Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Naço, takim për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale

Nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, është zhvilluar mbledhja e parë e grupit Ndërinstitucional të Punës për Drejtimin dhe monitorimin e zbatimit të strategjisë ndërsektoriale për zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.
“Strategjia kombëtare për pronësinë intelektuale dhe industriale 2010-2015, është një nga dokumentet më të rëndësishme strategjik në fushën e garantimit të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale”, theksoi në fjalën hapëse të tij, z. Naço.
Kjo strategji është një angazhim i marrë nga qeveria shqiptare për të siguruar një nivel mbrojtjeje të njëjtë për këto të drejta me atë të vendeve të Bashkimit Europian. “Kjo strategji, është konceptuar si një dokument që jo vetëm përcakton detyrat e çdo institucioni përgjegjës, por siguron edhe harmonizimin e përpjekjeve të këtyre institucioneve në zhvillimin e Pronësisë Intelektuale dhe Industriale në vend”, tha z. Naço.
Përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave e Markave dhe Zyrës Shqiptare për të drejtat e Autorit, bënë një përmbledhje të shkurtër të situatës në Shqipëri. Këto dy institucione kanë dhe rolin kyç në koordinimin e gjithë institucioneve të tjera për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Të pranishëm në këtë takim të parë, ishin edhe përfaqësues të disa institucioneve të përcaktuar si përbërës të grupit ndërinstitucional. Ata paraqitën propozimet e tyre dhe panoramën e përgjithshme në fushat që mbulojnë. Ministri i METE, z. Nasip Naço, la porositë për mbledhjen e një informacioni sa më të plotë, i cili do të diskutohet në mbledhjen e dytë.

energjia.al, 11.05.2012