Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prokuroria ka në dorë vetëm filmimet e “Fiks Fare”, të cilat nuk i konsideron prova

Zyrtarët dhe punonjësit e tjerë të TEC-it të Fierit duket se do t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale, lidhur me grabitjen e dyshuar të skrapit nga ambientet e ndërmarrjes së vetme të ish-gjigandit të Azotikut, që ka mbetur ende pa u shkatërruar krejtësisht. Vjedhja e skrapit, e kryer në mes të ditës, u denoncua rreth dy muaj më parë në emisionin investigativ “Fiks Fare” dhe Prokuroria e Rrethit të Fierit nisi menjëherë hetimet. Ndërkaq, edhe Policia e Fierit nisi procedimin penal pas kallëzimit të kryer nga KESH, që ka ende në varësi TEC-in e Fierit. Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, nuk ka nisur procedim penal ndaj askujt prej zyrtarëve apo punonjësve të TEC-it.
“Fiks Fare” zbuloi se si vidheshin pjesët metalike gjatë natës dhe ditëve të pushimit
Burime nga organi i akuzës bënë me dije për gazetën se nga verifikimet e pamjeve të transmetuara në emisionin “Fiks Fare” nuk ekzistojnë prova ku mund të bazohet nisja e procedimit penal ndaj personave konkretë të dyshuar për kryerjen e kësaj vjedhjeje. Kjo, sipas hetuesve, pasi me filmimet e kryera nga gazetarët, nuk mund të konkludohet në bazë të provave nëse ka pasur apo jo një vjedhje. Sipas të njëjtave burime, nuk ka pamje që të tregojnë një veprim në vazhdimësi. Duke qenë se në pamjet ku shfaqen tubacionet e mëdha metalike të zbuluara nga toka, kamioni me hekurishte që ndodhet pranë ambienteve të TEC-it dhe makina që e shoqëron kamionin janë video të filmuara të shkëputura nga njëra-tjetra dhe në kohë të ndryshme, nuk mund të përbëjnë provë që vërteton vjedhjen, thonë burimet. Kjo, pasi pamjet duhet të kenë vazhdimësi që prej fillimit të kryerjes së veprës penale e deri në konsumimin e saj të plotë, theksojnë ato.
Prokuroria thotë se filmimet e emisionit investigativ nuk mund të përdoren si provë në gjykatë
Sipas burimeve të akuzës, pas publikimit të pamjeve në emisionin “Fiks Fare”, nuk është arritur të sigurohen prova të reja që të ngrinin dyshime të logjikshme për kryerjen e vjedhjes së denoncuar. Kjo, pasi autorët e dyshuar të vjedhjes mendohet se janë tërhequr nga veprimet e tyre antiligjore. Burimet theksojnë se me provat e deritanishme është e pamundur që të ngrihet ndonjë akuzë apo të mbrohet çështja në gjykatë. Për këtë arsye, mësohet se dosja i është deleguar policisë për kryerje të veprimeve të reja hetimore, me qëllim sigurimin e ndonjë prove konkrete.
Disa muaj para se të publikohej skandali i vjedhjes së skrapit nga TEC-i i Fierit, pritej që të zhvillohej një tender për shitjen për skrap të pjesëve metalike të dala jashtë përdorimit brenda territorit të kësaj ndërmarrjeje. Por, zvarritja e këtij tenderi duket se e ka sosur durimin e drejtuesve të TEC-it, të cilët së bashku me punonjës të tjerë dyshohet se kanë vendosur të përfitojnë para, duke nxjerrë prej aty sasi të mëdha skrapi të cilat mendohet se i kanë shitur në rrugë të jashtëligjshme.
Vjedhja e dyshuar e skrapit nga ambientet e TEC-it në Fier u denoncua në një prej edicioneve të emisionit investigativ “Fiks Fare” në televizionin “Top Channel”. Aty u publikuan pamje që tregonin vendin ku një mjet i rëndë kishte gërmuar për të nxjerrë tubat e mëdhenj metalikë që i shërbenin TEC-it. Nga investigimi disaditor, rezultoi se puna për nxjerrjen dhe marrjen e skrapit kryhej në fundjavë dhe natën nën vëzhgimin e vetë rojave që paguhen për të ruajtur godinën. Më pas janë shkatërruar impiantet e ventilimit. Ditën punohej për të prerë tubat, depozitat dhe për të grumbulluar skrapin që nxirrej prej ambienteve të TEC-it gjatë natës, nga një kamion i rëndë me targa të Elbasanit. Kamionët pasi peshoheshin, shoqëroheshin nga një automjet i një drejtuesi të administratës lokale me destinacion një pikë të grumbullimit të hekurishteve në Zharrëz.

Gazeta Shqip, 21.05.2012