Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha midis Taçit dhe TAP-it

Nxjerrja në publik e një vendimi gjyqësor për sigurim padie, në favor të një banke nga Azerbajxhani, i ka prishur punë Rezart Taçit, si biznesmen, më shumë se të gjitha aksionet e tatimorëve apo artikujt e shtypit të marra së bashku. Ky vendim u hodh në sajtin online të Gjykatës së Tiranës dhe mund të shkaktojë vetëm ilaritet përpjekja e Taçit për ta quajtur lajmin lidhur me këtë “një përpjekje për të dëmtuar imazhin” apo thjesht “shpifje”. Vendimi është vendim dhe nuk është produkt gazetaresk.
Ajo që le për të diskutuar në këtë mes është se si dhe pse u dekonspirua në publik borxhi shumëvjeçar që ky biznesmen, shumë pranë familjes kryeministrore, u ka të huajve. Për të kuptuar përmasat e një veprimi të tillë duhet të presim, pa dyshim, se çdo të ndodhë në vijim. Furia e Taçit për të zhdukur nga tregu gazetat e pakta që e pasqyruan lajmin tregoi se ai nuk ka qenë dakord, të paktën, për publikimin e vendimit të gjyqtarit Çeliku, edhe ky pranë familjes Berisha, pas kërkesës së palës azerbajxhanase, të përfaqësues nga një avokate, që kishte mbrojtur Sali Berishën në gjyqin e ngritur nga e jëma e Edi Ramës.
Berisha duket se e ka patur të pamundur të mbrojë më tej beniaminin e tij përballë refuzimit për të paguar një detyrim që ka arritur në 115 milionë euro, për më tepër, ndaj një banke me pronar shtetin e Alijevit, nga i cili pritet, jo më larg se viti i ardhshëm, vendimi për të zgjedhur midis Nabucco-s dhe TAP-it se cili do të jetë gazsjellësi që do të furnizojë Jugun e Evropës me gaz natyror nga Azerbajxhani. Taçi mund të shmangë, nëpërmjet ndikimit tek Liri Berisha, pagesat tek Tatimet e vendit, por në bilancin e shtetit azer nuk mund të mungojë gjatë një shifër e tillë. Për më tepër, mospagimi nga ana e tij e rreth 40 milionë eurove detyrim për Albpetrolin i ul vlerën këtij të fundit në privatizim. Strategjia e Taçit për të avancuar në biznese duke iu shmangur pagesave të detyrimeve nuk mund të mos ketë një kufi. Në këtë rast, kryeministri shqiptar, midis Taçit dhe TAPit duket se ka zgjedhur këtë të fundit, ndërkohë që pritet të shihet se çfarë aksesi do t’i ofrohet Azerbajxhanit në këmbim të mospagimit të detyrimit financiar.

Gazeta Shqiptarja.com, 12.08.2012