Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ: Më shumë lehtësi për pagesën e faturave

Arkë e lëvizshme në shërbim të zonave të veçuara rurale.
“CEZ Shpërndarje” ka realizuar një skemë funksionale si në vjeljen e të ardhurave, adhtu dhe në lehtësimin e kushteve, në mënyrë që dhe klienti të shpenzojë sa më pak kohë në realizimin e detyrimeve. Në një intervistë për “Metropol” Elvis Gjergji, drejtor i departamentit të arkëtimeve, flet mbi formulën e aplikuar.
“CEZ Shpërndarje” shpesh është kritikuar se nuk po bën shumë në lidhje me rritjen e nivelit të arkëtimeve. Është ky një perceptim i gabuar?
Në të vërtetë, “CEZ Shpërndarje” dhe departamenti i arkëtimeve në veçanti, është duke punuar shumë për rritjen e nivelit të arkëtimeve. Ne besojmë që një nga mënyrat për të rritur nivelin e arkëtimeve është duke i prezantuar klientit mundësi pagesash që kursejnë kohë, që në ditët e sotme është shumë e vlefshme. Tani klientët e “CEZ Shpërndarje” mund ta paguajnë faturën e tyre të energjisë te një nga arkat, të cilat ndodhen në pika të ndryshme të vendit dhe janë të hapura nga e hëna në të premte 08:00-15:00, dhe të shtunën 09:00-12:00; te Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit, të cilat janë të hapura nga e hëna në të shtunë 08:00-20:00; te bankat e nivelit të dytë, apo edhe te filialet e Postës Shqiptare. Gjithashtu, të gjithë ata klient që kanë një llogari bankare mund ta paguajnë faturën e energjisë nga shtëpia apo zyra e tyre, nëpërmjet shërbimit Direct Debit apo e-payment, duke eliminuar kështu pritjen në radhë të gjata, si dhe për të shmangur vonesa në pagesë dhe penalizimin me kamatë për to.
Gjithashtu, klientët të cilët nuk kanë mundësi për të paguar në total detyrimin e akumuluar, CEZ u mundëson lidhjen e një aktmarrëveshjeje me pagesa pjesore dhe zgjatjen e afatit të pagesës. Këto aktmarrëveshje mund të realizohen në të gjitha qendrat e Shërbimit ndaj Klientit. Ne si departament i arkëtimeve jemi gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja të pagesave të faturës së energjisë, që do ta bënin më të lehtë këtë proces për klientët tanë.
Nëse klienti e paguan faturën në bankë apo te një nga filialet e Postës Shqiptare, a i vuloset libreza e energjisë?
Jo. Vetëm arkëtari i “CEZ Shpërndarje” ka të drejtë të vulosë librezën e energjisë dhe vulosja bëhet vetëm nëse pagesa kryhet tek një nga arkat e kompanisë. Nëse klienti zgjedh të paguajë faturën e energjisë në bankë apo te një nga filialet e Postës Shqiptare, duhet të ketë parasysh se ruajtja e faturës së pagesës është shumë e rëndësishme, sepse shërben si evidencë në rastin e kërkesës për evidentim të kreditimit të pagesës për çfarëdo lloj arsye.
Këto mund të jenë zgjidhje për klientët që jetojnë në qytet. Po për ata klientë që jetojnë në fshat e zona të largëta rurale, çfarë masash ka marrë “CEZ Shpërndarje”?
“CEZ shpërndarje” bashkëpunon me Postën Shqiptare për mbledhjen e pagesave në zonat rurale, ku posta operon me arkëtar të lëvizshëm. “CEZ Shpërndarje” gjithashtu ka krijuar ‘arkat e lëvizshme’, të cilat shkojnë në fshatra të veçuar për të mbledhur pagesat e faturës së energjisë. Një specialist i departamentit të arkëtimeve dhe një arkëtar vizitojnë fshatrat e largëta dhe zonat debitore të pajisur me printer dhe kasë fiskale, duke mundësuar për klientët atje printimin dhe pagesën e faturës së energjisë.
Çfarë do të bëhet me klietët që nuk paguajnë faturat e energjisë?
Pagesa në kohë e faturës së energjisë është një detyrim ligjor, dhe mos shlyerja në kohë e detyrimeve mund të çoje deri në ndërprerjen e energjisë elektrike. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se në bazë të kontratës së re për furnizimin me energji elektrike, kamatëvonesa për çdo ditë vonesë është 0.1% e vlerës totale të faturës së energjisë. Debitorët që nuk shlyejnë detyrimet në kohë edhe pas njoftimit nga ana e CEZ, janë të ekspozuar ndaj ndërprerjes së energjisë elektrike, si dhe fillimit të procedurave për ndjekje ligjore dhe kalimin e tyre tek përmbaruesit privat për ekzekutim të detyrimit, i cili konsiston në vlerën e principalit bashkë me kamatëvonesat përkatëse. Pagesa e faturës së energjisë elektrike jo vetëm që ndihmon kompaninë në përmirësimin e shërbimeve, por edhe shmang kostot e tepërta që sjell kamatëvonesa apo ndërprerja e energjisë elektrike.
Nëse në një zonë të caktuar ka një numër të vogël familjesh apo biznesesh që nuk e paguajnë energjinë elektrike, a merren masa nga CEZ ndaj gjithë zonës apo vetëm ndaj këtyre subjekteve?
“CEZ Shpërndarje” asnjëherë nuk ka marrë masa penalizuese, siç janë ndërprerjet e energjisë ndaj një komuniteti për faktin se një anëtar i këtij komuniteti është i papërgjegjshëm. Çdo njeri është përgjegjës për faturën e vet të energjisë, për konsumin e vet mujor, dhe sigurisht që çdo njeri është përgjegjës për penalitetet që vijnë nga mospagesa në kohë e faturës së energjisë.

Gazeta Metropol, 28.03.2012