Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pesha takon Shell: AKBN partner serioz për investitorët e huaj

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ka zhvilluar një vizitë tre ditore me ftesën e Kompanisë Royal Duch Shell dhe Petromanas në zyrat qëndrore të Shell në Hollandë.
Gjatë qëndrimit të tij, i shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Rregullatore në METE, z. Dritan Hylli, z. Pesha është takuar me drejtues të lartë të kompanisë si edhe kanë vëzhguar nga afër metodat moderne të kërkimit dhe teknologjisë që Shell është duke zhvilluar. Z Pesha u takua edhe me zv.presidenten dhe përgjegjësen për eksplorimin në gjithë botën znj. Ceri Powell.
Gjatë takimit, z.Pesha i shprehu entuziazmin e AKBN për kthimin e kompanisë Shell në Shqipëri dhe partneritetin e saj me kompaninë Petromanas. “Zbulimi i burimeve të reja të naftës në zonat ku ju do të shponi shumë shpejt puset e reja, është një lajm që pritet me padurim. Ne besojmë se ky sukses do të evolucionalizojë industrinë e naftës në vendin tonë dhe do të hapë perspektiva të reja në funksion të qytetarëve shqiptarë, duke krijuar vende të reja pune dhe duke krijuar oportunitete të reja biznesi”, tha drejtuesi i AKBN.
Gjithashtu z. Pesha e njohu znj. Powell me iniciativën e tij të fundit për krijimin e një fondi të përbashkët mes investitorëve vendas në fushën e burimeve natyrore për dërgimin e të rinjve jashtë vendit për studime në fushat inxhinierike për t’i specializuar ata më shumë në industrinë nxjerrëse. “Vendi ka pafund burime natyrore, por fatkeqësisht limite në burimet njerëzore që duhet të merren me to. Ndaj, unë dua të ndaj me ju këtë iniciativë me besimin se do t’i bashkangjiteni dhjetra investitorëve të tjerë seriozë, në një përpjekje për ta bërë të ardhmen e të rinjve dhe të industrisë nxjerrëse edhe më të suksesshme”, u shpreh z.Pesha në këtë takim.
Znj. Powell shprehu vlerësimin maksimal për ndihmën dhe rolin konstruktiv që AKBN ka luajtur në zgjidhjen e problematikave dhe krijimin e një klime miqësore për investitorët në Shqipëri. Gjithashtu ajo premtoi se ashtu sic kanë bërë në vende të tjera, investimi në burimet njerëzore do të jetë maksimal dhe se iniciativa e Z. Pesha ishte per t’u përgëzuar. “Fillimisht Shell do të përqëndroje forcat në zhvillimin e operacioneve të shpimit, kështu që të kemi sukses dhe të vazhdojmë me zhvillimin e zonës sipas edhe ideve tuaja”, tha znj.Pawell. Shell është në partneritet me kompanine Petromanas dhe brenda këtij viti do të shpojnë dy puse në zonën e Shpiragut dhe Jubanit, përkatësisht blloqet 2 dhe 3 në tokë.

energjia.al, 17.05.2012