Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konfindustria: Mashtrim me karburantet, tregu më i madh në vend

Konfindustria paraqet shqetësimin, se rritja e shpejtë e çmimit dhe problematika me cilësinë e tregtimit të karburanteve rrezikojnë seriozisht zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe godet ndjeshëm konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.
Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfidustria, i tha sonte, agjencisë NOA.al, se rënia me 6% e prodhimit industrial për 3-mujorin e fundit të vitit 2011 në masë të ndjeshme vjen edhe nga rritja e çmimit të karburanteve.
Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme, që rritja e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare të ndihet në mënyrë të njëjtë në Shqipëri si prodhuese e rëndësishme ashtu edhe në vendet, që nuk e zotërojnë një pasuri të tillë. Pasoja e mësipërme e papranueshme tregon për të metat thelbësore të mënyrës sesi funksionon tregu i karburanteve që nga prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja, si dhe vë në dyshim politikat 20-vjeçare të privatizimit dhe të mbikëqyrjes shtetërore të tregut më të madh të ekonomisë shqiptare.
Duke pranuar ndikimin dhe varësinë relative nga tregjet ndërkombëtare, për sa i përket çmimit, Konfindustria kërkon, që të vazhdojë me rreptësi marrja e masave mbi të gjitha në “cilësinë” dhe mashtrimet në “volumet” e shitura klientëve fundorë të karburanteve të tregtuar në vend.
“Cilësia jashtë standardit e karburanteve dhe mashtrimet në volume përçohet drejtpërdrejt në rritjen e “fshehur” të çmimit të karburanteve, që qarkullojnë në tregun shqiptar dhe që i shtohet çmimit të deklaruar”, – thotë Buxhuku.
Tregu i karburanteve në Shqipëri është tregu më i madh në vend me një qarkullim vjetor 900 milionë -1 miliard $/vit ose 9-10% të PPB të vendit, si dhe me ndikim të fuqishëm në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik tërësor.

Agjensia e Lajmeve NOA, 08.04.2012