Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol, blloku lindor, në garë për të dalë në Adriatik

Pas serbëve që zbarkuan në zyrat e kompanisë naftënxjerrëse për llogari të rusëve mbërrijnë kinezët.
Nxjerrja në shitje e kompanisë naftënxjerrëse shtetërore “Albpetrol” ka ngjallur interesim mjaft të madh për shoqëritë ndërkombëtare të dy ish-superfuqive të bllokut të dikurshëm komunist, që operojnë në fushën e hidrokarbureve. Duket se rusët dhe kinezët janë futur në garë të fortë për të zotëruar vendburimet e naftës që shtrihen pranë bregdetit të Adriatikut, ku ndodhen dy portet e Vlorës dhe të Durrësit që janë pika kyçe të tregtimit në Mesdhe. Kështu, pas serbëve të “NIS”(Nafta e Industrisë Serbe) të cilët zbarkuan në zyrat e “Albpetrol”-it rreth tre javë më parë për llogari të kompanisë ruse “Gazprom”, kanë qenë kinezët e një prej shoqërive më të mëdha ndërkombëtare të nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve, grupit GPRO, që kanë mbërritur aty. Ndryshe nga serbët të cilët, sipas burimeve pranë “Albpetrol”, treguan një mungesë etike në komunikimin dhe kërkesat e tyre për sigurimin e të dhënave, kinezët kanë shfaqur një bashkëpunim që mësohet ta kenë treguar edhe dekada më parë kur projektuan dhe drejtuan punimet për ndërtimin e industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vendin tonë.
Kinezët
Burime pranë “Albpetrol” kanë sqaruar se specialistët e kompanisë së pestë në botë në fushën e kërkimit të naftës, Grupi GPRO, për rreth një javë, janë njohur me të gjitha të dhënat zyrtare të shoqërisë që menaxhon një nga pasuritë më të mëdha kombëtare. Sipas burimeve, përfaqësisë së kompanisë kineze i është vënë në dispozicion gjithë dokumentacioni ku pasqyrohen vendburimet e hidrokarbureve të shfrytëzuara dhe jo, të dhënat mbi prodhimin ekzistues, fuqinë punëtore, si dhe mbi gjendjen e amortizimit. Gjithashtu, specialistët kinezë janë njohur edhe me pjesën juridike dhe ekonomike të kontratave koncesionare dhe të drejtat që ka kompania “Albpetrol” kundrejt tyre. Ndërkaq, përfaqësia e specialistëve kinezë mësohet të ketë dalë në terren, duke u njohur nga afër me gjendjen aktuale të puseve të naftës. Gjatë muajit të fundit në zyrat e “Albpetrol” që ndodhen në aksin e rrugës automobilistike Fier-Patos, kanë mbërritur përfaqësi dhe specialistë nga tri kompani ndërkombëtare që operojnë në fushën e hidrokarbureve, të cilat kanë qenë të interesuara të verifikojnë në terren të dhënat që u janë ofruar paraprakisht nga METE. Fillimisht kanë qenë specialistë të shoqërisë kanadeze “Triple FIVE Internacional”, e cila edhe kjo është një nga pretendentët më serioze që kërkojnë të privatizojnë “Albpetrolin”. Por, kanadezët kanë qëndruar aty vetëm dy ditë pa marrë gjithë informacionin e kërkuar paraprakisht. Ndërsa serbët e “NIS” për të cilët ministri i METE-së, Edmond Haxhinasto kishte lëshuar një urdhër të posaçëm drejtuar zyrtarëve të “Albpetrol” që t’u vinin në dispozicion gjithçka që ju nevojitej. Ata qëndruan aty për më shumë se dy javë, ndërsa u pasuan nga specialistët kinezë të GPRO.
Shitja
Kompania “Albpetrol”, një prej pasurive më të mëdha kombëtare pritet të shitet për gjysmën e totalit të kapitalit të saj, ku përfshihen asetet dhe të ardhurat vjetore të përfituara nga prodhimi i naftës bruto dhe prodhimi para ekzistues që merr nga kompanitë koncesionare. Sipas pasqyrës financiare të vitit 2011, totali i kapitalit të “Albpetrol” është 62 miliardë e 455 milionë, 849 mijë dhe 653 lekë të reja, që është e barabartë me rreth 600 milionë dollarë amerikanë. Ndërkaq, nga burime pranë “Albpetrol”-it, por edhe të METE-s, është mësuar se kjo kompani pritet të nxirret në shitje nga qeveria për një vlerë jo më shumë se 300 milionë dollarë. Dhe ky kapital prej 600 milionë dollarësh u përket 5 për qind të aseteve të dikurshme të “Albpetrol”-it që i kanë mbetur pas dhënies së tyre me koncesion, nga të cilat përfiton vetëm prodhimin paraekzistues.
Berisha priti në takim specialistët e GPRO-së
Më datë 25 korrik të këtij viti, Kryeministri Sali Berisha priti në takim, Z. Guo Jindong, kryetar bordi të Grupit GPRO, bashkë me disa specialistë të kompanisë SINOPEC, shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Z.Ye Hao. Jindong ka bërë një prezantim të Grupit GPRO si një ndër kompanitë më të mëdha kineze e specializuar në fushën e rafinerive të naftës dhe të industrisë së nënprodukteve të saj. Bashkë me SINOPEC, kompania e pestë në botë në fushën e kërkimit të naftës, Grupi GPRO synon të marrë pjesë në garën për privatizimin e Albpetrolit. Gjatë takimit, Berisha i ka shprehur ambasadorit Hao mirënjohjen për punën që po kryhet për intensifikimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kinës dhe Shqipërisë.

Gazeta Shqip, 03.08.2012