Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ligji i ri “Për akcizat”, në rast dyshimesh, dogana bastis zyrat e biznesit

Konfiskohen pajisjet dhe informacionet në kompjuter.
Ishte reklamuar nga Ministria e Financave si një ligj që lehtëson aktivitetin privat të biznesit e prodhimit dhe tregtimit të mallrave që trajtohen me taksën e akcizës, por në disa nene të projektit, janë parashikuar masa administrative tepër të rënda.
Bëhet fjalë për kapitullin 5, nenet 89-92, te dispozitat zbatuese të ligjit, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2012, ku përcaktohen rastet e sekuestrimit të pajisjeve të zyrës së subjektit privat, në kushtet kur dogana dyshon se ka kryer evazion fiskal. Me ligjin e ri, do të jetë vetëm administrata doganore, e cila do të menaxhojë taksën e akcizës, kur aktualisht kryhet e ndarë, edhe nga administrata tatimore.
Biznesi nuk është njohur plotësisht me varietetet e reja, ose më saktë nuk ka pasur kohë për t’i shqyrtuar të mbi 100 nenet, në një kohë kur drafti iu prezantua katër ditë para zhvillimit të mbledhjes me zv/ministrin e Financave.
“Për qëllime të nenit 44, pika 4 të ligjit, autoritetet doganore në rastet e dyshimeve të arsyeshme për tentativë ose kryerjen e ndonjë prej shkeljeve të parashikuara nga ligji, mund të sekuestrojnë dokumente, kompjuterë ose regjistrat përkatës, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm tregtar apo fiskal (sende/materiale) të ndodhura në ambientet e magazinës fiskale të prodhimit/përpunimit ose stokimit”, specifikohet në projektligj.
Në mënyrë që të ruhet integriteti i biznesit, thotë dispozita, në nenin 89, sendet/materialet e sipërpërmendura do të trajtohen me kujdes, duke u vendosur nga punonjësit doganorë që i sekuestrojnë në një dosje ose kuti mbajtëse etj., në të cilën duhet të shënohet qartë emri i punonjësve që kanë bërë sekuestrimin, data, vendi i sekuestrimit dhe përshkrimi.
Masat e sigurisë për ruajtjen e materialeve të sekuestruara janë të përcaktuara qartë dhe konsiderohen të një niveli të lartë, pasi thuhet se, “para se të transportohet dosja ose kutia duhet të vuloset me shirita ngjitës ose të plumboset, për të shmangur heqjen e sendeve/materialeve të sekuestruara”, madje specifikohet për rastin e sendeve apo materialeve të sekuestruara në vende të ndryshme, të cilat nuk duhet të vendosen në një njëjtën qese ose kuti.
Financat e kanë trajtuar me shumë kujdes rastin e bastisjes së zyrave, aq sa i udhëzon doganierët të kenë parasysh disa rregulla, si: “Kompjuterët ose pajisje të tjera elektronike mund të ndryshohen, fshihen ose shkatërrohen lehtësisht dhe për sekuestrimin dhe marrjen e tyre duhet të sigurohet që të mos ndryshojë gjendja e pajisjeve elektronike. Kjo do të thotë që nuk duhet të fiket një kompjuter që gjendet në punë dhe që nuk duhet të ndizet një kompjuter ose pajisje elektronike që gjendet e fikur”.
Ja dhe një rregull tjetër për inspektorin e doganave: “Rekomandohet heqja e menjëhershme e energjisë/burimit të ushqimit kur informacioni në ekran tregon se po fshihen të dhëna ose se mbi të dhënat e vjetra po shkruhen të dhëna të tjera; dhe ka arsye për të besuar se, në pajisjet e ruajtjes së të dhënave të kompjuterit, po kryhet një proces shkatërrues. Sikurse duhet pasur kujdes kur fiket kompjuteri, pasi nën sistem po operohet online me disa të dhëna dhe subjekti privat mund të dëmtohet, apo t’i fshihen kodet.
Pasi të kenë kryer ekspertizën e dokumentacionit dhe pajisjeve, pra, mjeteve të sekuestruara dogana ia dorëzon subjektit privat të gjitha materialet. Në projektligj thuhet se, të gjitha të dhënat e mbledhura nga autoritetet doganore si rezultat i analizave të mësipërme janë konfidenciale. “Çdo punonjës i administratës doganore që ka akses në këto të dhëna, që është njohur me këto të dhëna gjatë dhe për shkak të kryerjes së detyrave të tij funksionale apo për çfarëdo arsye tjetër, është i detyruar të ruajë konfidencialitetin e tyre përkundrejt çdo personi të tretë”, është rregulli i vendosur në ligj, i cili duket qartë se për biznesin nuk është garanci e madhe.
Sekuestro
Informacioni në kompjuter.
Përveç mbledhjes së informacionit të përgjithshëm nga personat që janë në vendin që kontrollohet, punonjësit doganorë duhet të përpiqen të marrin edhe informacion specifik mbi sistemet kompjuterike, duke përfshirë:
a) Emrat e të gjithë përdoruesve të kompjuterëve dhe pajisjeve;
b) Emrat hyrës dhe fjalëkalimet për përdoruesit e kompjuterit dhe internetit;
c) Emrat hyrës dhe fjalëkalimet e postës elektronike dhe llogarive në internet;
d) Qëllimin e përdorimit të kompjuterëve dhe pajisjeve;
e) Ekzistencën e serverëve ose serverëve në distancë;
f) Të gjithë fjalëkalimet;
g) Aplikime automatike që janë në përdorim;
h) Llojet e aksesit në internet;
i) Ofruesin e shërbimit të internetit;
j) Mjete të ruajtjes së informacionit elektronik që mund të ndodhen diku tjetër;
k) Dokumentet e programeve kompjuterike të instaluara;
l) Masat e sigurisë që zbatohen për pajisjet;
m) Kufizimet për aksesin ndaj të dhënave;
n) Të gjitha pajisjet ose programet kompjuterike të instaluara që mund të shkatërrojnë informacionin;

Gazeta Shqip, 20.05.2012