Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

PRIVATIZIMI I ALBPETROL, MASKË PËR GRABITJEN E NËNTOKËS SHQIPTARE

Sa më pranë i afrohet fundit pseudoprocesi i privatizimit të “Albpetrol” sh.a., aq më shumë shtohet ndjesia për ta parë këtë pseudoproces që nga nisja e vet. Nga vështrimi kupton se një mendje djallëzore, me dorë mjeshtërore, ka thurur rrjetën e merimangës, ku po ngec një pasuri kolosale e nëntokës shqiptare. Është një skenar djallëzor, i thurur me mjeshtëri dhe i zbatuar hapi pas hapi me disiplinë të admirueshme. Veç mjeshtërisë duket se skenaristët dhe zbatuesit e skenarit nuk kanë nguruar të shkelin haptazi çdo ligj dhe çdo etikë profesionale, duke nëpërkëmbur e varrosur interesat e shqiptarëve sot dhe për brezat që vijnë. Ky pseudoproces nisi pa zhurmë e pa bujë me dërgimin në Parlament të projektligjit “Për Privatizimin e ‘Albpetrol’ sh.a”. Mbi këtë projektligj u debatua mjaft, për vetë faktin se në 95% të veprimtarisë së tij “Albpetrol”-i tashmë ishte i privatizuar, kështu që ky projektligj synonte privatizimin e një materieje fiktive(!). Është fakt i pranuar nga ish-drejtuesit e METE-s, se 95% e veprimtarisë të “Albpetrol”-it është e privatizuar nëpërmjet Marrëveshjeve Hidrokarbure. Por dhënia për zhvillim e shfrytëzim e vendburimeve të naftës dhe gazit ligjërisht është privatizim i kësaj veprimtarie, por me kushte specifike ku shteti ruan disa të drejta jetike për këtë sektor strategjik. Kjo është shprehur në nenin 3, të ligjit nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për Strategjinë e Privatizimit të Sektorëve me Rëndësi të Veçantë” (ligj në fuqi), ku thuhet: “Ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror që veprojnë në sektorët me rëndësi të veçantë të ekonomisë, janë të hapura për privatizim. Me privatizim kuptohet transferimi tërësisht ose pjesërisht te personi juridik ose fizik i së drejtës së pronësisë, të përdorimit dhe të zhvillimit”. Marrëveshjet hidrokarbure janë formë privatizimi, sipas ligjit të sipërpërmendur, ku shteti iu ka dhënë subjekteve private pjesërisht të drejtën për përdorim dhe zhvillim, por jo të drejtën e pronësisë mbi rezervat e naftës. Kjo është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka manipulator apo falsifikator ligjesh që ta mohojë. Me të drejtë lind pyetja kush ishte subjekti i privatizimit për këtë projektligj? Deri në këtë fazë të debatit mbi projektligjin, dukej se qeveria do të privatizonte të drejtat dhe fitimin që ajo realizonte nga këto Marrëveshje Koncesionare, për 25 vitet e kohëzgjatjes së parashikuar në ligj dhe në këto marrëveshje. Ky veprim ishte një nonsens dhe në atë kohë z. Naço, ministër i METE-s, deklaroi se kjo bëhej ngaqë ministria kishte humbur kontrollin mbi zbatimin e marrëveshjeve hidrokarbure (!). Dhe ndodhi ajo që të gjithë e dimë, ky projektligj u shndërrua në ligj më datën 15 dhjetor 2011. Pas kësaj, qeveria hedh hapa të përshpejtuar, që “Albpetrol”-in inekzistent ta veshë me të drejta ekskluzive dhe me pasuri që jo vetëm nuk i takojnë “Albpetrol”-it, por as që mund t’i jepen një kompanie tregtare, pavarësisht statusit juridik e pronësor të saj. Këtu iu hoq peta lakrorit të qeverisë. Maskat ranë, balloja filloi të luhet pa maska dhe procesi i privatizimit të “Albpetrol”-it u shndërrua në një pseudoproces. Në tremujorin e katërt të vitit 2011 u iniciua ndryshim i Ligjit të Hidrokarbureve (ligji nr. 7746 datë 28.07.1993), duke kamufluar pajën e madhe që po i kalonte “Albpetrol”-it, kuptohet blerësit të ardhshëm të tij. Opinioni publik di tashmë, që falë këtyre ndryshimeve “Albpetrol”-i administron të ardhurat nga marrëveshjet hidrokarbure, që deri dje i merrte buxheti i shtetit dhe që janë disa dhjetëra milionë euro. Por jo vetëm kaq. “Albpetrol”-it të privatizuar i jepet “E drejta e ofertës së parë” për të pushtuar fusha hidrokarbure nga ish-marrëveshjet hidrokarbure të lidhura deri sot, pra asete kolosale që janë zhvilluar me burime financiare të të tjerëve (përfshi edhe burime të buxhetit të shtetit shqiptar). Si të mos mjaftonte e gjithë kjo masakër me pronat publike, qeveria u kujdes që Parlamenti të miratonte si aset të “Albpetrol”-it një Aneks C, ku nuk ishte shkruar asgjë. Ky falsifikim parlamentar, me të drejtë u konsiderua një “Çek i bardhë”, dhuratë për blerësin e mundshëm. Dita-ditës, çeku i bardhë filloi të mbushet me fusha perspektive nafte e gazi, ku flitet për rezerva nafte potenciale që shkojnë deri në miliarda barela naftë, pa folur për gazin shoqërues të naftës. Në këtë çek janë shkruar dhurata goxha të majme si dhënia e dy licencave për transportin e gazit në territorin e Shqipërisë, e drejta e vetme e ndërtimit të rrjetit për shpërndarjen e gazit në territorin e Shqipërisë, e drejta e ndërtimit të një rafinerie për përpunimin e naftës dhe kushedi çfarë tjetër do t’i dhurohet deri në momentin e mbylljes të këtij pseudoprocesi, sepse jashtë çdo ligji gjatë dhe pas shpalljes së fituesit, lista e dhuratave publike ende shtohet. Të gjitha sa numëruam nuk janë objekt i një procesi privatizimi. Këto të drejta dhe pasuri publike jepen rast pas rasti me ligje të tjera që janë në fuqi dhe asnjëherë si ekskluzivitet i një kompanie të vetme. Këtu kemi të bëjmë me nëpërkëmbje të ligjeve në fuqi, me dhënie peng të të drejtave dhe pasurive jo vetëm tonat, por edhe të brezave që vijnë. Këto të drejta dhe pasuri përfaqësojnë shuma qindra miliardëshë në euro. Më e keqja është se përmes këtij pseudoprocesi jepen edhe të drejta natyrore të lindura për shqiptarët dhe shtetin e tyre, siç është e drejta për të dhënë me koncesion pasuritë nëntokësore të naftës e të gazit, apo për të administruar të drejta që rrjedhin nga marrëveshje të tilla. Këto që numëruam kurrë nuk janë asetet kompanish, por pasuri të lindura dhe të patjetërsueshme për një popull. Dhe përballë këtyre vlerave është e kuptueshme se çmimi prej 850 milionë eurosh i ofruar nuk është një “bingo” e qeverisë dhe shqiptarëve, por e blerësit të mundshëm të “Albpetrol”-it. Duket se kemi të drejtë të themi se privatizimi i “Albpetrol” sh.a. është një pseudoproces dhe se përmes tij kamuflohet e maskohet grabitja e pasurive të shqiptarëve sot e në të ardhmen. Nuk është ende vonë për një reagim, ku duhet të përfshihemi të gjithë, por më së pari është detyrim kushtetues i deputetëve ta ndalojnë zhvillimin e këtij pseudo procesi. Mbase është e arsyeshme që specialistë me përvojë në fushën e legjislacionit, të privatizimit dhe të ekonomisë të shprehen hapur edhe nëse deri sot iu është dashur apo iu është imponuar të heshtin. Nesër do të jetë vonë. Pasardhësit tanë do të kenë një gur të rëndë në qafë, por vetëm do të psherëtijnë dhe do të na mallkojnë neve që sot po heshtim. Veprimi i forcave opozitare duhet të dalë mbi lartësinë e deklaratave politike dhe të shfrytëzojë çdo mundësi që jep legjislacioni ynë, duke bashkuar flamujt e tyre rreth interesave të rrezikuara të shqiptarëve. Mundësitë janë, të mos i shpërdorojmë ato. Pseudoprocesi ka ecur shumë, por gjithmonë ka zgjidhje. Të gjithëve na kujtohet se si u shpëtua territori i detit në Jug të vendit nga grabitja e përgatitur prej qeverisë sonë. Pra edhe betejat e vështira mund dhe duhet të fitohen.

PAJTIM BELLO – Gazeta Shqip, 02.10.2012