Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria autorizon KESH-in të marrë kredi 40 milionë euro për importin e energjisë

Këshilli i Ministrave autorizoi dje, KESH-in të marrë kredi 40 milionë euro, për importin e energjisë dhe për të blerë energjinë që prodhojnë hidrocentralet e reja në vend. Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Qeveria autorizon sipërmarrjen e KESH-it të marrë kredi prej 40 milionë eurosh, për dy qëllime kryesore. Qëllimi i parë që të bëjë import të energjisë, pasi këtë detyrim ligjor kontraktual kompania CEZ nuk e ka përmbushur. Në këto kushte, për të përballuar situatën e krijuar nga mospërmbushja  e këtij detyrimi shumë të rëndësishëm, autoritetet shqiptare duhet të autorizojnë KESH-in për të importuar energji dhe, natyrisht, të garantojnë edhe shumën e domosdoshme për importin e saj. Ne jemi të përcaktuar që, për sa kohë të ketë energji të treg, shqiptarët nuk do të mbeten pa energji. Ky është përcaktimi ynë. Një pjesë të kësaj kredie, KESH është i autorizuar ta përdorë për të blerë energjinë që prodhojnë hidrocentralet e reja, të cilat kanë bërë investimin dhe tani janë shndërruar në një burim të rëndësishëm furnizimi me energji të vendi. Një burim gjithnjë në rritje, KESH-i do të shlyejë detyrimet që ka ndaj këtyre kompanive”.

VENDIM
PËR MIRATIMIN E GARANCISË QEVERITARE, QË LËSHOHET NË FAVOR TË RAIFFEISEN BANK, SH.A., ALBANIA, DHE INTESA SANPAOLO, SH.A., ALBANIA, NË KUADËR TË KONTRATAVE PËRKATËSE NDËRMJET KËTYRE BANKAVE DHE KESH, SH.A.-SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57, të ligjit nr.9936,  datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, të ndryshuar, dhe të nenit 3, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e garancisë qeveritare, që lëshohet në favor të Raiffeisen Bank, sh.a., Albania, në kuadër të kontratës së huasë ndërmjet kësaj banke dhe KESH, sh.a.-së, për shumën ekuivalente, në lekë, të shumës 40 (dyzet milionë) euro.
2. Miratimin e garancisë qeveritare, që lëshohet në favor të Intesa Sanpaolo, sh.a., Albania, në kuadër të kontratës së huasë ndërmjet kësaj banke dhe KESH sh.a.-së, për shumën 1 400 000 000 (një miliard e katërqind milionë) lekë.
3. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

energjia.al, 11.10.2012