Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgari / Presidenti: Jo negociata për Belene, pa rezultatet e referendumit

Parlamenti bullgar nuk duhet të dalë me një vendim për të nisur negociatat me një investitor privat për projektin e braktisur të centralit bërthamor, Belene, përpara se fati i centralit të vendoset në një referendum, ka deklaruar Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev.
Plevneliev tha se ai ishte në favor të referendumit që do të zhvillohet në prill të 2013-s, në mënyrë të pavarur nga zgjedhjet e përgjithshme, që janë skeduluar për verën e vitit të ardhshëm.
“Ne kemi mbi 500 000 firma të vlefshme, që bëjnë thirrje për një votë mbarëkombëtare, prandaj ky referendum duhet të zhvillohet. Përndryshe ne do të dëmtojmë demokracinë”, tha Presidenti, që është nga partia qeverisëse e qendrës së djathtë GERB.
Në momentin kur pritet të zhvillohet referendumi, Parlamenti nuk duhet të fillojë negociatat me fondin e investimeve që është shfaqur së fundmi, theksoi Plevneliev, duke shtuar se fondi nuk ishte një investitor strategjik.
Pak ditë më parë, kompania amerikane, që është regjistruar në Bullgari së fundmi, “Global Power Consortium”, shprehu interesin për të marrë përsipër projektin për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë prej 1,000 megavat në qytetin e Belene pranë lumit Danub, pa fonde nga shteti apo garanci.
Kompanitë që qëndrojnë pas këtij konsorciumi nuk janë ende të njohura.
Konsorciumi bën bashkë fondin amerikan të investimeve “Quantum Group”, dy investitorë të mëdhenj strategjikë, një bankë të madhe dhe një operator, sipas Bogomil Manchev, zotërues i “Risk Engineering”, që është konsulente për investitorin amerikan të projektit.
Qeveria bullgare hoqi dorë nga projekti i “Belene NPP” në fillim të vitit 2012, duke deklaruar se ai është ekonomikisht pa përfitime. Partia Socialiste, që është pro projektit Belene, nisi një peticion për një referendum lidhur me fatin e projektit.
Pas inspektimit të peticionit, rezultoi se ai kishte marrë 543 639 firmat të vlefshme, duke e bërë atë të vlefshëm.
Sipas legjislacionit bullgar, Parlamenti i Bullgarisë ka për detyrë që të thërrasë një referendum, në rast se një peticion mbështetet nga më pak se 500,000 firma të vlefshme.
Sipas Lilyana Pavlova, ministre e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike, që komentoi rezultatet, një total prej 173 382 firmash ishin të pavlefshme, pasi 137 000 firma kishin të dhënat e gabuara, përfshirë numrin e identifikimit civil (EGN) dhe emrat, 28 000 firma ishin hedhur dy apo tri herë, mbi 2200 ishin të vogla, mbi 1300 firma ishin vënë nga të huajt dhe pothuajse 3000 firma ishin me emra të vdekurish.
Gjithsesi, numri i firmave të vlefshme ishte i mjaftueshëm për ta detyruar Parlamentin të thërrasë një referendum.
Parlamenti Bullgar ka të drejtë vetëm të ndryshojë formën e pyetjeve, por pa i ndryshuar kuptimin.
Deri në fund të tetorit, peticioni duhet të rishikohet nga komiteti parlamentar dhe një sesion parlamentar duhet të marrë vendimin për votimin.
Pasi Parlamenti të marrë vendimin, Presidenti duhet të caktojë një datë për referendumin.

Revista Monitor, 21.10.2012