesin e tenderit.
7. Ashtu siç kërkohet në pikën 2.1(d)(iii) të kapitullit II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, anëtarët e Konsorciumit do të jenë përgjegjës solidarë dhe individualisht për zbatimin e marrëveshjes së konsorciumit dhe të kontratës së privatizimit. Kandidatit iu kërkuan dokumente shtesë, por ai kërkoi që vlerësimi i ofertës së tij të kryhej në bazë të dokumenteve të sjella deri në atë moment, dhe nuk vuri në dispozicion dokumente shtesë për të vërtetuar përgjegjësinë e përbashkët.
Dokumentet e tenderit
8. Në lidhje me pranimin nga kandidati të dokumenteve të tenderit, ashtu siç kërkohet në paragrafin 3.1 (a) dhe (b), kapitulli III i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati në letrën e tij të prezantimit të ofertës ka pranuar:
a) Termat dhe kushtet e parashtruar në dokumentet e tenderit, me kusht që në rast se nuk bihet dakord për nënshkrimin e një kontrate formale midis kandidatit dhe Ministrisë brenda 30 ditëve të shpalljes së kandidatit si ofertuesi fitues, Ministria nuk do të mundë të tërheqë garancinë e ofertës;
b) Detyrimet që rrjedhin nga fitimi i tenderit, me disa kushte;
c) Se të ardhurat e tij janë krijuar si rezultat i zhvillimit të aktiviteteve të ligjshme ekonomike në zbatim të ligjeve në fuqi dhe se në asnjë rast këto të ardhura nuk janë prodhuar, përfituar ose ndikuar në mënyrë të tërthortë nga aktivitete kriminale.
Koment: Siç pasqyrohet në pikën “b” më sipër, pranimi i kandidatit ka qenë i kushtëzuar nga disa kushte paraprake. Komisioni rekomandon që qeveria të refuzojë të gjitha këto kushte paraprake në rast se vendos të pranojë këtë ofertë.
9. Siç kërkohet nga paragrafi 2 (c) i kapitullit III i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, anëtarët e Konsorciumit kanë paraqitur pasqyrat financiare të konsoliduara të Brightoil për vitet 2009, 2010 dhe gjithashtu pasqyrat e konsoliduara të pozicionit financiar deri më 30 qershor 2011.
10. Në përputhje me dokumentet e tenderit, siç kërkohet në paragrafin 2(f) për të provuar se kandidati nuk është në likuidim, kandidati ka paraqitur:
a) Certifikatë themelimi të lëshuar nga regjistruesi i çështjeve të shoqërive të ishujve të Virxhinias Britanike, të datës 10 mars 2009, për personin juridik Win Business Energy (Aust.) Ltd.; dhe
b) Certifikatë të përputhshmërisë nga Ministria e Zhvillimit dhe Turizimit të Bermudës, është paraqitur për Brightoil Petroleum (Holdings) Limited, në datën 28 maj 2012, duke certifikuar se shoqëria është themeluar sipas ligjeve të Bermudës dhe se është në gjendje të mirë.
11. Kandidati ka paraqitur shumën në euro të çmimit total që ofron për blerjen e aksioneve, i cili është 297,600,000.00 euro, dhe përfshin tarifën e konsulentit dhe të gjitha taksat dhe tatimet e tjera, siç parashikohet nga dokumentet e tenderit.
12. Për sa i përket deklaratës së aftësisë financiare, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit, kandidati ka paraqitur një njoftim shtypi, të datës 7 janar, 2011, ku përshkruhet se si Brightoil ka hyrë në një marrëveshje bashkëpunimi strategjik për shumën 4 bilionë USD me Bankën Kineze të Zhvillimit për një periudhë 5-vjeçare, që fillon nga janari 2011, për mbështetjen financiare të operacioneve të Brightoil. Ky dokument paraqitet për të provuar aftësitë e shoqërisë për të përmbushur kërkesat financiare të planit të biznesit dhe të ofertës.
13. Në lidhje me garancinë e ofertës, të kërkuar në paragrafin 4 të kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur një kopje të një transferte SWIFT në favor të qeverisë së Shqipërisë, në shumën prej 35 milionë eurosh. Komisioni i ka kërkuar kandidatit sqarime në lidhje me garancinë e tij, kandidati nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme, duke kërkuar që vlerësimi i ofertës së tij të kryhej në bazë të dokumenteve të sjella deri në atë moment.
14. Kandidati ka paraqitur biznesplanin e tij për vitet 2012-2017.
Vlerësimi përshkrues i ofertës teknike
Kredencialet: Kandidati është kryesisht i angazhuar në biznesin e furnizimit global me lëndë djegëse të flotave detare, me terminalet dhe depozitat e lëndëve djegëse dhe me transportin detar të lëndëve djegëse. Ai gjithashtu angazhohet në tregtinë e naftës. Aktualisht aktivitetet e tij janë të përqendruara në prodhimin e gazit, aktivitet në të cilin merr pjesë me anë të joint venture për prodhimin e gazit në rajonin Xinjiang të Kinës. Kandidati deklaron se është duke u interesuar në blerjen e aseteve domethënëse të naftës dhe/ose të gazit.
Strategjia: Vizioni strategjik i kandidatit, përfshin qëllimet e tij për të zhvilluar aktivitetet e “Albpetrol”-it si një shoqëri e drejtuar në mënyrë efikase, duke rritur biznesin e saj në mënyrë të përshtatshme dhe duke investuar në zona të cilat do të japin burime të pranueshme të ardhurash.
Plani i biznesit: Kandidati radhit aktivitetet e mëposhtme në biznesplanin e tij:
– Studim i detajuar i fushës së Amonicës me qëllim identifikimin e mënyrave për të rritur prodhimin. Studimi do të fokusohet fillimisht në rrjetin e tubacioneve për të vërtetuar nëse rëniet e prodhimit janë pasojë e kufizimeve mekanike në rrjetin e tubacioneve. Studimi gjithashtu do të vlerësojë të gjitha puset aktive dhe pasive për të pikasur puset të cilat kanë nevojë për punime dhe kandidatët për rishpim. Kandidati beson se rënia e prodhimit mund të kthehet në rritje të prodhimit.
– Fushat e gazit do të vlerësohen në mënyrë joprioritare. Kandidati deklaron se zhvillimi i mëtejshëm i fushave të gazit është i lidhur ngushtë me planet e ndërtimit të linjave të transmetimit të gazit në shkallë të gjerë në të gjithë Shqipërinë.
– Kandidati do të monitorojë nga afër respektimin e marrëveshjeve hidrokarbure nga ana e kontraktorëve për të garantuar se kontraktorët janë duke zbatuar planet e punës dhe buxhetet në mënyrë të tillë që të maksimizojnë të ardhurat e “Albpetrol”-it.
– Kandidati deklaron qëllimin e tij për të lidhur menjëherë licencë marrëveshjeje për një pjesë të mirë të 14 blloqeve të reja nën kontrollin e “Albpetrol”-it.
– Kandidati merr përsipër të angazhohet në studime gjeologjike të blloqeve të listës C të “Albpetrol”-it (blloqet 1, 4, 5, 6, 7, 8 dhe C) për të vlerësuar mundësitë e rritjes së prodhimit dhe rezervave. Këto studime do të përfshijnë të dhëna sizmike të reja dhe përpunimin e të dhënave sizmike ekzistuese.
– Kandidati ka ndërmend të punojë ngushtësisht me ofruesit e shërbimeve të naftës Servcom dhe Transnafta, për të identifikuar mundësitë e përmirësimit të pajisjeve ekzistuese dhe investimin në pajisje të reja. Qëllimi strategjik është zhvillimi në bazë rajonale të ofruesve të shërbimeve.
Ambienti: Kandidati deklaron se do të vazhdojë programin e investimeve përmirësuese në lidhje me rrjedhjet dhe pastrimin në terren, kur dëmtimet janë të dukshme. Gjithashtu, do të fillojë gjatë vitit të parë një studim për të vlerësuar integritetin dhe përshtatshmërinë e të gjithë rrjetit të tubacioneve. Qëllimi është vlerësimi i rreziqeve të prodhimit si pasojë e mangësive mekanike dhe identifikimi i mundësive të zbatimit të praktikës de-bottlenecking (optimizimi i infrastrukturës ekzistuese). Mundësitë për riaktivizimin ose zëvendësimin e segmenteve të tubacioneve do të specifikohen.
Efikasiteti: Kandidati nuk ka përfshirë informacione të detajuara shtesë në lidhje me këtë argument.
Shëndeti dhe siguria: Kandidati nuk ka përfshirë informacione të detajuara shtesë në lidhje me këtë argument.
Përmirësime në administrim: Kandidati nuk ka përfshirë informacione të detajuara shtesë në lidhje me këtë argument.
Shpenzimet kapitale: Kandidati zotohet të shpenzojë 248 milionë euro në investime kapitale brenda 5 viteve. Nga këto 8.4 milionë euro janë parashikuar për kërkimin. Buxheti për pajisjet dhe tubacionet është 10.8 milionë euro. Investimet e ambientit do të jenë 4.8 milionë euro. 193.61 milionë euro janë caktuar për zhvillimin, shpimet dhe punimet e puseve. Kostot operative janë parashikuar në masën 30.39 milionë euro.
Burimet njerëzore: Kandidati deklaron se stafi i “Albpetrol”-it do të mbahet për të paktën një vit, përgjatë të cilit kandidati do të kryejë një rishikim të biznesit dhe të stafit. Si rrjedhojë, kandidati mund të bëjë rregullime të nivelit të stafit në përputhje me kërkesat e biznesit dhe të efikasitetit.
Trajnimi: Kandidati nuk ka përfshirë ndonjë informacion në lidhje me këtë argument.
Përfundim
Brightoil ka përmbushur pjesën më të madhe të kritereve të kualifikimit dhe i ka trajtuar të gjitha çështjet operative dhe të biznesit, të kërkuara në ofertën e paraqitur prej tij. Pikët teknike të ofertës janë 18.18 dhe jepen në faqen vijuese. Pikët financiare të ofertës janë 26.21 nga një total i mundshëm prej 75 pikësh. Pikëzimi përfundimtar, bazuar në kriteret e ofertës të Brightoil, është 44.39. Megjithëse buxheti i planbiznesit të Vetro-s është disi më i vogël se ai i Brightoil, planbiznesi i Vetro-s është më gjithëpërfshirës dhe i sofistikuar, duke merituar një pikëzim më të lartë sesa buxheti më i madh, i paraqitur nga Brightoil në planbiznesin e tij më pak të zgjeruar. Për këtë arsye, Vetro mori pikëzim teknik më të lartë sesa Brighoil në lidhje me planbiznesin.
Duke pasur parasysh ofertën më të lartë të Konsorciumit Vetro, dhe çështjet e mbetura pezull në lidhje me ofertën e Brightoil, Komisioni rekomandon që Brightoil Petroleum/Win Business Energy (Aust.) Ltd. të mbahet rezervë në pritje të negociatave me Konsorciumin Vetro.
KANDIDATI 4
Bankers Petroleum Ltd. (“Bankers” ose “kandidati”)
Shoqëria kanadeze Bankers Petroleum Ltd.,. në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, kapitulli II, paragrafi 2, ka paraqitur dokumentet e mëposhtme për kriteret e kualifikimit:
1. Kopje të certifikatës së regjistrimit në regjistrin tregtar të shoqërive, ose një dokument të barasvlershëm të lëshuar nga autoritetet e vendeve përkatëse të kandidatëve, janë paraqitur nga Bankers. Përkatësisht, ka paraqitur një certifikatë të gjendjes së mirë të lëshuar nga Shërbimet e Regjistrimit të British Columbia, të datës 4 shtator 2012, një certifikatë statusi që provon se Bankers është regjistruar në Regjistrin e Shoqërive të British Columbia në 10 dhjetor 2008, dhe një certifikatë bashkimi, e cila dëshmon se Bankers Petroleum Ltd., shoqëria nr. CO698385 dhe Sherwood International Petroleum Ltd., shoqëria nr. CO833719, janë shkrirë nën emrin Bankers Petroleum Ltd. në 1 shtator 2008. Shoqëria paraqiti, gjithashtu, një njoftim të statutit nga departamenti i financës të British Columbia, që certifikon se Bankers Petroleum Ltd. është njohur sipas ligjit të British Columbia me nr. Shoqërie CO698385 në datën 1 shtator 2008.
2. Dokumenti i kërkuar i Standardit të Certifikimit ISO 9000 (certifikatë nr. 14353), nuk është paraqitur nga Bankers. Ne e kërkuam këtë certifikatë dhe u njoftuam së fundmi se Bankers nuk ka një vlerësim të pavarur të përputhshmërisë me standardet e ISO 9000; për këtë arsye asnjë certifikatë e tillë nuk do të paraqitet. Megjithatë kandidati deklaroi se sistemi i tij i menaxhimit është në përputhje me principet dhe standardet e ISO 9000.
3. Kërkesa ndaj kandidatit, që të jetë një shoqëri e specializuar në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit, dhe të ketë ushtruar veprimtarinë në këtë fushë në nivel ndërkombëtar për jo më pak se 5 (pesë) vjet, është plotësuar nga Bankers me anë të sqarimit të aktivitetit ekzistues të zhvilluar prej shoqërisë në Shqipëri.
4. Në lidhje me kriterin e kërkuar për të pasur një kapital tërësisht të paguar në shumën 80 milionë euro, si dhe vlerën neto ose vlerën neto të konsoliduar të aseteve prej të paktën 100 milionë eurosh, kandidati ka paraqitur këto dokumente:
a) Në përputhje me pasqyrat financiare të konsoliduara të përgatitura nga KPMG-ja, të përfshira në raportet vjetore të Bankers, deri në 31 dhjetor 2011, Bankers ka një kapital të paguar prej USD $318,021,000 (€250 milionë), që e plotëson dhe e tejkalon kërkesën e tenderit të kapitalit të paguar prej të paktën 80 milionë eurosh. Pasqyrat financiare të konsoliduara deri në 30 qershor 2012, pasqyrojnë një kapital të paguar prej USD $332,450,000 (€262 milionë);
b) Në përputhje me raportet e përmendura më sipër, vlera e audituar e aseteve neto të konsoliduara të Bankers-it, deri në 31 dhjetor 2011 është USD $661,216,000 (€521 milionë), që i tejkalon sërish kërkesën e tenderit prej 100 milionë eurosh. Pasqyrat financiare të konsoliduara deri në 30 qershor 2012, pasqyrojnë asetet me vlerë neto prej USD $770,829,000 (€607 milionë); dhe
c) Për më tepër, në propozimin e ofertës së tij, Bankers deklaron se ka një kapital tërësisht të paguar në masën më të madhe se 260 milionë euro, e cila e tejkalon kërkesën prej 80 milionë eurosh kapitali të paguar, dhe vlera neto e aseteve më shumë se 610 milionë euro, e cila sërish e tejkalon kërkesën e tenderit prej 100 milionë eurosh.
5. Në përputhje me paragrafin 2.2 të kapitullit II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur një vendim të Këshillit të administrimit duke autorizuar presidentin dhe drejtorin ekzekutiv z. Abdel Badwi, dhe zëvendëspresidentin ekzekutiv të financës dhe drejtorin ekzekutiv të financës z. Douglas Urch, dhe zëvendëspresidentin ekzekutiv dhe drejtorin operativ z. Suneel Gupta, të zbatojnë ofertën e paraqitur nga Bankers. Kushdo nga dy zyrtarët e shoqërisë janë të autorizuar të negociojnë dhe të zbatojnë kontratën e shitjes së aksioneve.
Dokumentet e tenderit
6. Në lidhje me pranimin nga kandidati të dokumenteve të tenderit, ashtu siç kërkohet në paragrafin 3.1 (a) dhe (b), kapitulli III i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka pranuar në letrën e tij të prezantimit të ofertës në 7 shtator 2012:
a) termat dhe kushtet e vendosur në dokumentet e tenderit;
b) detyrimet që rrjedhin nga fitimi i tenderit.
Koment: Megjithatë pranimi i kandidatit ka qenë i kushtëzuar nga shtatë “supozime”, sipas të cilave rezervon të drejtën për të ndryshuar ofertën e tij financiare. Komisioni rekomandon që qeveria të refuzojë të gjitha këto “supozime” ose kushtet e tyre të nënkuptuara, në rast se qeveria vendos të pranojë këtë ofertë.
7. Siç kërkohet nga paragrafi 2 (c) i kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, Bankers ka paraqitur pasqyrat financiare të audituara të konsoliduara për vitet 2008,2009, 2010 dhe gjithashtu për vitin 2011.
8. Në përputhje me dokumentet e tenderit, siç kërkohet në paragrafin 2 (f) për të provuar se kandidati nuk është në likuidim, kandidati ka paraqitur një certifikatë të nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i Financës z. Douglas Urch, në datën 6 shtator 2012 në Calgary, Kanada, e cila dëshmon se shoqëria nuk është në likuidim dhe nuk është subjekt i ndonjë pretendimi material nga kreditorët.
9. Kandidati ka paraqitur shumën në euro të çmimit total që ofron për blerjen e aksioneve, në shumën prej 106,600,000.00 eurosh.
10. Për sa i përket deklaratës së aftësisë financiare, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit, kandidati ka paraqitur një letër nga Cannacord Genuity Corporation, nënshkruar nga z. Bruce McDonald, presidenti global i energjisë, të datës 6 shtator 2012, që dëshmon aftësitë financiare të Bankers për të financuar çmimin e blerjes dhe biznesplanin e propozuar, dhe një letër nga Morgan Stanley & Co. LLC, New York, USA, në datën 5 shtator 2012, nënshkruar nga Aaron Pappas, drejtor ekzekutiv, me anë të të cilit tregohet vullneti i Morgan Stanely dhe investitorëve të tjerë, të mbështesin financimin për blerjen e aksioneve të “Albpetrol” sh.a. Vërejmë se letrat nuk përbëjnë një detyrim financiar kundrejt kandidatit, por i plotësojnë kriteret e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107.
11. Në lidhje me garancinë e ofertës, të kërkuar në paragrafin 4 të kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur një garanci bankare, lëshuar nga Raiffeisen Bank, në datën 7 shtator 2012 në shumën prej 10.6 milionë eurosh, që përbën 10% të ofertës totale të kandidatit.
12. Kandidati ka paraqitur biznesplanin e tij, por ai nuk ishte i parashikuar për vitet 2012-2017, siç kërkohet nga paragrafi 3 i kapitullit III të të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107.
Vlerësimi përshkrues i ofertës teknike
Kredencialet: Kandidati është krijuar në vitin 2004, me qëllimin specifik të zhvillimit të aseteve të naftës dhe të gazit nën operimin e mëparshëm të “Albpetrol”-it. Mandati i tij ishte rritja e vlerës së këtyre aseteve me qëllim krijimin e vlerave afatgjata për kandidatin, qeverinë dhe Shqipërinë në përgjithësi. Investimi total që nga themelimi ka qenë 800 milionë euro. Prodhimi në fushën e Patos-Marinzës, të operuar nga Bankers në përputhje me licencën është rritur nga 3,500 fuçi në ditë në vitin 2006, në 15,500 fuçi në ditë aktualisht. Kandidati ka zbatuar me sukses strategjinë EOR, si për shembull shpimet horizontale. Në vitin 2012 Bankers do të shpojë 110 puse të reja horizontale. Kandidati hyn në marrëdhënie me ofrues ndërkombëtar shërbimesh cilësore për të futur teknikat EOR në operacionet e tij në Shqipëri. Përveç rritjes së prodhimit, aktiviteti i kandidatit ka sjellë rritjen e rezervave të provuara dhe të mundshme në masën 2 ½ që nga viti 2006 në Shqipëri.
Strategjia: Qëllimet e kandidatit janë të integrojë “Albpetrol”-in në një program pune dhe buxheti të ngjashëm me atë të zbatuar deri tani në fushat që aktualisht i janë dhënë kandidatit me licencë. Objektivi është konsolidimi dhe zgjerimi i aseteve hidrokarbure të Shqipërisë në mënyrë që Shqipëria të jetë prodhuesi më domethënës i naftës dhe gazit në Ballkan. Kandidati i referohet potencialit të rezervave të Patos-Marinzës, përkatësisht rezervave aktualisht të identifikuara dhe rezervave të pazbuluara, si baza e sinergjisë midis kandidatit dhe “Albpetrol”-it, fakt ky që do të sjellë si rrjedhojë suksesin strategjik. Kandidati shpreh një vizion afatgjatë jo vetëm për zmadhimin e tregut shqiptar, por edhe të atij ndërkombëtar, duke përfshirë eksportimin në Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë.
Plani i biznesit: Përbërësit kyçë të planit të biznesit të kandidatit janë si më poshtë:
– Kandidati do të sjellë në vend shoqëri ndërkombëtare, si partnerë dhe si kontraktorë, me qëllim zgjerimin e ekspertizës, rritjes së aksesit në kapitale dhe zbatimit të teknikave më të reja EOR. Marrëveshje bashkëpunimi teknik me palë të treta do të përfshijnë pa u kufizuar, shërbime në fushat e naftës dhe furnizim, ndërtim dhe dizenjim të strukturave, ndërtim dhe operim të tubacioneve të naftës dhe të gazit dhe transmetim dhe shpërndarje të naftës dhe të gazit.
– Bazuar në operacionet e tij në Shqipëri, Kandidati ka një njohuri unike në lidhje me riaktivizimin e puseve. Njohuritë e fituara në fushat e licencuara të saj do të përdoren në operacionet e reja, mbas blerjes. Kandidati do të vlerësojë në mënyrë të detajuar puset e çdo fushe për të përcaktuar strategjinë për secilën fushë. Informacionet gjeologjike do të përfshijnë ato të përftuara nga “Albpetrol”-i, si dhe studime të pavarura. Këto të dhëna do të përfshihen në një format modern data-base. Një vlerësim i ngjashëm do të kryhet për tubacionet, depozitat dhe linjat e transportit. Këto studime dhe të tjera të këtij lloji do të japin informacion në lidhje me zbatimin e metodave bottlenecks, identifikimin e kandidatëve më të mirë të riaktivizimit dhe përdorimit të përshtatshëm të teknikave EOR gjatë riaktivizimit.
– Rigjenerimi i rezervave. Mbas përfundimit të studimeve të detajuara gjeologjike, kandidati do të zbatojë një program të nxjerrjes së rezervave që përfshin ristrukturimin dhe modernizimin e puseve aktive dhe pasive, modernizimin e pompave, modernizimin dhe optimizimin e stacioneve mbledhëse, modernizimin e faciliteteve të trajtimit të fushave dhe ndërtimin e tubacioneve. Kandidati gjithashtu do të studiojë dhe vlerësojë efikasitetin e teknikave të rrjedhjes së ujit.
– Kandidati do të vlerësojë të gjitha infrastrukturat me prioritet ristrukturimin dhe rivënien në shërbim të tubacioneve ekzistuese, faciliteteve të trajtimit dhe stacioneve të pompimit. Megjithatë në shumë raste, do të jetë më efikase për kostot, zëvendësimi i infrastrukturës së vjetër me infrastrukturë të re. Kandidati përfshin këto ndërtime të reja në planbiznesin e tij.
– Kandidati deklaron se plani afatgjatë që ai do të zbatojë për “Albpetrol”-in do të jetë një shtojcë e planit të punës të parashikuar nga kandidati për dy asetet e mëdha të operuara prej tij, Patos-Marinza dhe Kuçova.
Ambienti: Kandidati deklaron se sfida e mjedisit konsiston në kostot masive të kërkuara për pastrimin e tij. Kandidati angazhohet të shpenzojë 10 milionë euro, gjatë vitit të parë mbas përfundimit të transaksionit, për të kryer një vlerësim të plotë të dëmeve ambientale të trashëguara. Kjo do të sjellë më pas një periudhë pastrimi 20-vjeçare që vlerësohet të ketë një kosto prej 160 milionë eurosh. Por këto kosto nuk do të përballohen nga kandidati. Ato përfshihen si një nga përbërësit e ofertës së blerjes. Për këtë arsye shpenzimet e kandidatit për ambientin janë të kufizuara në shumën 10 milionë euro.
Efikasiteti: Nuk ka informacion tjetër të paraqitur përveç atij që përmbahet në planin e biznesit.
Shëndeti dhe siguria: Kandidati flet vetëm për trazirat sociale dhe vandalizmin në pjesën e shëndetit dhe sigurisë. I vetmi propozim ka të bëjë me sigurinë.
Përmirësime në administrim: Nuk ka informacion tjetër të paraqitur përveç atij që përmbahet në planin e biznesit.
Shpenzimet kapitale: Me përjashtim të shumave 4 deri në 5 milionë euro që do të investohen për nxitjen e prodhimit në fushën e Amonicës, dhe 10 milionë euro për studimin mjedisor, kandidati nuk ka parashikuar një buxhet CAPEX. Shumë nga aktivitetet e përfshira në planin e biznesit, programin e ambientit dhe programet e lidhura me HR janë zërat e ofertës së kandidatit, dhe jo shpenzime kapitale CAPEX të kandidatit. Për shembull të përfshira si zëra të ofertës sipër shifrës së ofertës së blerjes prej 106.6 milionë eurosh, gjenden 26 milionë euro për fuqinë punëtore dhe programin social, 11.2 milionë euro për planin e biznesit dhe 160 milionë euro për programin e ambientit. Këto janë zëra të ofertës dhe jo zëra të buxhetit CAPEX për këtë arsye nuk janë pjesë e shpenzimeve kapitale.
Burimet njerëzore: Kandidati parashikon se racionalizimi i fuqisë punëtore të “Albpetrol”-it do të kërkojë zvogëlimin e fuqisë punëtore mbas blerjes dhe se kostot për këtë do të jenë 5 milionë euro. Kandidati i përfshin këto kosto si një përbërës të nivelit të ofertës, më shumë sesa si një shpenzim. Në mënyrë të ngjashme kandidati angazhohet për të zbatuar një program zhvillimi të mirëqenies sociale në harkun kohor prej 20 vitesh, por sërish shuma e vlerësuar prej 20 milionë
eurosh, e lidhur me zbatimin e këtij programi, del si pjesë përbërëse e ofertës së kandidatit, dhe jo si një nga zërat e shpenzimit të buxhetit.
Trajnimi: Nuk jepet asnjë informacion në lidhje me këtë argument.
Përfundim
Bankers ka përmbushur kriteret e kualifikimit dhe i ka trajtuar të gjitha çështjet operative dhe të biznesit të kërkuara në ofertën e propozuar prej tij. Pikët teknike të ofertës janë 21.48 nga një maksimum prej 25 pikësh, siç jepet në faqen në vijim. Oferta financiare ka marrë 9.35 pikë nga 75 pikët e mundshme. Pikëzimi final, bazuar në kriteret e ofertës së Bankers është 30.83.
Duke pasur parasysh ofertën më të madhe të Konsorciumit Vetro, Komisioni i rekomandon qeverisë të mbajë kandidatin Bankers Petroleum Ltd. si rezervë në pritje të negociatave me Konsorciumin Vetro.
KANDIDATI 5 – JSC GazProm Neft (“Gazprom” ose “kandidati”)
Më pas vlerësojmë ofertën e paraqitur nga JSC GazProm Neft. Në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, kapitulli II paragrafi 2, dokumentet e paraqitura nga kandidati konsistojnë në një letër të shkurtër, pa dokumente mbështetëse apo informacione të tjera, pa një planbiznesi të detajuar, pa garanci të ofertës, pa pranimin e termave të ofertës, dhe me një ofertë financiare prej USD $ 52 milionë (jo euro), e cila ishte gjithashtu e kushtëzuar nga një numër kushtesh që nuk janë në objektin e të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107. Si rrjedhojë, dhe pas diskutimeve në takimin e datës 8 shtator 2012, Komisioni vendos të refuzojë këtë propozim pa ndonjë vlerësim të mëtejshëm, për shkak të mospërputhjes me një shumëllojshmëri kërkesash të dokumenteve të tenderit.
KANDIDATI 6 – Ecolog International FZE (“Ecolog” ose “kandidati”)
Së fundmi kemi vlerësuar ofertën e Ecolog International FZE. Në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107, kapitulli II paragrafi 2, dokumentet e paraqitura nga kandidati përbëhen nga një letër e shkurtër me informacione minimale mbështetëse, pa një planbiznes të detajuar, pa garanci oferte, pa pranimin e termave dhe kushteve të ofertës dhe pa ofertë financiare. Si rrjedhojë, dhe sipas bisedimeve të Komisionit në datën 8 shtator 2012, Komisioni vendos të refuzojë këtë propozim pa ndonjë vlerësim të mëtejshëm, për shkak të mospërputhjes me një shumëllojshmëri kërkesash të dokumenteve të tenderit.
PËRFUNDIM
Ky raport përmban vlerësimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për tri ofertat e “përputhura”, të marra nga Komisioni dhe një shpjegim të refuzimit të ofertuesve të tjerë. Si përfundim, Komisioni vendos të pranojë ofertën e Konsorciumit Vetro Energy PTE. Ltd., si ofertën me pikët më të larta, si rrjedhojë e meritës së ndërthurur teknike dhe financiare dhe i rekomandon Këshillit të Ministrave të shpallë si fitues të tenderit Konsorciumin Vetro Energy PTE. Ltd.
KRYETARI I KOMISIONIT TË VLERËSIMIT TË OFERTAVE
Sokol Dervishaj

energjia.al, 23.10.2012