Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Lufta e ftohtë për “Albpetrol”

Shitja e kompanisë “Albpetrol”, privatizimi i fundit strategjik i Shqipërisë, paralajmëron një betejë të fortë gjeopolitike mes fuqive më të mëdha ekonomike botërore.
Qeveria ka përcaktuar datën 7 shtator si afatin e fundit të dorëzimit të ofertave dhe deri tani kanë tërhequr dokumentat e tenderit 19 kompani.
Mes tyre janë dy shoqëri amerikane, “Silk Road Equity” dhe “Thompson Global”, një kompani kineze me emrin “GPRO” dhe gjigandi rus “Gazprom”.
Kjo është hera e parë kur privatizimi i një kompanie strategjike tërheq në garë kompani nga tre superfuqi si SHBA, Kina dhe Rusia, të cilat janë njëkohësisht edhe tre nga vendet që vendosin ekuilibrat energjetikje në botë, çka duket se paralajmëron edhe një betejë të fortë interesash jo thjesht ekonomike.
Me vendimet e fundit, qeveria shqiptare ka hequr dorë nga të drejtat e nëntokës dhe mbitokës për sa i përket fushës së hidrokarbureve.
Qeveria shqiptare i ka dhënë të drejtën për kërkimet “Albpetrolit”, që nesër do të jetë një kompani private dhe që do të vendosë për lejet për kompanitë e tjera që do të kërkojnë për naftë në Shqipëri, sikundër edhe nuk ka më asnjë ndikim në prodhimin dhe rafinimin e naftës.
Duke qenë se nafta është nje produkt strategjik, edhe vendimi për “Albpetrol” e tejkalon interesin e thjeshtë ekonomik, duke u shndërruar në një vendim gjeopolitik.
Në këtë kuadër, interesi rus dhe ai kinez duket se kanë sjellë një rritje të ndjeshmërisë së amerikanëve për këtë kompani. Ndonëse qeveria amerikane nuk ka shprehur asnjë qëndrim zyrtarisht, në mënyrë të tërthortë sinjalet kanë mbërritur në Tiranë javët e kaluara.
Një tjetër sinjal ishte hyrja në tender e dy kompanive amerikane javët e fundit, pas shprehjes zyrtare të interesit nga rusët e “Gazprom” dhe kinezët e “GPRO”.
Ndoshta është rastësore, por pikërisht përpara hapjes së ofertave për tenderin e “Albpetrol”, në Tiranë ka mbërritur zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker, i cili do të qëndrojë në Shqipëri deri në fund të javës, pra edhe dy ditë pas mbylljes së tenderit.
Gjatë vizitës së tij, të enjten, një ditë para tenderit për shitjen e “Albpetrol”, zoti Reeker pritet të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë të shtetit, mes të cilëve edhe kryeministrin Sali Berisha.

TOP Channel, 05.09.2012