Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, prioritet në marrëdhëniet dy palëshe Greqi-Itali

Italia dhe Greqia e shndërrojnë projektin e Korridorit Jugor të Gazit, në prioritet të marrëdhënieve te tyre dypalëshe dhe Shqipëria, vendi ku gazsjellësi do kalojë mespërmes, cilësohet si partner i tretë.
Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Italisë, Dimitris Avramopulos dhe Giulio Terzi, kanë diskutuar në Romë për gazsjellësin, i cili do të transportojë gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali.
Ata kanë theksuar se ky projekt është një bashkëpunim strategjik dhe prioritet për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë, përfaqësues të së cilës nuk ishin në takim.
“E përqëndruam vëmendjen dhe shkëmbyem informacione mbi gazjellësin e Adriatikut, i cili do të jetë prioritet kryesor i marrëdhënieve Greqi-Itali, por edhe sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë, si partneri i tretë në këtë projekt”, tha për gazetarët ministri i jashtëm italian Terzi.
“Tema kryesore e bisedimeve ishte gazjellësi TAP, për të cilin ramë dakord të promovohen menjëherë iniciativa politike, që Italia, Greqia dhe sigurisht edhe Shqipëria, të bashkëpunojnë për krijimin e kuadrit të nevojshëm politik, brenda të cilit do të promovohen iniciativat tashmë konkrete”, deklaroi ministri grek Avramopulos.
Në Romë u zhvillua edhe takimi i zv.ministrave të Energjetikës të dy vendeve, të cilët firmosën një marrëveshje bashkëpunimi, që Greqia e Italia të mbështesin projektin e ndërtimit të Korridorit Jugor të Gazit.
Projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP, parashikon kalimin e gazit nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe më pas në rrugë detare drejt Italisë, duke i dhënë pavarësi Evropës nga Rusia, për furnizimin me gaz.
Realizimi i këtij projekti pritet t’i sjellë Shqipërisë 1 miliardë euro investime. Qeveria shqiptare është shprehur në mbështetje të gazsjellësit TAP dhe ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ky projekt të realizohet.
Projekti tjetër parashikon kalimin e gazit nga Azerbajxhani në Turqi, më pas në Greqi e Itali, duke mos e përfshirë Shqipërinë.

www.balkanweb.com, 09.08.2012