Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Oferta amerikane për “Albpetrol” komplikon “planet” për fituesin

Kompania amerikane “Vetro” ofroi çmimin më të lartë, 850 milionë euro dhe dukshëm me diferencë të lartë nga rivalët e tjerë, por mesa duket, kjo nuk mjafton për Komisionin e Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Dy janë çështjet, verifikimi i parave, pra nëse ekziston garancia bankare (aftësia paguese) dhe cilët janë ofertuesit. Për jurinë e ankandit nuk është se një javë kohë nuk mjafton, por me kalimin e ditëve del në pah fakti se oferta amerikane mund të ketë prishur skenarët e dikujt “tjetri”, brenda ose jashtë qeverisë.
Nëse paratë ekzistojnë, atëherë komisioni duhet të dalë me një shpallje paraprake të fituesit, pra amerikanët, në të kundërt rendit kinezët e “Win Business”.
Shtyrja e afatit për shpalljen e rezultatit shoqërohet me shumë dyshime. Në radhë të parë tregon paaftësinë e anëtarëve të jurisë për të verifikuar emrat e kompanive, ose e dyta, është në dijeni të “figurave” për shkak të dosjeve të dorëzuara, por ka dilema.
Dyshimet për prishje skenarësh bëhen më të forta në rast se analizon ofertat e kompanive. “Amber Shine”, kompania me ofertën e dytë më të lartë, për 790 milionë euro, nuk disponon garanci financiare, pra nuk ka aftësi paguese. Skualifikohet!
Gjiganti rus, “Gazprom”, çuditërisht jep një ofertë 40 milionë euro dhe pa garanci. Skualifikohet edhe ky.
Në garë ishin 6, tani mbeten 4 për t’u analizuar. Kemi multinacionalen “Ecolog”. Kjo shoqëri nuk dha as çmim blerje dhe as garanci, duke i shtuar më shumë dyshimet pasi kompania njihet për aftësinë paguese, seriozitetin në planin e investimeve në disa vende të rajonit dhe Europës. Skualifikohet!
Mbeten tri kompani në garë, amerikanët “Vetro” për 850 milionë euro, kanadezët “Bankers Petroleum” për 303 milionë euro dhe kinezët “Win Business” për 297 milionë euro. Nëse analizojmë ofertën tjetër potencialisht të skualifikueshme, atë të “Bankers”, ku nga shuma e ofruar, vetëm 100 milionë euro ishin për çmim blerje dhe pjesa tjetër për investime, ngrihen shumë pikëpyetje. Nga çmimi, “Bankers” ka paraqitur një vlerë sikur ka dashur të vetëpërjashtohet nga gara, dhe në fakt kanadezët janë drejt kësaj rruge.
Ky skenar me plot skualifikime i ka shërbyer për mirë kinezëve të konsorciumit “Win Business” drejt një hapi të sigurt për fitore të “Albpetrol”, por nuk kishin llogaritur ofertën përtej Atlantikut. Interesimi i tyre ka qenë tejet i madh. Për disa ditë vizituan vendburimet e naftës së “Albpetrol”, shqyrtuan bilancet, analizuan gjendjen financiare, patën mundësi të drejtonin pyetje, madje edhe punonjësve, pra një këmbëngulje që tregon qartë se kinezët e kishin seriozisht. Por oferta e Perëndimit prishi planet, që askush nuk e priste. Element interesant mbetet fakti se amerikanët e “Vetro”-s janë paraqitur të fundit për ankandin e “Albpetrol” dhe askush nga qeveria nuk i priste me megaofertën. Pikërisht duke qenë se ndoshta janë prishur ekuilibrat dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave po vonon në zbardhjen e enigmës.

Gazeta Shqip, 16.09.2012