Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Orët e tmerrit në flakë kur u dogj nafta e Cakranit

Ishte vetëm një gabim teknik. Nëse do të ishte evituar, i famshmi pus nafte i koduar nën siglën “Ca-12”, do të vazhdonte të prodhonte edhe sot karburant, gjë të cilën shqiptarët e vitit 2012 do ta përdornin pa kursim për të mbushur serbatorët e “X-5”-save. Por pusi shpërtheu dhe nafta shkoi dëm. Tanimë për të plotësuar nevojën e vendit duhet të eksportojmë nga OPEK-u. Inxhinieri Dhimitër Gjenerali, një nga më të njohurit e nëntokës shqiptare gjatë rrëfimit të tij për “Shekullin” flet për punën vetëmohuese të ekipeve naftëtare në një kohë presioni ku kërkohej që karburanti të buronte si ujët e detit, por dhe për dështimin më të madh të punës së tyre, pusin “Ca-12”:
Cila është historia e pusit Cakran-12, dhe i fontanës së tij shkatërruese?
“Në pusin – fontanë Ca-12 punonte si gjeolog kolegu dhe miku im mjaft i kualifikuar, z. Xhelal Shehu me të cilin takoheshim shpesh në pus po ashtu edhe në drejtorinë e Institutit ku mblidhej shpesh grupi i punës. Grupi i autoreve mblidhej dendur pasi pusi arriti projektin (rreth 3,000m) dhe nuk i kapi gëlqerorët; por kampionet e asaj thellësie me mikrofaunën e tyre, të përcaktuar nga specialistet e talentuara zj. Deko Shehu dhe zj. Liri Ylli, tregonin se fundi i pusit ndodhej rreth 100-150m më poshtë. U luftua shumë dhe grupi i autorëve u shtua me anëtarë të rinj, me sa kujtoj z. Petraq Xhaçka, z. Mihal Gjoka, zj. Deko Shehu, etj. Me në fund gëlqerorët u kapën me shtesën e projektit, por rrjedhje nafte nuk kishte, mbasi kondensati gati transparent avullonte shpejt. Siç më shpjegon miku im i vjetër Prof. Fatmir Shehu – specialist mjaft i përgatitur e në atë kohë përgjegjës i sektorit shkencor të Shpimit në Institutin Teknollogjik të Naftës – u debatua e u luftua shumë pasi z. Xhaçka nuk donte të ulej kolona e shfrytëzimi, por me provues shtrese të tentohej të merrej mostër lëngu, me arsyetimin se gëlqerorët e kapur ndodhen nën kontaktin naftë-ujë, etj. Mbasi u thye ky koncept i fundit dhe me këmbënguljen e kolegeve që vendosnin, e veçanërisht z. Luçi Pleqi që ishte kryeautor i projektit të pusit Ca-12 e në atë kohë drejtor i Institutit të Kërkimeve, u ul kolona e shfrytëzimit; por trungu anash saj u çimentua vetëm në 500m e fundit me parashikimin që pjesa tjetër të nxirrej në rast rezultati negativ. Fatkeqësisht më pas, gjatë një manovre lart (nxjerrja e tubave një nga një për t’i ulur përsëri mbasi të shtohej tubi i radhës) pusi vetëfontanoi sepse bashkë me tubat shkarkohej një pjesë e solucionit larës e rëndues. Fontanimi ndodhi në turnin e natës dhe në pus nuk kishte dezhurn nga autorët e as procedura veprimi të afishuara se si duhej vepruar në rast vetëardhje të solucionit që në fillim. Vetëfontanimi u mbyll por mbyllja rezistoi vetëm 50 orë dhe shpërtheu si një kuçedër duke i nxjerrë tubot e çelikta si makarona të përdredhura dhe nga fërkimi i tyre gjatë daljes mori zjarr. Sigurisht po të ishte e çimentuar kolona e shfrytëzimit (jo vetëm në 500m e fundit) por e gjitha nga fundi deri në grykë, kishte mundësi të evitohej fontana. Fontana e hapur e pusit Ca-12 e sidomos fontana e hapur në pusin e shpim-shfrytëzimit Cakran-37 që fontanoi gati një vit më vonë (rreth ’79-ës) dhe që ndodhej me në kulm të ngritjes karbonatike (ky pus i takoi gëlqeroret rreth 300m më cekët se Ca-12 pra në pjesën gati kulmore) – ishte një humbje e madhe ekonomike mbasi kondensati, që nga tavani i gëlqerorëve të vendburimit, ushqeu në pusin Ca-37 me shpejtësi ranoret – jo vetëm të flishit por edhe të akuitanianit – në formën e një konusi të përmbysur (me lartësi mbi 3,000m), në një sipërfaqe mjaft kilometra katrore ku “buronte” kondensati i pastër i naftës mëmë. Kujtoj, me ndihmën e z. Xhelal Shehu që ka qenë më afër puseve të Cakranit, për debitët e mëdha të prodhimit në ato pak puse që u arrit të shpoheshin e të viheshin në prodhim në Cakran, puset Ca-17, – 20, etj (rreth 5-6 puse). Prodhimi ditor i një pusi të komanduar me “duze” vërtitej rreth 100ton/ditë dhe presionet në gryke të pusit arrin rreth 250-300 atmosferë. Në provën që u bë, me urdhër nga lart, për prodhim të lirë pa duze në pusin Ca-17 vetëm për 24 orë, prodhimi u vërtit tek shumëfishi (mbi 500ton/ditë naftë-kondensat). Por presionet në grykë të puseve binin vazhdimisht shoqëruar me uljen me galop të debiteve prodhuese, pasi fontana e hapur në pusin Ca-37 vazhdonte dhe vetëndizej herë pas here për gati dy vjet aq sa vendburimi i “naftës së bukur” (kondensat – gati gazoil) pothuajse mbaroi nga vetëardhja. Puset e ndalën vetëardhjen, në ta u vunë “vulfet” e pompat e thellësisë, çka vazhdon dhe sot.
Po aksidente të tjera të këtij lloji keni pasur?
Fontana me shkatërruese ishte ajo e Ca-37, e cila ndodhi po natën ndërsa specialistet flinin disa km larg. Pra, projektimi i pusit Ca-12 u bë kryesisht mbi të dhënat gjeologjike si të sipërfaqes në antiklinalin e Cakranit dhe të dhënat mikrofaunistike të fundit të pusit Ca-16. Cakrani me akuitanianin në sipërfaqe që ka shkëputje tektonike në anën perëndimore të ngritjes dhe ngopje nafte në ranoret e sipërfaqes që kërkoheshin me puse ceket për marrje nafte. Mosnjohja nga ne specialistet të fenomeneve si: shkërmoqja e kampionit të parë të gëlqeroreve për diferencën e madhe të presioneve midis vendburimit me atmosferikun e sipërfaqes etj. Më vonë, në puset që arritën të japin naftë (kondesat) presionet në gryke të tyre arrinin deri në 400atm. Por fontana-kuçedër në pusin e shfrytëzimit Ca-37, ndodhi për mungesë edukate pune nga njerëzit tanë; meqë pusi ndaloi shpimin për arsye furnizimi me pajisje, brigada po flinte duke ndjekur shembullin e inxhinierëve dezhurn të cilët kishin shkuar në fjetoren-bazë. Kolegu i talentuar Prof. Fatmir Shehu më ka thënë me sinqeritet, se ne nuk ishim të përgatitur në atë kohë, nga ana teknike e teknologjike, për një vendburim aq të fuqishëm nafte-kondensati si “Ca-12” dhe do të ishte më mirë të mos ishte zbuluar atëherë sepse do ta kishim sot.
Nafta në detin Jon
Parashikimet e supozuara, konjukturale
Për sa i përket vlerësimit të pjesës detare, si në detin Adriatik dhe në detin Jon mund të parashikohet perspektiva naftëgazmbajtëse në bazë të profileve seismike të parë nën dritën e ndonjë shpimi të cekët (në detin Adriatik) dhe ndërtimit gjeologjik në brigjet kontinentale por rezervimi është më i madh se ai për pjesën tokësore ku punimet gjeologjike sipërfaqësore janë ribërë disa herë e mund të ribëhen në vazhdimësi nën dritën e puseve të shumtë të shpuar zakonisht 3.000-5.000m e me pak mbi 6.000m. Sidoqoftë deti Jon që diskutohet së fundi është edhe më i thellë (pjesa më e thellë arrin deri 4.000m). Në tokën tonë, në zonën Karaburun-Sazan arrin zona pri-Apuliane e Italisë me faqe shumë të zhvilluar gëlqeroresh të kurrizores nënujore. Deti Adriatik nuk ka cektësinë e detit Bering dhe detit të Veriut (mesatarisht rreth 50m) e as të gjirit të Meksikës ku studimet dhe shpimet kanë rezultuar të suksesshme. Në detin Jon në vazhdimin e linjës së antiklinalit të Sarandës, midis saj dhe antiklinalit të Qeparoit ndofta mund të pritet një ngritje antiklinale e mbuluar nga depozitimet flishore por jo me e madhe nga ajo e Qeparoit (ndofta sa Gorishti) dhe asgjë tjetër. Parashikimet e supozuara për detin Jon janë konjukturale. Për sa i përket detit Adriatik ku strukturat janë të ç’veshura në gëlqerorët dhe kërkohet nafta si në Dugi-Otok të Kroacisë në dolomitet midis kriperave, ky tip vendburimesh tek ne, me konkret e më i cekët është në tokë, si në depresionin e Tiranës (në zonën e puseve Tirana-1 e Tirana-2) në antiklinalin e Makareshit, të Lezhes, etj., dhe jo më thellë se 4,500m. Jam i sigurt se bashkatdhetarët e zgjuar shpejt a vonë do ta kërkojnë tipin e vendburimeve si të Dugi-Otokut Kroat ndofta pasi të kapin vendburimin e parë në tavanin e gëlqeroreve në veri të Shkumbinit (në Papër, Rovë, etj) dhe atëherë ish kapaciteti i rafinerisë ruse të Cërrikut do duket qesharak. E ardhmja, do t’i buzëqeshë naftës shqiptare.
“Grupi i naftës”
Gjyqi i fshehtë në ministrinë e Brendshme
Si çdo shtet dhe ai që jetonim kishte ligjet e veta që dënonte ashpër dëmtimet ekonomike e falsifikimet në raportimet lart të gjendjes reale. Në tërësi, rastet e serviries euforike për puset në shpim e kur pusi jepte të dhëna të cilat nuk përkonin me projektin, specialistet nuk e ndalnin shpimin, nën presionin e shefave specialiste që vazhdonin ngritjen në karrierë në mbështetje të biografisë së tyre politike. Shpresohej që diku gjetke do kishte rezultat pozitiv e do zbutej situata. Duke u bazuar në faktin që pas zbulimit të vendburimit të naftës në gëlqerorët e Guzisht të Vlorës, pak më në jug të minierës shekullore të bitumit të pastër e në një drejtim të ngritjes antiklinale të gëlqerorëve, prodhimi u rrit me shpejtësi. Optimizmi e kërkesat për atë tip vendburimi u shtuan. U shtua investimi, u përforcua studimi; u importua nga Gjermania qendra moderne kanadeze elektronike si dhe sonda shpimi me dalta diamanti industrial, etj. Me mendimin optimist të një pusi rezultativ në Finiq të Sarandës u mendua se u zbulua një territori ri, i madh nafte; u nxitua të përqendroheshin forcat, u çua aty ekspedita komplekse shqiptaro-kineze, etj dhe u kalua me shpime të disa puseve paralelisht, që nuk e justifikuan veten që në fillim. U ndodha aty si gjeolog pusi (në Vurkun 13) pasi nuk pranova kategorikisht postin e krye-gjeologut në atë ndërmarrje komplekse. Duke qenë se puset në gëlqerorët kapnin poshtë kapelës gazore naftë të trashë bituminoze, specialistet u tronditën; u tentua të kërkohej në zonën e Dropullit ku filloi punën një ekspeditë e përforcuar. Krahas punimeve u projektuan puse, u montua sonda e shpimit afër në Krine e Asim Zenelit në drejtim të Glinës pa pritur mbulimin me profile seismike aty. Nën tensionin në rritje u lëshuan mjaft urdhra komandimi. Në një situatë amullie me raportime të reja që përgjysmonin rezervat e naftës e gazit aktuale të Sarandës, udhëheqja u shqetësua për investimet e nxituara. U organizua një aktiv i madh për naftën në sallën e kinoteatrit të Fierit. Ne, një grup specialistesh diskutuam për korrigjimin e situatës duke folur për projektime të reja. Diskutimet e këtij aktivi u kërkuan në kryesinë e lartë të shtetit nga ku u lëshuan buletinet për punën armiqësore në nafte. Pas disa muajsh u cilësuan me emra nga lart, specialistet përgjegjës si sabotatore e armiq, të cilët u qarkulluan nga postet drejtuese dhe u çuan si specialistë të thjeshtë në ndërmarrje konform specialitetit të tyre. Por në pranverën e vitit 1975 (një vit pas aktivit të zgjeruar në kinoteatër), në një aktiv tjetër të mbyllur në sallën e pallatit të kulturës në Patos ku kishin ftuar të qarkulluarit si “armiq”, nën thirrjet “jashtë armiqtë” ata i nxorën nga porta e pasme, ku secilin në veçanti e arrestuan dhe e futën në gazet BÇ. Gjyqi u bë i mbyllur në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Shumë vonë mësuam për dëshmitë e 27 specialistëve në mbrojtje të akuzës. Shumë nga këta dëshmitare u arrestuan më vonë, jo vetëm një e nga një, por dhe në grupin e dytë “armiqësor”.
Zuberi, profesori i naftës Shqiptare
Dhimitër Gjenerali thotë se ka punuar me specialistët rusë, kinezë e shqiptarë: “E gjithë jeta e njeriut është shkollë në vazhdimësi. Me të huajt mëson edukatën e punës të vendeve më të zhvilluara dhe mjaft sekrete profesionale në fjalorin specifik të leksioneve të shkollimit. E ndjej sikur kam punuar jo vetëm me specialistët e mrekullueshëm ruse, por për çudi dhe me gjeologët e mëdhenj që kanë lënë gjurmë në gjeologjinë shqiptare si: Novaku, Karl e Otto Renci, sidomos prof. Stanislav Zuberi, z. Mishunina, etj.. Kjo sepse kur kam shkelur zonat e ndryshme (në bërjen e hartave gjeologjike) kam debatuar në heshtje me ta, kam “mësuar” por edhe kam bërë korrigjime të shumta në vizatimet e tyre, çka pa dyshim do ta bënin edhe ata po të shkelnin në detaje në fenomenet gjeologjike të vendit tim. Me konkreti nga ata që u morën me naftën qëndron pa mëdyshje prof. Zuberi. Në rezultatet e para gjeologët u tërhoqën nga daljet në sipërfaqe në Kuçovë e Patos (si dhe në bitumin e pashoq të Selenicës), ku nga puset që u shpuan u mor dhe merret akoma naftë e gaz, mbasi linzat e ranoreve janë mikro -vendburime që kanë sipër gaz e poshtë naftë. Po me specialistët rusë u zbulua vendburimi i madh i Marinzës në Myzeqe ku sipërfaqja mbulohet tërësisht nga kuaternari. Pa dyshim me zbulimin e naftës në gëlqeroret fryti një erë e re, u zbuluan Visoka, Ballshi, Kraneja, Delvina dhe flakadani Ca-12 në Cakran, ku meritë ka këmbëngulja dhe evoluimi i specialistëve tanë”.
Prodhimi i naftës
Për të bërë një bilancë sa më afër reales të potencialit të naftës tonë do flas vetëm për prodhimin e mundshëm vjetor në milionë ton. Gorishti hyri në prodhim të plotë rreth vitit 1966 dhe prodhimi vjetor i tij ka qenë rreth 1 milion ton/vit. Në zonën rreth vendburimit Gorisht, në veri e veriperëndim te tij janë atakuar me nga një shpim mbi 10 struktura si: Selishta, Panohori, Vlora, Babica, Lushnja, Ura e Kuçit – Syzeze, Osman-Zeze, Rabia, Pekishti Lindor, etj. Po ashtu Ardenica që pritet me naftë kondensat si në vendburimin e Cakranit etj. Kur përgatitja me gjeologji dhe në shumicën e tyre me kompleks punimesh shoqëruese ka lejuar kalimin me shpim dhe shpimi ka renë në shumicën e strukturave në anën perëndimore të gëlqeroreve qe ruajnë vendburim serioz nafte (të paktën si dhe sa Gorishti); teknikisht lejohet te kalohet direkt me shpim te dyte rreth 1km te pusit te pare. Por po te ripërpunohen profilet seismike te kryer s’ka asgjë te keqe. Po te llogarisim kapjen, te paktën te tre vendburimet ne morine e strukturave te mësipërme me prodhim rreth 1 milion ton/vit (pra sa Gorishti) dhe që do të vazhdojë prodhimi stabël për mbi 50 vjet. Kjo balance llogaritje është vetëm për gjysmën e sipërfaqes tokësore të Shqipërisë; por ne veri te Shkumbinit ku gjeologjia me punime te detajuara jo vetëm sipërfaqësore por dhe me kompleks ka fiksuar struktura antiklinale më të mëdha (të paktën sa dhe Cakrani). Këto struktura këtu janë të paktën 10, me gëlqeroret në thellësi rreth 4.000-4.500m. Të tilla janë Papri, Rova, Pajuni, Golem-Kavaja, Rodoni, etj. Ne përllogaritjen e mësipërme nuk vumë zona ku gëlqerorët priten cekët si lindja e Pekishtit, etj. Por zona e Tiranës ka struktura karbonatike të mëdha.
Mehmet Shehu: “Më mirë të digjej Banka e Tiranës se pusi Cakranit”
Kryeministri Mehmet Shehu, ishte njeriu që nuk i shpëtonte asnjë nga sektorët e ekonomisë së vendit pa bërë vizitat e tij. Kështu edhe në fushën e naftës. Dhimitër Gjenerali, duke kujtuar detaje nga vizitat e kryeministrit rrëfen: “Kujtoj vetëm një aktiv të organizuar me kërkesën e Mehmet Shehut me specialistët e naftës në Fier. Ato kohë midis specialistëve qarkullonte thënia e tij se, “…më mirë të ishte djegur Banka e Tiranës se sa u dogj fontana e hapur e pusit të Cakranit…”. Sidoqoftë në përgjithësi ai ishte njeri energjik e operativ.”

Gazeta Shekulli, 22.09.2012