Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol, privatizimi fut në lojë edhe kanadezët

Zgjerohet harta, pas rusëve dhe kinezëve. “Bankers” zotëron 90% të puseve.
Paketa që iu ka ofruar qeveria shqiptare kandidatëve për privatizimin e kompanisë së vetme naftënxjerrëse në vend, “Albpetrol”-it, e ka rritur numrin e shoqërive të interesuara. Nga burime të gazetës “Shqip” pranë “Albpetrol”-it, mësohet se pas interesimit këmbëngulës të serbëve të NIS, të cilët morën të dhëna për llogari të “Gasprom”-it rus dhe kinezëve të GPRO-së, së fundmi është interesuar edhe kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, për këtë privatizim. Kjo kompani ishte pjesë e listës prej 14 të interesuarve për blerjen e “Albpetrol”-it, por deri pak javë më parë nuk kishte ide të qartë se çfarë strategjie do të ndiqte. Burimet e sipërcituara janë shprehur se zyrtarë dhe specialistë të “Bankers”-it kanë zhvilluar disa takime me drejtuesit e “Albpetrol”-it si dhe me ata të METE-s.
Ashtu si kompanitë e tjera, edhe “Bankers” mësohet të ketë qenë e interesuar për gjithë të dhënat financiare të “Albpetrol”-it, si dhe aspektet juridike të paketës së shitjes. Për shkak se qeveria ka vendosur që t’i japë privatizuesit të “Albpetrol”-it atributet e shtetit ndaj kompanive të tjera koncesionare, ende nuk dihet nëse kanadezët mund të futen në këtë garë, pohojnë burimet. Ato shtojnë se kompania ka marrë prej vitesh me koncesion shumë puse dhe zona naftëmbajtëse ku ka kryer shpime të reja. Prej afro 10 vitesh, shoqëria përtej Atlantikut, ka investuar mbi 800 milionë dollarë në zonat naftëmbajtëse në Patos-Marinzës dhe zotëron rreth 90 për qind të puseve. Pra kemi të bëjmë me një shoqëri që e njeh mirë “Albpetrol”-in dhe nuk do të ishte surprizë një ofertë e tyre në tenderin e shtatorit.
Konkurrentët dhe çmimi
Ndërkaq, para serbëve dhe kinezëve, shfaqi interesim për privatizimin një tjetër kompani kanadeze, “Triple FIVE Internacional”, e cila u tërhoq pas pak ditësh. Qeveria shqiptare ka parashikuar që privatizuesi do të gëzojë gjithë atributet që kompania shtetërore “Albpetrol” gëzon sot, përfshi këtu edhe përfitimin e prodhimit paraekzistues që merr nga kompanitë e tjera koncesionare. Por, privatizuesi do të ketë edhe të drejtën e ndërtimit të një rafinerie nafte, ofertë e cila mësohet të jetë shtuar së fundmi në paketën e privatizimit. Ndërkohë, pritet që “Albpetrol” të shitet për gjysmën e kapitalit të tij. Mësohet se vlera që do t’u ofrohet kompanive që do të konkurrojnë për privatizimin, nuk do t’i kalojë 300 milionë dollarë amerikanë. Nga pasqyra financiare e vitit 2011 të kompanisë “Albpetrol” rezulton se kapitali kap vlerën e rreth 600 milionë dollarëve. Çmimi i ulët me të cilin do të nxirret në shitje “Albpetrol” ka ardhur nga privatizimi dhe dhënia me koncesion e rreth 95% të aseteve që zotëronte dikur. Borxhet dhe pagat
Por, privatizuesi i kompanisë së vetme shtetërore naftënxjerrëse, do të përballet edhe me problematika që janë akumuluar ndër vite prej administratës aktuale. Kështu, disa kompani koncesionare dhe shoqëria ARMO i detyrohen deri në 60 milionë dollarë “Albpetrol”-it, para të cilat nuk janë arritur të vilen prej vitesh. Pamundësia e shtetit për të vjelë këto para nga kompanitë private ka sjellë herë pas here vonesat e pagave të rreth 3500 punonjësve të “Albpetrol”-it. Me këtë problematikë ata janë hasur edhe gjatë këtij muaji, kur për shkak të mospagesës së parave nga ana e kompanisë që ka fituar tenderin e blerjes së naftës, punonjësit nuk e kanë marrë ende pagën. Sipas burimeve pranë “Albpetrol”, mundësia e vetme që 3500 punonjësit të marrin pagën, përfshi këtu edhe zyrtarët e kësaj kompanie, është shitja e sasisë së naftës bruto që do të akumulohet gjatë këtij muaji. Mësohet se tenderi për shitjen e kësaj sasie nafte do të kryhet më datë 15 shtator dhe nëse firma fituese do të paguajë, atëherë punonjësit e kompanisë “Albpetrol” mund të marrin pagat e tyre, atë të gushtit dhe të korrikut që është e prapambetur.
Shpenzimet: Në prag shitjeje, qindra milionë lekë tenderë
Pak para privatizimit, kompania “Albpetrol” ka njoftuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik kryerjen e dy tenderëve gjatë këtij muaji. Në njoftimet e kontratave thuhet se Autoriteti Kontraktor “Albpetrol” sh.a. Patos, do të zhvillojë me procedurë të hapur dy tenderime që në total kapin vlerën e 17.931.000 lekëve të reja. Në një nga njoftimet e kontratave thuhet se objekt i prokurimit është blerja e 214 copë gomave dhe e 104 baterive për automjete. Fondi limit i vënë në dispozicion nga të ardhurat e Albpetrol sh.a Patos është 11.651.000 lekë të reja pa TVSH, ku për blerjen e gomave fond limit ka qenë 8.751.000 lekë të reja dhe për bateritë 2.900.000 lekë pa TVSH. Ky tender është zhvilluar më datë 23.08.2012. Në kontratën tjetër njoftohet blerja e 150 copë “Kontator aktiv dhe reaktiv 5A/380V, 2500 copë izolator tensioni i mesëm TM 10 kv, 2600 copë izolator tensioni i ulët TU 0.4/1 kv dhe 12500 vula sigurie me nr. serial. Fondi limit i vënë në dispozicion nga të ardhurat e “Albpetrol” sh.a Patos për këtë tender ka qenë 6.280.000 lekë të reja pa TVSH. Ky tender është zhvilluar më datë 24 gusht 2012.
Më datën 7 shtator, Ministria e Ekonomisë ka njoftuar shitjen e 100 për qind të aksioneve të “Albpetrol”-it, nga ku pritet me interes të lartë rezultati final

Gazeta Shqip, 26.08.2012