Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Preferohen blloqe me kapacitet prej 300 megavatesh

Sistemi elektroenergjetik i Kosovës më së miri do të funksiononte nëse njësitë e reja gjeneruese do të kishin kapacitet të instaluar prej 300 megavatesh (MW). Ky është qëndrimi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) rreth kapaciteteve të instaluara që duhet t’i kenë blloqet e reja të termocentralit “Kosova e Re”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërkohë, pas vendimit për tërheqjen e termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nisur rishqyrtimin total të projektit, duke përfshirë edhe madhësinë e blloqeve të këtij termocentrali.
Në mbledhjen e radhës të Komitetit Drejtues pritet të vendoset edhe për madhësinë e blloqeve, ndërkohë që zyrtarët e Ministrisë thonë se ndërtimi i blloqeve prej 300 megavatesh është shumë më i shtrenjtë se blloqet me kapacitete më të mëdha.
“Sipas letrës pozicionuese të lëshuar nga KOSTT-i dhe studimit të kryer nga ‘PB Power’, sistemi elektroenergjetik i Kosovës më së miri do të funksiononte me njësi gjeneruese prej 300 MW”, ka thënë Elvane Devexhi-Osmani, zyrtare për informimi në KOSTT.
Sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të funksiononte edhe me blloqe që kanë kapacitet prej 500 megavatesh, por me më shumë vështirësi.
“Sistemi elektroenergjetik do të funksionojë, por natyrisht se do të duhet mirëmbajtja e rezervës së madhe terciare të madhësisë qoftë në gjenerim ose import dhe eventualisht në reduktim të ngarkesës në rastin e rënieve të këtyre gjeneratorëve”, ka thënë Devexhi.
Sipas zyrtarëve të KOSTT-it, njësitë me kapacitet prej 300 megavatesh janë më të lira te terminalet e konsumit në aspektin komercial.

Gazeta Koha Ditore, 28.08.2012