Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha: 20 prilli dita e “Shqipërisë së Pastër”

Lëvizja për një mjedis të pastër, është lëvizja për shëndetin, për jetën, dinjitetin e qytetarit dhe të vendit në tërësi.
Autoritetet vendore kanë një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në mbrojtjen dhe në zhvillimin e mjedisit.
Të caktojmë datën 20 prill si ditën e “Shqipërisë së Pastër “ ku të dalim të gjithë nga çdo skaj dhe në çdo skaj të këtij vendi të pastrojmë qytetin, fshatin, rrugët, të prekim me dorë mjedisin
Kryeministri Berisha u fokusua sot gjatë mbledhjes së këshillit të Ministrave, në problemet mjedisore, duke i vlerësuar ato si çështje të mprehta dhe shumë të rëndësishme për mbarë shoqërinë
Kryeministri theksoi se krijimi dhe zhvillimi i një mjedisi të pastër është përparësi absolute që kërkon angazhimin maksimal të strukturave përkatëse për ti dhënë përgjigjen më të shpejtë të mundshme.
Kryeministri tha se përpjekjet serioze nuk kanë munguar në këtë drejtim, por sërish Shqipëria mbetet ende larg paraqitjes si një vend me mjedis të pastër, ashtu siç ajo duhet të jetë. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se kërkohet një ndryshim rrënjësor i qëndrimit, psikologjisë dhe sjelljes ndaj mjedisit, nëpërmjet ndërgjegjësimi për mjedisin dhe ndikimin  e tij në shëndetin e njeriut, i cili duhet të nisë që në moshat  e hershme. 
Duke vlerësuar legjislacionin ekzistues për mjedisin, i cili shpreh praktikat dhe qëndrimet më të avancuara të kohës, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Mjedisit si dhe të gjitha agjencitë  e zbatimit të ligjit që të vazhdojnë me insistimin më të madh në  zbatimin e këtyre ligjeve, me synim mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit.
Kryeministri propozoi që data 20 prill të shpallet si dita e “Shqipërisë së Pastër “ ku në çdo skaj të vendit, qytetarët do të angazhohen në pastrimin e mjedisit ku ata jetojnë. “Ministria e Mjedisit të marrë të gjitha masat, të përcaktojë të gjitha zonat , hartën e ndërhyrjeve. Administrata, shkollat, institucionet, kolektivitette , komunitetet, në mbarë vendin do të angazhohen këtë ditë, për mjedisin”, u shpreh kryeministri
Gjithashtu , kryeministri përgëzoi edhe nismën e shoqërisë civile , e cila ka përcaktuar datën 9 maj, si ditën për një mjedis të pastër. “Shoqëria civile ka përcaktuar një datë tjetër dhe i përgëzoj, i përshëndes dhe i kërkoj të gjitha institucioneve ti japin mbështetjen totale nismës së tyre.” u shpreh kryeministri.
Në fjalën e tij kushtuar problematikës së mjedisit , kryeministri Berisha u shpreh:
“Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj dhe të shoqërisë sonë disa probleme të mprehta, të rëndësishme, ndër të cilat çështja e Shqipërisë së pastër, mjedisit të pastër. Ky përbën një nga problemet madhore me te cilat ne përballemi dhe përbën një nga problemet me të cilat ne duhet të angazhohemi me të gjithë potencialin për ti dhënë përgjigjen më të shpejtë të mundshme.
Përpjekje serioze po bëhen por përsëri jemi larg së paraqituri një vend i pastër siç duhet të jemi dhe kjo përbën një problem shumë madhor e serioz, përbën një problem shumëplanësh dhe që kërkon një ndryshim rrënjësor të qëndrimit, të psikologjisë, së sjelljes ndaj mjedisit, kërkon një ndërgjegjësim të plotë që në mosha të hershme të njeriut se asgjë nuk ndikon më shumë në jetën  e tij se sa mjedisi ku ai jeton, se asgjë nuk ka më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të tij se sa mjedisi i pastër dhe në kushtet e standardeve më të mira.
Ligjet tona për mjedisin janë shumë të mira. Ato shprehin praktikat dhe qëndrimet më të avancuara të kohës. Përpjekjet tona janë të pamjaftueshme. Unë pata një takim me autoritet vendore, një konferencë. Shfrytëzova konferencën për decentralizimin për tu përcjellë atyre mesazhin e rolit të tyre të pazëvendësueshëm kryesor në mbrojtjen dhe në zhvillimin e mjedisit. Nesër unë do të takohem me prefektë e vendit, autoritet e ministrisë së mjedisit për të ndërmarrë një seri hapash të reja në përcaktimin e vendeve të depozitimit të mbetjeve. Janë gjithashtu në ndërtim e sipër një seri “landfill”-esh dhe impiantesh të përpunimit të ujërave të zeza, punime të cilat duhet të përshpejtohen.
Ministria e Mjedisit në zbatim të ligjeve ka vendosur gjoba autoriteteve vendore për neglizhencat e tyre këto masa duhet të vinë gjithnjë duke u forcuar. Taksa për mjedisin , pastrimin duhet të jetë taksa e parë që duhet të paguajnë qytetarët në mbarë vendin.
Autoritetet vendore duhet të bëjnë gjithçka për mbledhjen e saj sepse mjedisi nuk mund të mbahet pa resurset financiare të domosdoshme. Rezulton që kjo taksë është fare  e ulët. Shqipëria sot prodhon disa herë më shumë mbetje se sa prodhonte 10 apo 20 vjet më parë. Shqipëria sot popullohet në tërësi gjatë viti me dyfishin e popullatës së saj. Mendoj që të caktojmë datën 20 prill si ditën e “Shqipërisë së Pastër “ ku të dalim të ghitha nga cdo skaj dhe në cdo skaj të këtij vendi të pastrojmë qytetin , fshatin rrugët, të prekim me dorë mjedisin.
Ministria e Mjedisit të marrë të gjitha masat, të përcaktojë të gjitha zonat, hartën e ndërhyrjeve. Administrata, shkollat , institucionet, kolektivitete , komunitetet, në mbarë vendin do të angazhohen këtë ditë për mjedisin. Shoqëria civile ka përcaktuar një datë tjetër dhe i përgëzoj, i përshëndes dhe i kërkoj të gjitha institucioneve ti japin mbështetjen totale nismës së tyre. Ata kanë përzgjedhur ditën 9 maj dhe i garantoj se do të kenë vetëm mbështetjen se të jemi realistë sikur çdo jave të lihet një ditë, është e nevojshme për këtë vend në këtë gjendje që është  që e kemi katandisur ne të gjithë. Çdo njeri që hedh një letër ka përgjegjësi, çdo njeri që hedh një bisht cigareje ka përgjegjësi, çdo njeri që hedh një qese plastike ka përgjegjësi, pasi këto janë papastërtitë që mbushin vendin. Ndaj dhe lë të shndërrojmë ditën “Shqipëri e pastër”, në  ditën e një aktiviteti më masiv, por edhe në ditën e përgjegjësisë dhe të ndërgjegjësimit tonë. Përse duhet të mbajmë ne një qëndrim të papajtueshëm dhe të paqytetëruar ndaj mjedisit tonë? Pse ne pranojmë një kontrast të tillë midis pastërtisë së mjediseve tona të brendshme ku jetojmë dhe  asaj të mjedisit përreth, midis lokaleve ku ushqehemi, kafeneve ku takohemi dhe bisedojmë dhe mjedisit përreth. Kjo ditë duhet të na shërbejë që të reflektojmë thellësisht për këtë problem. Zoti Ministër i arsimit, lënda e mjedisit nëpër shkolla është jashtëzakonisht e rëndësishme. Duhet ta aktivizojmë, duhet të bëjmë gjithçka që të nxisim një lëvizje të fuqishme në shkollat tona, në rininë tonë. Dhe kjo është një lëvizje për shëndetin është një lëvizje për një qëndrim të qytetëruar. Është lëvizje për tu ndarë nga një psikologji që nuk na duhet, është një lëvizje në fund të fundit edhe për dinjitetin e vendit, dinjitetin tonë. Nuk mund të pranojmë ne që Shqipëria të paraqitet si një vend zhuli, plehërash. Ministria e mjedisit duhet të vazhdojë me insistimin më të madh dhe të gjitha Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të ndihmojnë në zbatimin e ligjeve të mjedisit , të mbrojtjes dhe të zhvillimit të tij  . Ndërkohë një bashkëpunim i ngushtë duhet të krijohet me të gjitha OJQ-ve që tu jepet e gjithë ndihma që ajo ditë të jetë një ditë  e vërtetë suksesi për ta.

energjia.al, 29.03.2012