Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ: Kontrata me klientin për shlyerje me këste të detyrimit të energjisë

Në strategjinë e saj për mbledhjen e detyrimeve nga klientët kompania CEZ ka vendosur shlyerjen e detyrimeve të papaguara me këste për klientë të ndryshëm.
Burime zyrtare të CEZ-it thanë sot për se sipas këtij vendimi, klientët që kanë fatura të papaguara në shuma që nuk i përballojnë njëherësh, mund t’a paguajnë me këste pasi kanë lidhur marrëveshje me CEZ-in.
CEZ e ka ndërmarrë këtë vendim në zbatim të strategjisë më të re për rritjen e arkëtimeve dhe shmangien e ndërprerjes së energjisë për klientët debitorë.
Departamenti i arkëtimeve në CEZ e vlerëson si një mënyrë të re bashkëpunimi me ndikim në rritjen e nivelit të arkëtimeve dhe një mundësi e re për pagesat për klientët që nuk kanë mundësi të paguajnë njëherësh detyrimin e akumuluar. CEZ parashikon lidhjen e një akt-marrëveshjeje me pagesa pjesore dhe zgjatjen e afatit të pagesës, të cilat kryhen në të gjitha qendrat e kujdesit ndaj klientit, thanë burimet e kompanisë.
Për pagesat e faturave të energjisë CEZ-i ka në dispozicion arkat, që janë të hapura nga e hëna në të premte 08:00-15:00 dhe të shtunën 09:00-12:00, qendrat e kujdesit ndaj klientit, bankat e nivelit të dytë dhe filialet e Postës Shqiptare në të gjithë vendin.
Pagesa në kohë e faturës së energjisë është detyrim ligjor dhe nga mosshlyerja në kohë e detyrimit CEZ-it i lind e drejta për ndërprerjen e energjisë elektrike, ndërsa sipas kontratës së re për furnizimin me energji elektrike, kamatëvonesa për çdo ditë vonesë është 0.1% e vlerës totale të faturës.
Që nga nëntori 2011, kompania CEZ ka nisur bashkëpunimin me 10 kompanitë private të Përmbarimit për ekzekutimin e urdhrave ekzekutivë, lëshuar nga gjykatat e rretheve përkatëse për klientët debitorë.
Deri sot janë ekzekutuar dhjetëra urdhra pasi çdo muaj CEZ dërgon në gjykata rreth 6 mijë raste klientësh debitorë, si familjarë, privatë, buxhetorë e jobuxhetorë.

www.balkanweb.com, 02.07.2012