Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Kalkulimet energjetike (intervistë e menaxherit të Bankës Botërore)

Ndërtimi i një centrali të ri energjetik dhe rehabilitimi i një centrali ekzistues energjetik, me djegëse të thëngjillit 25 vjet të vjetër, janë sfida shumë të ndryshme, që kërkojnë kalkulime të ndryshme. Kështu ka thënë në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, Jan-Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë.
Zëri: Si i vlerësoni zvarritjet në projektin “Kosovën e Re”, projekt ky i cili ka nisur që nga viti 2006, investitorët po ikin?
Olters: Për një investitor, ndërtimi i një centrali të ri energjetik dhe rehabilitimi i një centrali ekzistues energjetik, me djegëse të thëngjillit 25 vjet të vjetër, janë sfida shumë të ndryshme, që kërkojnë kalkulime të ndryshme. Duke shqyrtuar heqjen e Kosovës-B nga pakoja tenderuese, Qeveria ka ndërmarrë një qasje shumë pragmatike, duke u përgjigjur edhe ndaj komenteve të investitorëve edhe ndaj shqetësimeve të përhapura për koncentrim shumë të madh në treg të një investitori privat në këtë sektor.
Zëri: Ku mendoni se ka stagnuar në këtë sektor?
Olters: Duke marrë parasysh edhe mjedisin e jashtëm shumë të vështirë, zhvillimet e paradokohshme janë më shumë një indikator i interesimit real dhe një dinamizmi në këtë sektor se sa i stagnimit.
Zëri: Çfarë sugjerimi i keni bërë Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim?
Olters: Çfarëdo diskutimi që Banka Botërore ka pasur me Qeverinë ka qenë në lidhje me reformat, masat dhe përkrahjen e nevojshme për të tërhequr, në një mënyrë transparente, investitorë të kualitetit të lartë që kanë vullnet dhe aftësi për të siguruar që Kosova do të mund të përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare, të krijojë siguri dhe mundësi energjetike, duke minimizuar eksternalitetet sociale dhe mjedisore.
Zëri: Qindra miliona euro janë investuar në energji, ende ka reduktime dhe ankesa se nuk është sistemi stabil, si e shpjegoni këtë gjendje?
Olters: Kosova sikurse të gjitha vendet tjera në rajon është duke adresuar çështjet e trashëgimisë, duke modernizuar infrastrukturën e ndërlidhur për të plotësuar standarde shumë më të larta, dhe për të përmbushur kërkesën substancialisht më të lartë për energji.
Zëri: Cili është angazhimi i Bankës Botërore në fushën e energjisë?
Olters: Kohët e fundit, Banka ka kryer një studim të titulluar Zhvillimi dhe vlerësimi i opsioneve për furnizim me energji elektrike për Kosovën (2011), zbulimet e të cilit gjerësisht mbështesin strategjinë që është duke u propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Studimi i opsioneve shqyrton mënyrat e plotësimit të nevojave të tanishme dhe të ardhshme të Kosovës për energji duke marrë parasysh kostot ekonomike, financiare dhe të mjedisit, duke përfshirë edhe kontributet potenciale të përmirësimit të efikasitetit, të menaxhimit nga ana e konsumit, të ndërtimit të hidrocentraleve të vogla, dhe burimeve të tjera të ripërtëritshme, importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje dhe prodhimin termik shtesë.
Studimi gjeti se furnizimi i besueshëm me energji me koston më të ulët që do të plotësonte kërkesat bazë dhe ato maksimale të Kosovës është një miks i burimeve të energjisë termike dhe atyre të ripërtëritshme.
Burimet energjetike
Burimet energjetike përfshijnë (i) një hidrocentral (Zhur) rreth 300 MW dhe, sipas një studimi të DANIDA, të paktën 60 MW nga hidrocentralet e vogla, 14 (ii) një vlerësim paraprak me 395 MW në energji nga era, biomasa dhe biogazi (duhet të konfirmohet përmes studimeve teknike), (iii) përmirësimi i termocentralit Kosova B dhe (iv) ndërtimi i termocentralit të ri me 600 MW fuqi me qymyr që ka qenë i propozuar nga qeveria për ta zëvendësuar Kosovën A.
Studimi presupozon investimet e vazhdueshme në përmirësimin e efikasitetit të energjisë, reduktimin e shpejtë të humbjeve teknike dhe komerciale dhe zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Gazeta Zeri, 12.09.2012