Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ish-ministri i Energjetikës, Doda: Privatizimi i CEZ, dështim total

Zoti Doda, ju për disa vite keni qenë ministër i Energjetikës, periudhë në të cilën nisën edhe reformat në energjetikë dhe privatizimi i kompanisë së shpërndarjes në atë kohë, OSSH. Si e vlerësoni eficiencën në këtë privatizim tani pas katër vitesh?
Besoj se kjo mazhorancë me privatizimin e sektorëve strategjikë ka bërë gabim që në konceptim. Qëllimi kryesor i çdo qeverie është që nëpërmjet privatizimit të zhvillojë sektorin, në kushtet kur i shterojnë mundësitë për ta zhvilluar atë. Në rastin e privatizimeve të sektorëve strategjikë mendohet të ofrohen operatorë të njohur ndërkombëtarisht, pasi ata kanë edhe kapitalet e nevojshme për blerje të tilla. Por për t’iu përgjigjur pyetjes suaj shkurtimisht, unë do ta quaja të dështuar procesin e privatizimit të CEZ-it. Në këtë sektor janë bërë hapa prapa në krahasim me periudhën para privatizimit. Si në drejtim dhe në menaxhim. Kompania CEZ ka një menaxhim shumë të dobët dhe një marrëdhënie shumë të keqe me klientelën. Nuk përfillen klientët, çdo klient ka të drejtë të ankohet përderisa ai paguan një faturë. Por në CEZ mund të humbësh edhe vite për të bërë sqarimet e nevojshme ose qoftë edhe të rifitosh të drejtën që të takon. Kjo nuk ndodhte kur kompania ishte në pronësi të shtetit. Së dyti, ka defekte të mëdha në organizimin e kompanisë, i cili pas privatizimit funksionon në mënyrë të pakonceptueshme. Për shembull, si ka mundësi që një njësi që është në Shkodër duhet të menaxhojë çdo problematikë që ka Veriu i Shqipërisë, duke nisur nga Kurbini deri në Tropojë. Ka një mënyrë shumë të dobët organizimi, qoftë për të eliminuar defektet. Momenti i tretë ku CEZ ka bërë hapa mbrapa janë treguesit e humbjeve të energjisë dhe arkëtimeve. Raport zyrtar nuk ka, por mediat thonë se janë mbi 50 %, çka do të thotë se nga 100 kilovatë energji të hedhura në rrjet, vilen të ardhura vetëm për 50 kilovatë. Dhe ky është një tregues shumë i dobët, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për efektin ekonomik në shoqëri në tërësi. Para viteve 2005 kur kompania administrohej nga shteti, humbjet ishin 30-32 për qind, bëhet fjalë për vitet 2004-2005.
Ju kishit nisur të zbatonit një plan investimesh në shpërndarjen e energjisë. Çfarë u bë me këtë plan dhe si e vlerësoni ecurinë e investimeve pas privatizimit?
Shqetësues mbetet sot e kësaj dite fakti se CEZ nuk ka shpallur një program zhvillimi. Pasi privatizimi në sektorët strategjikë ka të bëjë më së shumti me program zhvillimi, por edhe me çmimin e privatizimit. Por edhe në këtë aspekt CEZ ka dhënë një çmim qesharak. Me sa jam në dijeni, asetet e CEZ-Shpërndarjes janë vlerësuar te rreth 1.2 miliardë euro nga kompanitë ndërkombëtare. Ndërsa CEZ e ka blerë OSSH-në për vetëm 120 milionë euro, që duke marrë parasysh disa zbritje që janë bërë gjatë negocimit të kontratës, shuma që është arkëtuar në buxhetin e shtetit është totalisht qesharake. Edhe në momentet që flasim CEZ ende nuk ka një program zhvillimi. Ju konfirmoj me përgjegjësi të plotë se janë po ato nënstacione që ne kemi lënë dhe po ai rrjet shpërndarjeje; ose kanë përfunduar vetëm ato nënstacione që ne i kemi lënë në ndërtim, qoftë ato 400 kilovoltësh, qoftë 200, qoftë 110 po edhe 35. Nënstacionet 400 dhe 200 kilovolt administrohen nga OST-ja, ndërsa të tjerat i ka CEZ. Kurse në linjat e shpërndarjes, sidomos në zonat rurale situata është një katastrofë e vërtetë. Transmetimi i energjisë bëhet në gjithfarë lloj telash, zinkat, alumini, bakri etj., pa folur për cilësinë e shtyllave e të pajisjeve të tjera që janë në gjendje të mjeruar, ndërkohë që ka një standard që duhet respektuar për transmetimin e energjisë. Duke operuar në këtë mënyrë, kompania ka thelluar humbjet në rrjet dhe ka rritur pasigurinë për jetën e punonjësve të saj dhe të qytetarëve. Për të gjitha këto arsye privatizimi i OSSH-së mund të konsiderohet tërësisht i dështuar.
Pas katër vitesh që nga privatizimi, CEZ ka nisur kohët e fundit aksione për mbledhjen me forcë të detyrimeve. Pse kjo taktikë tani? Pse nuk u aplikua më parë?
Ne jemi dëshmitarë të gjithë për aksionet e fundit që po bëhen në të gjithë vendin për mbledhjen e detyrimeve të energjisë me forcë. Por edhe për këtë është fajtore vetë kompania, e cila i edukoi klientët në këtë mënyrë. Kompania duket të ketë bërë marrëveshje politike me partinë në pushtet për të mos ngacmuar abonentët gjatë fushatave politike, për të mbajtur disa persona në punë, për të transferuar investimet e një zone në një tjetër etj. Duke e përdorur në këtë mënyrë kompaninë, ata (CEZ dhe qeveria) kanë sjellë dështimin e plotë të saj dhe futjen në kolaps të të gjithë sistemit.
Për këtë situatë të krijuar kompania CEZ duhet të përballet me sanksione nëpërmjet ministrisë, Entit Rregullator të Energjisë dhe qeverisë. Dy rrugë ka: ose të përmirësojë menjëherë situatën në lidhje me investimet, shërbimet ndaj klientëve dhe uljen e humbjeve, ose të përballet me sanksione të ashpra deri në falimentim.
CEZ ka deklaruar se mund të importojë sasinë e energjisë për konsum, ndërsa KESH i shet CEZ-it energji me çmim më të ulët se të tregut. Për këtë arsye KESH ndodhet me bilanc të përkeqësuar, duke detyruar qeverinë ta financojnë. A është normale kjo marrëdhënie ndërmjet kompanive dhe atyre me qeverinë?
Nuk arrije ta konceptoj dot sesi është bërë kjo marrëveshje në momentin e privatizimit, që KESH është sh.a me kapital tërësisht shtetëror dhe CEZ është kompani me 76 për qind kapital tërësisht privat. Jam shumë dakord që KESH t’i shesë totalisht CEZ-it atë energji që e prodhon vetë,me burimet hidrike që ka. Po të jetë thjesht për të bërë biznes, KESH mund ta shesë jashtë vendit me çmime shumë më të larta, për shkak se është energji e pastër dhe e kërkuar në tregun europian. Por KESH nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë tagër që të importojë energji për llogari të CEZ-it. Kjo është detyrë ekskluzive e CEZ-it, se ja çfarë ndodh. KESH është kompani shtetërore që ka marrë financime nga buxheti i shtetit, gjë që nuk ndodhte në kohën kur qeverisnim ne; KESH kontribuonte në buxhet. Duke u financuar KESH-i nga buxheti i shtetit, qytetarët e paguajnë dy herë energjinë dhe me fatura të majme. Njëra faturë është ajo që i paguajmë CEZ-it, e cila në shumë raste është mbifaturuar dhe më shumë probleme. Fatura e dytë janë taksat që ne paguajmë në buxhetin e shtetit, të cilat në vend që të përdoreshin për të ndërtuar shkolla, rrugë dhe spitale, hapje të vendeve të punës, financojnë arkën e KESH-it për të përfituar padrejtësisht CEZ-i. Dhe ky është një gabim shumë i madh. CEZ detyrimisht duhet të importojë vetë energjinë që i duhet për furnizimin e popullatës e të klientëve të tij. Marrëveshja CEZ-KESH që ka edhe bekimin e qeverisë është jashtë çdo logjike tregu.
Pasi është absolutisht jo normale që KESH të blejë energji të shtrenjtë në tregun ndërkombëtar dhe t’ia shesë lirë CEZ-it. Me këtë logjikë, KESH është i falimentuar. Nga ana tjetër, është një gabim shumë i madh që ERE është bërë marionetë e politikës. Duke i shërbyer politikes me veprime të jashtëligjshme që normojnë veprimtarinë e këtij institucioni. ERE ul çmimin e energjisë që KESH i shet CEZ-it, madje shpesh edhe nën kosto. Kjo nuk ka ndodhur edhe kur tri kompanitë ishin shtetërore. Asnjëherë KESH nuk i shiste energji OSSH-së më pak se 2.2-2.4 lekë për kw, ndërsa pas privatizimit ka ndodhur që është shitur edhe me 1.4 lekë. Ky është dëm tjetër i madh ekonomik për arkën e shtetit e taksapaguesit, por përfiton padrejtësisht CEZ dhe përfiton kapital politik dhe jo vetëm mazhoranca qeverisëse.
Si i shihni zhvillimet e sektorit të energjisë në të ardhmen?
Të ardhmen në këtë gjendje e shoh të zymtë. Kështu sic është nisur shumë shpejt do të kemi piramidat e energjisë. Situata në energji nuk është vetëm furnizimi me drita i popullatës, por në radhë të parë qëndrueshmëria e zhvillimi i sektorit. Dhe më këtë situatë që është krijuar aktualisht në treg shumë shpejt do të kemi piramida të reja. Në vitin 1997 kishim piramidat financiare, por tani mund te kemi piramidat e energjisë.
Para disa ditësh qeveria ka zhvilluar garën për privatizimin e Albpetrolit. Në këndvështrimin tuaj si ish-ministër, sa i suksesshëm dhe sa realist është ky proces?
Unë nuk jam kundër procesit të privatizimit të kompanive, por e keqja fillon tjetërkund. Nuk ka transparencë. Në strategjinë që ne lamë për sektorët strategjikë është theksuar që ne jemi për privatizime, por ama ka dy momente. Së pari merret konsideratë zhvillimi i sektorit dhe së dyti çmimi. Të dyja këto janë të rëndësishme. Unë them se mbi të gjitha ka një moral, qeveria gjatë krizash ekonomike dhe në prag zgjedhjesh nuk mund të shesë një sektor kaq të rëndësishëm siç është Albpetroli. Pasi asnjë investitor potencial nuk mund të ndihet i sigurt në këto kushte. Në këtë këndvështrim, ky privatizimin nuk ka moral. Nga ana tjetër, Albpetrolit i janë dhënë të drejtat shtetërore. Ai do të përgjigjet për të gjitha kompanitë e tjera që kërkojnë e shfrytëzojnë naftë në Shqipëri, të drejta që duhet t’i ketë vetëm shteti. Ka të gjitha të drejtat për transmetimin e gazit e naftës dhe tregtimin me shumicë të energjisë. Ka edhe një problem tjetër në këtë proces, pasi sot e kësaj dite nuk dihet se çfarë ka nxjerrë në shitje shteti. Nuk janë marrë në konsiderate pronarët, mbi tokat e të cilëve janë asetet e kompanisë, sa rezerva nafte e gazi janë në gjendje sot në vendin tonë, pasi shteti e ka nxjerrë kompaninë në shitje me 100 për qind të aksioneve.
Për çfarë asetesh bëhet fjalë?
Duhet të vlerësoheshin rezervat dhe të bëhej transparent niveli i tyre. Pasi asnjë shtet në botë nuk i shet rezervat e nëntokës. Ne sot e kësaj dite nuk dimë se cila është vlera e aseteve. Vetëm rezervat e naftës janë rreth 30 milionë ton. Me një llogari të thjeshtë, kjo rezervë kushton jo më pak se 12-15 miliardë euro. Po të drejtat ekskluzive për tranzitimin e gazit dhe naftës…? Ne vetëm nga tranzitimi i naftës nga projekti AMBO kishim llogaritur 50 milionë euro fitim në vit për shtetin, pa llogaritur përfitime të tjera që janë të mëdha.. Në rastin e transmetimit të gazit nga gazsjellësi TAP, e gjithë taksa e tranzitimit do të përfitohet nga blerësi i Albpetrolit. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë transparencë në procesin e zhvillimit të tenderit. Nuk ka të dhëna për kompanitë që kanë marrë pjesë në garë. Edhe pse jemi në kulmin e zhvillimit të teknologjisë së informacionit, mungojnë të dhëna për kompanitë që ofruan vlera të larta dhe nuk dihet asgjë për planin e biznesit që ato kanë ofruar. Për pasojë jam skeptik dhe mendoj se edhe ky privatizim është njësoj si privatizimi i ARMO-s. A mund të më thoni ju se, çfarë ka ndryshuar në uzinat e përpunimit të naftës në Ballsh dhe në Fier, pasi ARMO i zotëron të dyja këto uzina…? Mediat duhet të inspektojnë këtë privatizim dhe t’u thonë shqiptarëve si ishte para privatizimit dhe si është aktualisht. Ja cilësia e naftës dje, ja cilësia e naftës sot, ja investimet dje, ja investimet sot, ja kushtet e punës dje, ja kushtet e punës sot, ja pagat dje, ja pagat sot, ja sa fitonte shteti dje, ja sa fiton sot…
Qysh nga viti 2005, çmimi i metaleve është rritur ndjeshëm në tregun ndërkombëtar. Mirëpo shfrytëzimi i minierave në vendin tonë po bëhet primitivisht. A kishit ju një plan për zhvillimin e tyre kur drejtonit Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës?
Në lamë një strategji për zhvillimin e sektorit minerar në përfundim, por që nuk u mor në konsideratë nga qeveria që erdhi në pushtet. Në kohën kur ne dhamë disa koncesione me vështirësitë dhe interesin që kishte tregu, pasi çmimi ishte shumë i ulët, vetëm 60 dollarë për ton krom… nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2005 çmimet janë rritur shumëfish. Çmimet për kromin kanë kaluar edhe mbi 500 dollarë për ton. Kështu interesi për investime është shtuar, por nuk është përmirësuar asnjë koncesion, por kemi vetëm shumë vdekje punëtorësh si në rastin e Bulqizës. Është fatkeqësi për ata njerëz, pasi aty çdo gjë është prishur. Unë kam dijeni se ka shumë investitorë të huaj të interesuar për investime për industrinë e bakrit. Ka shumë investitorë seriozë turq dhe kanadezë, të cilët janë në gjyq me ministrinë përkatëse, që ka bllokuar procesin. Të tilla makinacione me gjyqe po zhvillohen për vendburimet e bakrit, si ai i Perlatit, Spaçit, Qafë-Barit etj., të cilat po bëhen jo për të zhvilluar këtë sektor, por për përfitime të padrejta dhe të jashtëligjshme, e këtu lulëzon përsëri korrupsioni qeveritar.
Qeveria aktuale ka dhënë më shumë se 300 leje dhe licenca për ndërtimin e HEC-ve të vogla. A patët ju një strategji për zhvillimin e burimeve të reja të energjisë?
Në kohën kur unë kam drejtuar Ministrinë e Energjetikës nuk janë dhënë më shumë se 10 licenca për koncesione të HEC-ve, të tilla si Gjançi, Bogova dhe disa në zonën e Librazhdit që sot janë në punë. Po të jepen 300 licenca dhe të mos dihet kur do vihen në punë, kjo është e patolerueshme. Është bërë propagandë politike dhe fushatë me këto leje. Nuk janë investime, por shpërblime që u janë dhënë njerëzve afër pushtetit për përfitime ekonomike e politike. Fatkeqësisht, unë jam shumë pesimist për zhvillimet në sektorin e energjisë, të naftës dhe për zhvillimet ekonomike në tërësi, qofsha unë i gabuar dhe të mos ndodhë kështu siç u shpreha në këtë intervistë.

Gazeta Mapo, 19.09.2012