Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rezoluta për ERE, zbardhen komentet e Shalsit për Banon

Komentet e deputetëve të PS: Grupi i maxhorancës, servilizëm ndaj qeverisë.
Rezoluta e vlerësimit të punës së Entit Rregullator të Energjisë ka përplasur dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodh-uese deputetët e maxhorancës dhe opozitës.
Në projekt-rezolutën e paraqitur në Komision nga deputeti i PD-së, Ilir Bano, socialisti Eduard Shalsi ka shtuar një sërë ndryshimesh dhe komentesh, duke e quajtur draftin e demokratëve si servilizëm të hapur ndaj qeverisë dhe aspak realist. Qëndrimet e kundërta vërehen në të gjithë paragrafët e rezolutës, e cila është shpërndare ditën e djeshme në Komisionin e Veprimtarisë dhe si një “produkt” që do të miratohej dhe me votat e të majtëve, nëse do të miratoheshin me ndryshimet e nevojshme. Këndvështrimet e kundërta për punën e ERE-s vërehen që në fillim të hartimit të rezolutës. ERE, sipas rezolutës së PD-së, gjatë vitit të shkuar ka arritur një sërë vlerësimesh pozitive në punën e këtij institucioni të pavarur. “Duke vlerësuar arritjen tashmë disavjeçare të qeverisë për furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve me energji elektrike”, thuhet në draftin e PD-së. Por, sipas socialistëve, këto vlerësime tregojnë servilizmin e hapur të maxhorancës ndaj qeverisë. “Ky paragraf duhet hequr farë. Rezoluta është për ERE-n dhe jo për qeverinë. Ky paragraf shpreh varësinë dhe servilizmin e grupit të maxhorancës në Kuvend ndaj qeverisë, si dhe varësinë politike të ERE-s nga qeveria”, shkruhet në propozimet e të majtëve. Sipas deputetit Ilir Bano: “ERE ka bërë përpjekje për mbrojtjen e vazhdueshme të interesave dhe të të drejtave të konsumatorëve tariforë nëpërmjet trajtimit me përkushtim, transparencë, paanshmëri dhe brenda afateve ligjore të ankesave të konsumatorëve”. Për deputetin Eduard Shalsi: “Mbrojtja e interesave dhe e të drejtave të konsumatorëve nuk është arritur. Janë vërejtur shumë probleme për konsumatorët familjarë dhe industrialë, që mund të quhen të rënda dhe më të shumta se një vit më parë. Edhe superlativat nuk kanë vend as si etikë në projekt-rezolutë dhe as që janë të vërteta e të merituara prej ERE-s”. Deputetet e PS-së kanë kërkuar që në relacionin e ERE-s të vendoset një nen, në të cilin të detyrohet ERE që brenda muajit qershor 2012 të sjellë në Kuvend një raport mbi ecurinë e tregut të energjisë elektrike në prodhimin, furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike nën ndikimin e privatizimit të ish-OSSH sh.a. Rezoluta e Entit Rregullator të Energjisë është miratuar vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës, pasi opozita është larguar nga Komisioni për shkak të mospranimit të propozimeve të saj.
Kundërshtitë PD-PS për ERE
Rezoluta: Duke vlerësuar rolin aktiv të Entit Rregullator të Energjisë, se është autoriteti i vetëm dhe i pavarur rregullator në vend për mbikëqyrjen e funksionimit të tregut të energjisë elektrike dhe të gazit natyror; Komenti i PS: Në një rezolutë zyrtare në një institucioni siç është Kuvendi, për një institucion tjetër siç është ERE nuk flitet me definicione jo ligjore apo vlerësues si “aktiv” etj., por vetëm me formulime apo përcaktime në gjuhën e ligjit.Rezoluta: Duke vlerësuar arritjen tashmë disavjeçare të qeverisë për furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve me energji elektrike; Komenti i PS: Ky paragraf duhet hequr fare. Rezoluta është për ERE-n dhe jo për qeverinë. Ky paragraf shpreh varësinë dhe servilizmin e grupit të maxhorancës në Kuvend ndaj qeverisë, si dhe varësinë politike të ERE-s nga qeveria!
KONSTATON SË ERE NË VITIN 2011:
Rezoluta: ERE ka ushtruar në mënyrë të vijueshme autoritetin e saj për monitorimin e të gjithë operatorëve të licencuar në sektorin e energjisë elektrike në lidhje me mirëfunksionimin e tregut të energjisë elektrike, eficiencës dhe cilësisë së shërbimit që ata ofrojnë për konsumatorët. Komenti i PS: Efektet e kësaj veprimtarie nuk kanë qenë plotësisht të suksesshme, sidomos në eficiencën e energjisë elektrike ku sistemi elektrik ka tregues mjaft të ulët dhe të përkeqësuar në krahasim me vitet e mëparshme. Po kështu, probleme të dukshme janë vërejtur në cilësinë e shërbimit që u ofrohet konsumatorëve. Kjo sepse humbjet në energjinë elektrike janë rritur, mosarkëtimi po ashtu është përkeqësuar, ka mosfurnizim me energji elektrike në periudha të gjata sidomos në zonat rurale, niveli i tensionit tek konsumatori është shumë i ulët etj. Rezoluta: ERE ka bërë përpjekje për mbrojtjen e vazhdueshme të interesave dhe të të drejtave të konsumatorëve tariforë nëpërmjet trajtimit me përkushtim, transparencë, paanshmëri dhe brenda afateve ligjore të ankesave të konsumatorëve.  Komenti i PS:Mbrojtja e interesave dhe e të drejtave të konsumatorëve nuk është arritur. Janë vërejtur shumë probleme për konsumatorët familjarë dhe industrialë, që mund të quhen të rënda dhe më të shumta së një vit me parë. Edhe superlativat nuk kanë vend as si etikë në projekt-rezolutë dhe as që janë të vërteta e të merituara prej ERE.Rezoluta : ERE me qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit në vend dhe në kuadër të një klime promovuese për investimet e reja, ka licencuar 39 subjekte juridike në prodhim energjie, tregtues energjie, furnizues të kualifikuar të energjisë elektrike, si dhe modifikime të licencave ekzistuese. Komenti i PS: Por efektiviteti i këtyre licencimeve në tregun e energjisë elektrike është shume i ulët. KOMENT Kjo sepse numri më i madh i të licencuarve nuk ka filluar ende të investojë për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë elektrike, të linjave të transmetimit të energjisë elektrike etj. P.sh. nuk janë ndërtuar hidrocentralet e licencuar si prodhues dhe tregtues të energjisë elektrike, apo linjat e transmetimit te MONCADA etj. Rezoluta: ERE në mënyrë transparente është angazhuar në dhënien e rekomandimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis të licencuarve në tregun e energjisë elektrike; Komenti i PS: Por rezultati i këtij angazhimi ka qenë i dobët. Kjo sepse midis operatorëve të licencuar ka shumë probleme të pazgjidhura, probleme këto që cenojnë sigurinë dhe funksionimin e tregut të energjisë si borxhet e mëdha të ndërsjella KESH-CEZ, KESH-Prodhues të rinj të energjisë elektrike etj.
KËRKON QË ERE PËR VITIN 2012:
Rezoluta : ERE të vazhdojë monitorimin e tregut të energjisë elektrike për të rritur transparencën dhe garantuar mosdiskriminimin nëpërmjet procesit të hartimit të rregullave dhe rregulloreve për të nxitur konkurrencën në këtë treg dhe orientimin e tij drejt liberalizimit të mëtejshëm;
Komenti i PS: ERE të monitorojë zbatimin e kontratave dhe detyrimeve ligjore të të licencuarve si operatorë për prodhimin dhe furnizimin e energjisë elektrike dhe të hartojë një raport të posaçëm për Kuvendin e Shqipërisë brenda muajit qershor 2012. Kjo sepse janë dhënë shumë licenca prej ERE-s për prodhues apo furnizues të energjisë elektrike dhe ende nuk janë bërë efektive, edhe pse janë dhënë para 4-5 apo 6 vitesh!
Gaçi: Qeveria pengon linjat me Kosovën
Deputeti i PS-së, Artan Gaçi, denoncoi dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese pengesën që sipas tij po i bën qeveria fillimit të projektit të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë 400 kilovolt. Sipas Gaçit, pengesa e qeverisë shqiptarë behët për qëllime mafioze për të favorizuar klane pranë qeverisë. “Unë kërkoj që në rezolutë të përfshihet dhe një pikë e veçantë, që të parashikojë vijim me përparësi të projektit të interkonjeksionit të linjës 400 kilovolt Shqipëri–Kosovë, që do të sillte një pavarësi më të madhe energjetike midis Kosovës dhe Serbisë. Por kjo pengohet qëllimisht. Në mediat e Kosovës ka dalë një artikull, që akuzon Kryeministrin Berisha se bashkëpunon me mafien serbe kundër Kosovës. Dhe ka lidhje me linjën e transmetimit Shqipëri-Kosovë, që vazhdon të jetë e penguar që prej një viti nga qeveria shqiptare”, deklaroi deputeti Artan Gaçi.

Gazeta Panorama, 17.04.2012