Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Për një mjedis të pastër

Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj dhe të qytetarëve shqiptarë një nga problemet më të mprehta dhe të rëndësishme, por njëkohësisht edhe më pak të artikuluara: Ai i një mjedisi më të pastër, të një Shqipërie më të pastër dhe mbi të gjitha i ndërgjegjes qytetare dhe publike për këtë çështje.
Ky është një problem i mbartur ndër vite, një peshë e shtuar vit pas viti, një kosto që e vuan çdo qytetar shqiptar. Sepse një Shqipëri më e pastër është e rëndësishme, jo vetëm për turistët që vizitojnë vendin tonë, por mbi të gjitha për çdo qytetar shqiptar që jeton dhe punon, që ngre familjen dhe rrit fëmijët në këtë vend.
Shqipëria sot gëzon një reputacion të shkëlqyer si destinacion turistik në të gjitha mediat botërore dhe pas kaq vitesh titujsh negativë, ka filluar të përmendet për mirë në mediat më prestigjioze ndërkombëtare. Kjo është e natyrshme dhe një gjë të tillë e meriton, jo vetëm për mikpritjen dhe kulturën e historinë që ofron, por mbi të gjitha për bukuritë natyrore që ka trashëguar. Një gjë e tillë shihet konkretisht dhe është e prekshme, treguesit e zhvillimit të turizmit dhe fluksit të vizitorëve, tregojnë që në një periudhë të shkurtër, numri i turistëve sot është mbi dhjetëfishuar në krahasim me vitin 2005, kur qeveriste e majta.
Por bukuritë natyrore të Shqipërisë-nga Alpet në Veri, të cilët me pamjet unike dhe mikpritjen që ofrojnë po kthehen në destinacion turistik fiks; e deri në bregdetin e Jugut, që tashmë me infrastrukturën e re rrugore është lehtësisht i aksesueshme dhe për nga panorama është ndër bregdetet më të bukura në botë, janë të cenuara.
Kjo tablo, që Perëndia e ka pikturuar me përkujdesin më të madh, pak nga pak është nxirë nga dora e njeriut; dhe pavarësisht përpjekjeve serioze që bëhen, ne jemi shumë larg të paraqiturit si një vend i pastër.
Duke filluar që nga parqet kombëtare, pyjet, grykat e maleve, shtratet e lumenjve, plazhet, e deri tek rrugët e qyteteve dhe lagjeve tona, pjesë konstante e peizazhit janë prej vitesh tashmë mbetjet, ku spikasin më shumë se çdo gjë tjetër, qeset plastike.
Ky është një problem shumëvjeçar dhe shumëplanësh, dhe si i tillë kërkon një ndryshim rrënjësor të mënyrës si e shohim ne mjedisin, rëndësinë që i japim dhe veprimeve që bëjmë për ta ruajtur apo jo. Problem që kërkon një ndërgjegjësim të thellë të shoqërisë sonë, e mbi të gjitha të të rinjve.
Për këtë arsye, nisma e datës 20 prill e Kryeministrit Berisha, për një Shqipëri më të pastër, është e një rëndësie të veçantë, në radhë të parë për ndërgjegjësimin tonë, e mbi të gjitha për rëndësinë jetike të ndryshimit të qëndrimit tonë ndaj mjedisit.
Jam i bindur se kjo nismë do të gjejë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë, e veçanërisht të të rinjve, sepse mbi të gjitha u shërben atyre, dhe për më tepër ata e kanë treguar se dinë të bëhen pjesë e nismave të tilla të rëndësishme dhe të një ndjeshmërie të veçantë.
Shpresoj, që kjo nismë të gjejë edhe mbështetjen e përfaqësuesve të zgjedhur, tuajën, të nderuar kolegë deputetë. Jo thjesht për të treguar se dëshironi një vend më të mirë dhe më të pastër, por për të treguar se përveç retorikës politike mund të japim edhe shembullin personal, si një nga format më të mira të lidershipit.
Pavarësisht se pastrimi dhe mbajtja e pastër e mjedisit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të zgjedhurve vendorë dhe qeverisjeve lokale, bashkëpunimi i çdo qytetari dhe çdo komuniteti, e për më tepër i çdo përfaqësuesi të zgjedhur, është shumë i rëndësishëm për të dhënë një mesazh ndërgjegjësimi dhe një mesazh që një Shqipëri e pastër është e rëndësishme për të gjithë, pa dallim.
Dita e 20 prillit, në këtë aspekt, do të shërbente si një ditë apeli kombëtar, një ditë ndërgjegjësimi të shoqërisë sonë, për një kthesë të rëndësishme në kulturën dhe kujdesin tonë ndaj mjedisit ku jetojmë.
Besoj se për të gjithë, vokacioni i të bërit politikë, është ndryshimi dhe përmirësimi i vendit tonë, por për të ndryshuar vendin duhet të fillojmë ndryshimin nga qyteti nga vijmë. Për të ndryshuar qytetin nga vijmë, duhet të fillojmë ndryshimin nga lagjia ku jetojmë. Për të ndryshuar lagjen ku jetojmë, duhet të fillojmë ndryshimin nga shtëpia ku banojmë. E për të ndryshuar shtëpinë ku banojmë, duhet të fillojmë ndryshimin nga vetvetja jonë. Sepse ndryshimi fillon gjithmonë nga ti.
Si i tillë, një nga kolegët përmendi sot lumin e Ishmit dhe plazhin e Likmetajt, unë do ta ftoja atë koleg, pavarësisht bindjes së tij politike, të bëhet pjesë e kësaj nisme, dhe të japë shembullin e tij konkret. Të tregojë që realisht e ndjen atë që thotë dhe nuk e ka thjesht në kuadrin e një deklarate politike.
Sepse, duke u bërë pjesë e kësaj nisme, gjithsecili prej jush do të tregojë, që Shqipëria është më e rëndësishme, se bindjet apo zhurma e përditshme politike.

Gerti Bogdani – Gazeta Rilindja Demokratike, 06.04.2012