Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bode u jep austriakëve kontrollin e karburanteve

Koncesioni: Ministri i Financave shpall fituesin për monitorimin e cilësisë.
Pas më shumë se dy vitesh, Ministria e Financave finalizon në heshtje të plotë projektin më të madh në fushën e hidrokarbureve. Pas privatizimit të “Albpetrol”, dhënia me koncesion e kontrollit të cilësisë së karburanteve konsiderohet tjetër hap i qeverisë për të shitur të drejtat në këtë sektor.
Njoftimi për shpalljen e fituesit është bërë dje, nga ku Ministria e Financave, pas 6 muajsh negociata, vendos t’ia japë të drejtën bashkimit të kompanive, kryesuar nga austriakët e “Global Fluids Internatinal”. Bashkë me këtë kompani, janë dhe dy të tjera, “Petroleum Consulting Partners” dhe “Cotecna Inspections”, të specializuara në sektorin e kontrollit për cilësinë e karburanteve dhe markimit të tyre, d.m.th, shënjimit me bojë, për ta dalluar nga lëndët abuzuese.
Ofertat në tender ishin paraqitur më 14 maj, por në garë ishte vetëm një “zarf”, lëshuar nga tri shoqëritë e bashkuara, me synim “Për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë”.
Ministria e Financave thotë se, e drejta e dhënies me koncesion u dha pas ofertës prej 4 milionë dollarësh, të bërë nga kompanitë, e cila konsiston në realizimin e investimeve. Sakaq, nuk bëhet e ditur se ku do të jenë përfitimet konkrete të kompanisë dhe çfarë ndikimi do të kenë në koston finale të karburantit.
Tregu i naftës dhe benzinës në vend qarkullon vlera, në rreth 1 miliard dollarë në vit dhe ku të paktën 10 për qind e sasisë së karburanteve të hedhura në treg konsiderohen abuzuese për shkak të përzierjes.
Tashmë konsorciumi, i udhëhequr nga austriakët, janë ftuar nga ministri Ridvan Bode për të lidhur kontratën, me afat 10 vjet, ndërsa përfitimet llogariten se do të jenë të larta për shoqërinë koncesionare, e cila do të ketë për detyrë të kontrollojë cilësinë e naftës, detyrë kjo që kryhet aktualisht nga Inspektorati Qendror Teknik, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë.
Kompania austriake “Global Fluids International” përfitoi nga qeveria në gusht të vitit 2011 bonusin 6 për qind, për shkak të paraqitjes së pakërkuar të ofertës, duke i hapur rrugë të lirë shpalljes së fituesit, rreth një vit më parë.

Gazeta Shqip, 02.10.2012