Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Alternativa e Vetëvendosjes: Investimet në energjetikë nga shteti

Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese duhet të bëhet me paranë publike, në mënyrë që të kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe me çmime të ulëta. E për t’i ndërtuar këto kapacitete duhet të shfrytëzohen mjetet e fjetura të Kosovës, që janë në dy fondet që menaxhohen nga AKP-ja dhe Trusti i Kursimeve. Këto qëndrime janë nxjerrë nga Alternativa qeverisëse për sektorin e energjisë që është prezantuar të enjten, nga lëvizja “Vetëvendosje”. Investimet, sipas kësaj lëvizjeje, do të bëhen me qëllim të rritjes së sigurisë së sistemit dhe në zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale.
“Investimi i parasë publike në këto kapacitete është në dobi të secilit qytetar të Kosovës. Çmimi i energjisë elektrike nga “Kosova e Re” e ndërtuar me kapital privat, sipas  ekspertëve të Bankës Botërore do të kushtojë 81,42 euro për MWh, kurse me humbjet në rrjet 106 euro për MWh, që është i papërballueshëm për ekonominë dhe konsumatorët familjar”, ka thënë Nazmi Mikullovci, që udhëheq Komitetin për energji dhe miniera të VV-së.
Ndërsa, deputeti Visar Ymeri ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë paratë e fjetura të Kosovës për të investuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
Ai ka thënë se Kosova ka burime financiare të cilat mund të investohen në energjetikë. Shfrytëzimi i fondit të privatizimit dhe fondeve tjera për të financuar ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe investimeve tjera në distribucion është njëra nga opsionet që e përmend “Vetëvendosja”. Ymeri ka thënë se Kosova edhe mund të hyjë në kredi.
Ndërkohë, eksperti Nazmi Mikullovci ka pohuar se “Vetëvendosje” angazhohet në krijimin e kornizës ligjore që mundëson funksionimin e zhvillimin e sektorit të energjisë.
“Ky zhvillim do të sigurojë shfrytëzimin racional të resurseve energjetike, aplikimin e teknologjive të kohës, ofrimin e shërbimeve energjetike të cilësisë së lartë dhe me kosto të ulët, aplikimin e teknologjive që nuk e dëmtojnë mjedisin si dhe zhvillimin e tregut konkurrues energjetik i aftë për integrim në tregun e energjisë të BE-së”, ka thënë ai.
Madje, sipas tij, linjti duhet të ketë një shfrytëzim më të madh, e jo vetëm për prodhimin e energjisë elektrike.
“Do të ngrihen kapacitetet për pasurimin linjitit për t’i ofruar tregut vendor dhe të jashtëm lëndë djegëse. Me këtë do të mbrohen pyjet nga prerja masive dhe zvogëlohet importi  dhe rritet eksporti i lëndës djegëse”, ka thënë Mikullovci.
Ai ka thënë se linjiti mund të përdoret edhe duke përdorur teknologjinë e fundit.
“Do të zgjerohet  programi i  fakulteteve teknike të UP me lëndë të reja si është kimizimi i linjitit,  teknologjitë e djegies së linjitit; PC (pulverized coal),  CFB (circilating fluidized bed technology), djegia nëntokë. Teknologjia e injektimit te CO2 në formacione gjeologjike pa ndikime mjedisore, energjia e ripërtërishme, teknologjitë e djegies se thëngjillit etj”, ka thënë Mikullovci.
“Vetëvendosja” thotë se energjia elektrike në Kosovë shfrytëzohet në mënyrë joracionale, në masë të madhe për nevoja termike. Kjo lëvizje thotë se shfrytëzimin racional të energjisë do ta zgjedhë me ofertën për furnizim me energji alternative.
“Nxehja qendrore dhe furnizimi me ujë të nxehtë në të gjitha qendrat e mëdha urbane. Në fazën e parë Prishtina e pastaj qendrat tjera të mëdha në rrafshin e Kosovës do të sigurojnë ngrohje dhe ujë të nxehtë prej procesit të koogjenerimit. Qytetet në Rrafshin e Dukagjinit do të furnizohen me nxehje dhe ujë të nxehtë prej impiantit qendror në bazë të linjitit i cili do të ndërtohet në Basenin e Dukagjinit”, thuhet në strategjinë e VV-së për energjetikën.
Në projektin e saj, VV-ja përmend edhe arritjet e KEK-ut në dy vjetët e fundit në zvogëlimin e humbjeve në rrjet për rreth 10 për qind, përkundër problemeve të shumta në Distribucion dhe mosfunksionimit të shtetit të së drejtës.
Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se Kosova duhet të bëhet pjesë e unazës së gazsjellësve.
Nazmi Mikullovci, që udhëheq Komitetin për energji dhe miniera, ka thënë se duhet të merren parasysh rezultatet që kanë dalë në studimin për gazifikim të shteteve të Evropës Juglindore dhe lidhjes në unazën e gazit, që është kryer nga Komiteti për energji i BE-së.
“Në këtë studim është vlerësuar se lidhja e Kosovës në unazë është e realizueshme. Duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme për shfrytëzimin e gazit natyral”, ka thënë Mikullovci.

Gazeta Koha Ditore, 21.09.2012