Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha flet per privatizimin e Albpetrolit dhe 4 HEC-eve

Programi i tij ekonomik ishte fund e krye antiprivatizim. Shprehej gëzim i madh se nuk u shitën hidrocentralet në 13 shtator, për të cilat unë njoftoj se do të ketë një tender të dytë, në 25 nëntor. Shprehej tërbim i madh për ofertën e Alpetrolit dhe privatizimin e tij, si dhe deklarata unike e tyre ku thuhej: ”Nuk ka vend që shet të drejtën e shfrytëzimit”. Por a mund të na thonë ata se çfarë është koncesioni? Është shitje e të drejtës për një periudhë të caktuar. Këtë po bëjmë edhe ne. Po e shesim për një periudhë 20 a 25 vjeçare. Por nëse asnjë vend nuk na shitka këtë të drejtë, a mund ta pyesim zotin Rama: Gjigantët botëror të naftës si; Total oil Anchor, Oksi, Shelli, e të tjerë me radhë, ku eksplorojnë, ku nxjerrin naftë, në mars, hënë a në tokë?  Po zoti Rama, po të them se ka një njeri që nuk e shet këtë të drejtë dhe ky është diktatori Hugo Çaves. Ai po bën çdo gjë për të përzënë kompanitë amerikane dhe askush tjetër. Edhe rusët kanë privatizuar dhe kanë korporata të mëdha private në naftë, një prej tyre ishte British Petrolium. T’u thuash të tjerëve se a ka shtet në botë që shet të drejtën e shfrytëzimit në privatizime, kjo tregon se ti ose je i verbuar nga Çavesi, ose nuk e di se ç’do të thotë koncesion.
Ndaj dhe ky qëndrim antiprivatizim, është absolutisht në kundërshtim flagrant me atë çfarë kërkohet sot në unison nga ekonomistët e mëdhenj në botë. Në qoftë se ka një rrugë për t’u mbrojtur nga kriza, ajo është privatizimi i ekonomisë, sepse privatizimi i ekonomisë rrit eficencën e menaxhimit dhe rrit konkurueshmërinë. Pra, tendenca dhe rryma nuk është Çavesi, përkundrazi. Përse 4 vite me radhë Greqisë i kërkohej të privatizonte me çdo kusht e sa më shpejt? Pikërisht për të rritur eficencën e sipërmarrjeve greke, për t’i bërë ato më eficente, më produktive.
Ndaj dhe reagimi ndaj privatizimeve, është në vazhdën e reagimeve të tij kundër të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me sektorin privat deri më sot, të cilat së paku, në 3 vitet e fundit, kanë garantuar në këtë vend së paku 3.2 miliardë dollarë investime.
Lidhur me “ofertën bombastike”, jeni shumë gabim zoti Rama. Ju ka mbetur mendja te 20 përqindëshi, sepse kjo ofertë nuk është bombastike. Në treg, në ankand, në koncesione, këto janë gjëra të zakonshme, ku mund të mos ofrohet asgjë, por mund të ofrohet  shumëfishi i asaj që ti ke përcaktuar. Këtu nuk ka asgjë bombastike. Në këtë koncesion u ofruan kompani nga më seriozet, të cilat kanë një traditë në naftë e gjetiu, ndër më të fuqishmet. Ato ofruan oferta sigurisht të dallueshme njëra nga tjetra. Unë i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë. Ai ishte një besim dhe vlerësim tek koncesioni i hapur. Ne kemi një konsulent, që në fushën e vet, përbën një nga firmat më të fuqishme të botës, i cili po punon non stop për avancimin e procesit. Po ecet në përputhje me ligjin e koncesioneve dhe të ofertës. Natyrisht, është një proces kompleks, por për ju dhe për qytetarët shqiptarë, të dhënat paraprake janë qartësisht pozitive. Janë të përfshira në operacion Banka nga më seriozet në Evropë e në botë. Kjo po ndiqet. Unë që në fillim ua thashë se ne nuk kemi parashikuar qoftë edhe një qindarkë të vetme në buxhet. Natyrisht, jemi të vendosur ta ndjekim në mënyrën më serioze çdo hap. Por e vërteta është që të dhënat janë këto. Konsulenti ynë ka të gjithë potencialin për të qartësuar dhe kthjelluar çdo aspekt të këtij procesi, te kompania e parë, e dytë,  e treta  e me radhë. Grupi i vlerësimit, i ngritur pranë ministrisë së Ekonomisë, është i përbërë nga njerëzit më kompetentë që ne kemi.
Ndaj unë këtu, prisja që të kishte një falënderim për pjesëmarrësit, nga kryetari i opozitës dhe një shpresë të shprehur për përfundimin e tij me sukses.
As kryeministrit dhe as kryetarit të opozitës nuk i lejohet, në qoftë se nuk duan të përsërisin merhumin, të bëjnë parashikime mbi potencialet e rezervave të naftës ose të gazit, në Shqipëri. Këtë duhet t’ua lëmë ekspertëve. Ai dilte dhe thoshte se ma thotë kjo mendja ime që në këtë katërkëndësh dhe i vinte pikat siç donte, ka sasi kolosale nafte. Dhe rezultati ishte që inxhinierë, teknikë dhe të tjerë  ekzekutoheshin pse nuk kishte naftë në atë katërkëndësh. Po t’ia lexoni fjalën që mbajti, zotit Rama, bënte fjalë për shifra dhe të dhëna, sikur kishte lindur në naftë. Ndonëse po shpohet thellë, rreth 6 mijë metra, në fshatin e tij Mbreshtan, ai nuk ka shkuar ndonjëherë për ta vizituar.

energjia.al, 17.09.2012