Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Kontrata për shitjen e Distribucionit nënshkruhet të enjten

Shteti më nuk do të ketë në pronësi rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas dështimit të mocionit për ndalimin e privatizimit në Kuvendin e Kosovës, Qeveria pritet të nënshkruajë kontratën me konsorciumin “Limak & Çalik” për shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit për vetëm 26.3 milionë euro. Kontrata pritet të nënshkruhet të enjten, më 18 tetor, vetëm një ditë para afatit të fundit për nënshkrimin e kontratës.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht datën e nënshkrimit të kontratës. Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se gjithçka po ecën sipas agjendës, ndërsa kontrata pritet të nënshkruhet brenda afatit të paraparë, duke mos e cekur datën e nënshkrimit.
Të njëjtat burime i kanë thënë gazetës se Qeveria e Kosovës do të nënshkruajë kontratën vetëm një ditë para përfundimit të afatit të fundit, pra do të jetë ditën e enjte, më 18 tetor.
Ai ka thënë se me kontratë është caktuar se konsorciumi fitues brenda një periudhe prej 10 vjetëve do të investojë në rrjetin e energjisë elektrike një shumë prej 300 milionë eurosh.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka sqaruar se “Asetet 110 kv nuk i kemi privatizuar, por i kemi lënë në pronësi të shtetit – KOSTT”.
Kujtojmë se javën e kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës nuk është votuar një mocion i propozuar nga lëvizja “Vetëvendosje” për ndaljen e procesit të privatizimit.
Me 53 vota kundër, 9 abstenime dhe vetëm 45 vota pro, deputetët kanë kundërshtuar miratimin e mocionit, duke i dhënë mundësinë vazhdimit të procesit të privatizimit në formën e deritashme.
Shitja e Distribucionit shpërndarës të rrymës në vlerën prej 26.3 milionë eurove, rezulton të jetë bërë pa ndonjë analizë të mirëfilltë të vlerës së ndërmarrjes, ngase sasia e parave të shpenzuara vetëm në pesë vjetët e fundit në mirëmbajtjen, forcimin dhe zgjerimin e këtij rrjeti del të jetë trefish më e lartë se shuma e përgjithshme e shitjes. Nuk ka asnjë logjikë ekonomike që shitja e një biznesi të jetë në shumën më të ulët sesa investimi paraprak në të”, u pohua me këtë rast. Në tërësi që nga viti 1999 në këtë rrjet del të jenë investuar rreth 200 milionë euro.
“Sipas zyrtarëve të KEK-ut, nga viti 1999 e deri më 2011 në rrjetin e energjisë janë investuar 180 milionë euro, por kjo shifër mund të jetë shumëfish më e madhe”, thuhet në këtë raportin e GAP-it, i cili është publikuar vetëm disa ditë para se të diskutohej për privatizim të rrjetit të shpërndarjes së energjisë në Kuvendin e Kosovës.

Gazeta Koha Ditore, 15.10.2012