Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, harta e panjohur e faturave

Një marrëdhënie e ngatërruar për energjinë elektrike. Shqiptarët rrezikojnë sërish errësirë në dimër për shkak të mungesës së likujditeteve për të paguar energjinë që do të importohet. Një lëmsh borxhesh reciproke në trekëndëshin KESH-CEZ-konsumator, që duket se do t’i japë krizës ekonomike edhe terrin në këtë vit elektoral
Tre vjet e gjysëm më parë, në prill të vitit 2009, në vigjilje të fushatës elektorale të qershorit, pakkush i besoi në Shqipëri motivet e mbara të udhëtimit të kryeministrit Berisha drejt Pragës për të dorëzuar kërkesën për aplikim të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ishte më shumë një shfaqje paraelektorale që lidhej me integrimin, kurse kritikët e Berishës, e lidhën këtë vizitë dhe me privatizimin e pritshëm të divizionit të shpërndarjes në KESH. Çekia mbante presidencën e rradhës në BE dhe politika gjente këtu një rast të mirë për të qenë kryesisht politikë ekonomike. Kryeministri çek Topolanek, natyrisht e me të drejtë, ishte i interesuar që CEZ-i të realizonte këtë privatizim. Fundja, CEZ ishte e është kompania më e madhe e Evropës Qëndrore me një kapital prej rreth 18 miliardë dollarë dhe futja e saj në tregun shqiptar, do të quhej një ogur i mbarë për investimet e huaja në vend në një sektor kaq delikat. Por rregullat e lojës ndryshuan kur loja kishte nisur. Të dyja palët, shteti shqiptar dhe kompania çeke e mbaruan shumë shpejt muajin e mjaltit dhe pickimet reciproke nuk munguan të nisnin që në krye të herës. Në këtë moment, vetëm kompanitë shtetërore i detyrohen kompanisë CEZ rreth 23 milionë euro energji të papaguar. Një shumë edhe më e madhe verifikohet nga debitorë të tjerë, biznese private dhe konsumatorë familjarë, humbjet në rrjet janë ende në nivele shqetësuese dhe vetë CEZ, që me bilance të brishta ka borxhe të akumuluara ndaj KESH për energjinë e marrë prej tij, nuk ka kryer të gjitha investimet e premtuara para privatizimit. Po kështu, janë akumuluar dhe pakënaqësi për mënyrën e faturimit të energjisë nga CEZ. Shumë konsumatorë pretendojnë se atyre ju faturohet energji aforfe shumë më tepër sesa konsumojnë. Shumë nga këto histori përfundojnë në gjykatë, por aty janë shtyrë për në kalendat greke, si hallet e qytetarëve ndaj CEZ, ashtu dhe hallet e CEZ ndaj debitorëve të saj të shumtë.
Lëmshi mgatërrohet më shumë kur vetë KESH ka akumuluar një borxh të frikshëm tek bankat e nivelit të dytë, i krijuar për të paguar kryesisht importin e energjisë, çfarë ka bërë që zinxhiri të shtojë hallkat dhe disa banka, madje e kanë ndjerë këtë presion financair. KESH ka gjithashtu pa paguar një sasi tjetër parash për energjinë e marrë nga hidrocentralet private në Shqipëri. Bilanci i këtyre borxheve me dy e më shumë kahe është shumë e vështirë të llogaritet, por mungesa e likuiditetit ka bërë që gjithkush të ndjejë lakun e krizës në fyt.
“Të bërit biznes në Shqipëri është kthyer në një makth”, pohon gazeta çeke “Lidove noviny”, sipas të cilës, edhe vizita e kryeministrit çek në Tiranë, Petr Neças, nuk i ka dhënë zgjidhje. Ironia nga Praga shkonte larg kur për të dëshmuar rëndësinë e këtij problemi, shkruante se nëse Neças e viziton sërish Tiranën për këtë çështje, ata rrezikohet të kthehen në “Republika CEZke”. Dhe me të drejtë, kompania që raporton fitime gjithkund ku është e shtrirë, në Tiranë ka probleme serioze, kryesisht të lidhur me natyrën kaotike të trregut të energjisë në vend dhe vetë mjedisin e paqëndrueshëm të biznesit në vend dhe mënyrës sesi ai kryhet.
Sot më shumë se kurrë, situata është e paqartë. Askush nuk mund të thotë me siguri se ku fillon e mbaron mëkati. E sigurtë është vetëm një gjë: ëndrra për ta bërë Shqipërinë një superfuqi të vogël energjitike në rajon, është më tepër delir. Këtu është në rrënim e sipër i gjithë sistemi dhe premtimet për hidrocentrale të rinj, janë vetëm shashka elektorale, të cilat kujtojnë një të vërtetë të dhembshme: nuk po menaxhohen siç duhet ato që janë ekzistues dhe malli ende nuk është i tillë sa kohë nuk shkëmbehet me para dhe anasjelltas. E gjithë fuqia e instaluar e hidrocentraleve të rinj të vënë në eficencë, i shton sistemit vetëm thërrime të papërfillshme me atë çfarë prodhohej para viteve 90’.
Dimri është sërish në prag, Fierza është në kuota jo optimale dhe në kushtet e shtrëgimit të rripit, duket se shqiptarët do ta bëjnë një gjë të tillë sidomos në errësirë. Ka vetëm një rrugë të premtuar për t’i shpëtuar errësirës së dimrit. Qeveria shqiptare dhe CEZ kanë rënë dakort që duke nisur nga muaji gusht do të pothuaj trefishojnë importin e energjisë elektrike, importi do të shkojë nga 100 megavat orë për muaj, në 350 të tillë. Problemi është se ku do të gjenden paratë. Arka e shtetit është bosh, kurse bankat janë shumë skeptike për të kredituar një mall që e ka të garantuar shitjen, por jo mbledhjen e parave. Dhe nuk është vetëm financa problemi. Bllokimi i ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë i redukton mundësitë e rrugëkalimit të energjisë drejt Tiranës nga rajoni dhe kufizon edhe numrin e shitësve të mundshëm, të cilët, sipas opozitës, gjenden vetëm tek klientët e partisë në pushtet.
Sa e paguajmë energjinë
Jo gjithkund njëlloj, jo të gjithë njëlloj. Harta e Shqipërisë, si të ishte një hartë elektorale, ndahen në disa zona sipas pagimit që i bëhet energjisë. Tre fashat e saj janë Shqipëria e veriut dhe verilindja, Shqipëria e Mesme dhe ajo e jugut. Të gjithë konsumatorët, në të gjitha kategoritë e tyre, përfshi këtu edhe subjektet shtetërore, bizneset private dhe konsumatorët familjarë, në qarkun e Kukësit paguajnë nën nivelin e 50 për qind të energjisë së shpenzohet. Një shifër kjo që nuk parasheh edhe humbjet eventuale në rrjet që janë të ndryshme për zona të ndryshme.
Në qarqet Berat, Burrel, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe në kryeqytet, niveli i pagesës së energjisë së arkëtuar në raport me atë që konsumohet shkon nga 50 për qind deri në 80 për qind.
Mbi këtë nivel, 80 për qind, paguhet në Durrës, Elbasan dhe në Fier.
Pothuaj e njëjta situatë është edhe në konsumin dhe pagesat vetëm për konsumatorët familjarë.
Kështu, në dy qarqet më të mëdha të veriut ky nivel është nën masën 50 për qind. Shkon deri në 80 për qind të pagesës në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Burrel, ndërsa më të rregulltit në pagesa, që shkojnë në nivelin mbi 80 për qind, CEZ arkëton energjinë e faturuar në Korçë, Gjirokastër, Fier dhe Berat.
Interesant është të vihet re një përkitje pothuaj identike dhe me ngjyrën e shpërndarjes së votës në zgjedhjet e përgjithshme elektorale. Dy qarqet e veriut, bastione tradicionale të votës për Partinë Demokratike, kanë dhe qytetarin më të parregullt karshi detyrimeve ndaj energjisë së konsumuar. Një situatë e tillë ndryshon në qarqet ku vota është pothuaj e barabartë, por edhe në këto qytete, si për shembull në Tiranë e Durrës, zonat më problematike janë zonat informale, në Bathore dhe lagjen e Kënetës, sa për të marrë dy shembuj, zona në të cilat niveli i arkëtimit është në nivele tërësisht minimale dhe banorët janë tradicionalisht votues të Partisë Demokratike.
Si mbi plaçkë lufte
CEZ dhe pasuria e saj, jo vetëm energjia që shpërndan, ka qenë në shënjestër të grabitjeve nga më të ndryshmet. Duke ju referuar statistikave të Ministrisë së Brendshme, vetëm në rastet e denoncuara dhe duke nisur që nga viti 2010, vjedhjet e pasurisë së saj kapin shifra shumë milionëshe. Edhe në këtë rast, vjedhjet më të mëdha kanë ndodhur në zonën veriore të vendit dhe atë jugperëndimore. Konkretisht e kanë pësuar 186 transformatorë me fuqi të ndryshme, një ton e gjysëm vaj transformatori, rreth 55 ton përcjellës bakri dhe 12 kilometra kabëll bakri, përcjellës alumini dhe përcjellës alumini e bakri janë zhdukur rreth 7 tonë, e të tjerë. Kryesisht, materialet e vjedhura shiten në pikat e grumbullimit të skrapit. Rastet e rigjetjes e rikthimit të pasurisë së grabitur janë fare të rralla dhe po kaq të rralla, janë dhe rastet e ndëshkimit të grabitësve. Por dëmi material që i shkaktohet kompanisë është vetëm njëra anë e problemit. Më dramatike bëhet situata kur, siç shpjegojnë specialistët, në shënjestër vihen neutrot e transformatorëve, të cilat janë të prodhuar prej bakri të pastër. Në një rast të tillë, shkaktohet rritja e menjehrshme e tensionit që vjen tek konsumatori, çka shkakton dëmtimin e rëndë deri dhe daljen jashtë përdorimit të paisjeve elektrike.  

Revista Java, 09.09.2012