Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ: Vjedhjet po dëmtojnë kompaninë dhe konsumatorët

Dëmi i krijuar ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë CEZ, nga vjedhjet e aseteve ka qenë i madh kohët e fundit. Që nga viti 2010 deri më sot kompanisë i janë vjedhur 169 transformatorë, 10km kabllo bakri, 47085.6kg përcjellës bakri, 972m shirit bakri, dhe 4571kg përcjellës çeliku, bëjnë të ditur burimet zyrtare të kompanisë. Rasti më i fundit u shënua para pak ditësh, ku vjedhja e 600 metra kabllo bakri, përçues i tensionit të lartë, la pa energji rreth 8 mijë banorë të tre fshatrave të komunës Topojë të rrethit Fier. Në lidhje me këtë fenomen, Ardian Luarasi, drejtor i Mirëmbajtjes dhe Operimit pranë CEZ Shpërndarje,  tha se vjedhjet e këtyre aseteve nuk dëmtojnë vetëm kompaninë, por edhe familjet shqiptare, bizneset private si edhe autoritetet lokale, pasi këto vjedhje ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit, planin e investimeve dhe tarifat e energjisë. Autorët e këtyre vjedhjeve jo vetëm i kanë shkaktuar kompanisë një dëm të konsiderueshëm financiar, por edhe kanë lënë komunitetet përkatëse dhe klientët e rregullt të CEZ Shpërndarje pa energji elektrike, duke çuar kështu në dëmtime të elektroshtëpiakeve të banorëve të këtyre komuniteteve, siç ishte rasti i Fushës së Aviacionit, para disa javësh, dhe rrugës “Pandi Dardha”. Luarasi  bën të ditur se CEZ Shpërndarje e ka të pamundur të gjejë apo të blejë transformatorë të rinj, për të zëvendësuar transformatorët e vjedhur apo të dëmtuar. Në luftën kundër këtij fenomeni negativ, CEZ Shpërndarje po përdor të gjitha mjetet që disponon, por këto përpjekje nuk mund të sjellin zgjidhje pa ndihmën e organeve të rendit, institucioneve të tjera të shtetit shqiptar, të komunitetit dhe klientëve të kompanisë. E vërteta është se vjedhjet e këtyre aseteve nuk dëmtojnë vetëm kompaninë, por edhe familjet shqiptare, bizneset private si edhe autoritetet lokale, pasi këto vjedhje ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit, planin e investimeve dhe tarifat e energjisë. “Ne nuk mund të përcaktojmë ekzaktësisht numrin e të gjithë klientëve për të gjitha rastet e vjedhjeve për më shumë se një vit, por mund të themi me siguri të plotë se në të gjitha rastet kur kemi një vjedhje në Tension të Mesëm numri i abonentëve shkon nga 2000 deri 8000 abonentë dhe për çdo rast vjedhjeje nëpër kabina ky numër është rreth 100 deri 300 abonentë”, tha Luarasi. Në të gjitha rastet kur vidhen urat e transformatorëve, kjo ndikon drejtpërdrejt në djegien e pajisjeve të konsumatorëve. Në këto raste kompania mban një procesverbal të vjedhjes, njoftohen organet e policisë, bëhet kërkesa për bazë materiale dhe bëhet riparimi i defektit. Luarasi shpjegon se ekzistojnë mundësi teknike për mbrojtjen e pajisjeve në këto raste, duke vendosur në hyrje të banesës mbrojtjet përkatëse, siç janë mbrojtjet diferenciale etj., por kjo kërkon një farë shpenzimi që jo të gjithë konsumatorët mund ta instalojnë. “Ne kemi rritur kontrollin dhe mundësinë për të vepruar sa më shpejt kur kemi raste defektesh, me qëllim që në disa raste të jemi në vendin e defektit para se keqbërësit të largohen. Por kjo nuk është shumë efikase” tha ai. Zyrtari i CEZ tha se për të minimizuar këtë fenomen duhet një bashkëpunim më i ngushtë me policinë dhe veprime efikase të tyre, duke kapur dhe ndëshkuar rëndë grupet keqbërëse.

Gazeta Mapo, 13.05.2012