Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE: Nga 1200 ankesa, shumica morën zgjidhje

Viti 2011 ka shënuar trefishimin e ankesave të qytetarëve lidhur me faturimin apo furnizimin me energji elektrike. Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, gjatë viti 2011 janë trajtuar rreth 1200 ankesa në krahasim me 350 të tilla që ishin në vitin 2010. Problematikat e vërejtura nga analizimi i ankesave i referohen mbifaturimit, mosrespektimit të afatit të leximit të aparateve matës apo gabimeve dhe vonesave në hedhjen e të dhënave që rrjedhin nga sistemi elektronik i faturimit.
Referuar raportit, ankesat janë trajtuar nga ERE dhe janë dhënë udhëzimet përkatëse duke caktuar afate për zgjidhjen e tyre. Pas dhënies së udhëzimeve, ERE thotë në raport se për pjesën më të madhe të ankesave është pranuar gabimi dhe është bërë sistemimi përfundimtar i gjendjes reale të leximit të matësit. Në raport thuhet gjithashtu se, sipas kompanisë CEZ, këto probleme janë shkaktuar nga instalimi i sistemit të faturimit.
Një nga risite që ERE vlerëson pozitivisht është hapja e qendrave të kujdesit ndaj klientit. Sipas ERE-s, është shënuar një hap para me hapjen e 42 qendrave të Kujdesit ndaj Klientit nga CEZ Shpërndarje”, që trajtojnë ankesat dhe problemet e konsumatorëve. Ndërkohë, pak ditë më parë, kompania CEZ Shpërndarje ka ngritur grupin e trajnimit të lexuesve të matësave elektrikë. Bashkë me procesin e trajnimit, kjo kompani ka njoftuar zëvëndësimin e punonjësve problematikë për të përmirësuar shërbimin e faturimit. Sipas të dhënave nga kompania furnizuese, deri tani janë trajnuar 40 vetë, një proces që pritet të mbyllet me trajnimin e të gjithë personave që punojnë në sektorin e faturimit.

TV Scan, 27.03.2012