Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Oferta për investime në Distribucion mund të ndryshojë mendimin kundër të partive politike

Partitë politike në kuvendin e Kosovës, nuk do ta përkrahin privatizimin e Distribucionit dhe të Furnizimit me energji elektrike. Oferta prej 26.3 milionë euro e ofruar nga konsorciumit turk “Limak Yatirim Enerji & Çalik Enerji Sanayi ”, e që është shpallur më e mira në garën për privatizimin e Distribucionit dhe të Furnizimit, për shumicën e partive politike, është ofertë e ulët dhe aspak afër vlerës së aseteve të Distribucionit. Ndryshimin e mendimit të grupeve parlamentare mund e bëjë vetëm një zotim për investime nga kompania fituese e procesit të privatizimit.
E vetme është Partia Demokratike që i ik vlerësimit të saj lidhur me ofertën e dhënë nga kompania turke. Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, thotë se duhet marrë fillimisht vlerësimet nga ekzekutivi e më pas të flasë lidhur me ofertën për privatizimin e Distribucionit. “Nuk dua të jap vlerësimin pa marrë një vlerësim nga ekzekutivi”, tha Pajaziti.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është kundër privatizimit të Distribucionit, por vlera e çmimit të dhënë dhe numrit të ofertuesve kanë vënë në lajthitje këtë parti. “Çmimi dhe numri i ofertuesve të japin me dyshu se diçka nuk është në rregull në këtë proces”, thotë deputeti i AAK-së, Ramiz Kelmendi. Edhe AAK dëshiron të presë përfundimin e negociatave me kompaninë ofertuese, dhe në rast se nuk ka një ofertë të majme nga investitori turk, atëherë AAK-ja kërkon anulimin e procesit.
“E tëra varet nga negociatat për kontratën. Vlera është jashtëzakonisht e ulët, por nëse kemi një ofertë të mirë nga investitori, atëherë duhet shqyrtuar, në të kundërtën duhet anuluar i tërë procesi”, thotë Kelmendi. AAK-ja, sipas tij, e vlerëson lart Distribucionin si aset të shtetit, ndaj nuk dëshiron që ky aset të bjerë në duar të kompanive që nuk do të investojnë dhe që dëshirojnë që investimet t’i nxjerrin për një kohë të shkurtër.
Oferta e konsorciumit turk “Limak Yatirim Enerji & Çalik Enerji Sanayi ”, është shpallur më e mira në garën për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit me energji elektrike. Ky konsorcium ka ofruar 26.3 milionë euro. Konkurrentja e saj, kompania nga Egjipti, “Elsewedy Electric S.A.E”, ka ofruar 3.5 milionë euro më pak. Ofertat financiare u hapën të premten në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Konsorciumi “Limak-Calik” mund të shpallet fitues pas procedurave të negociatave mes konsorciumit dhe Qeverisë së Kosovës, së cilës i mbetet të vendosë nëse do ta shpallë fitues përfundimtar apo ta kthejë procesin sërish nga e para.
Përfaqësuesi i konsorciumit “Limak & Çalik”, Ismail Ergunes, ka premtuar se nëse e marrim këtë projekt ata, do të avancojmë rrjetin e shpërndarjes dhe do të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve.

Gazeta Koha Ditore, 11.06.2012