Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet, po vjen çmimi 200 lek për litër

Qytetarët janë duke u përballur nga dita në ditë me rritje të çmimit të karburanteve, të cilat janë tashmë në prag të 200 lekëshit për litër, ndërsa tregu është karakterizuar nga zhvillime të gjatë dy muajve të parë të këtij viti duke bërë që gjasat të jenë për një shtrenjtim të mëtejshëm. Efektet e embargos së perëndimit ndaj naftës iraniane kanë filluar të ndihen në tregjet ndërkombëtare që në këto momente, duke mos përjashtuar edhe Shqipërinë.
Duke ditur faktin që nuk do të importohet më karburant nga ky vend duke nisur nga korriku i këtij viti ka bërë që kompanitë të rrisin që tani blerjet me qëllim rritjen e rezervave. Rritja e blerjeve ka shtrenjtuar edhe më tepër karburantet, gjë e cila është pasqyruar më së miri edhe në tregun tonë ku çmimi i një litri benzinë është rritur nga mesatarisht 187 lekë për litër që ishte në fund të shkurtit ka rritur në mesatarisht 193 lekë për litër, kurse nafta nga 185 lekë për litër që ishte në fillim të marsit, ka arritur në mesatarisht 190 lekë për litër. Por krahas zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, një pjesë të “fajit” për shtrenjtimin e karburanteve në vend e kanë edhe taksat e vendosura nga qeveria. Që nga janari i këtij viti, mbi çdo litër naftë apo benzinë vilet taksa e qarkullimit me vlerë 7 lekë, e cila bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ndikon në një shtrenjtim minimumi prej 8.4 lekë për litër.
Por krahas çmimit, një ecuri e tillë e karburanteve në tregjet ndërkombëtare po ndikon qytetarët edhe në një fushë tjetër, atë të kursit të këmbimit. Bardhi Sejdarasi, përfaqësues i Shoqatës së Hidrokarbureve shpjegon se rritja e importeve ka ndikuar edhe në kursin e këmbimit të dollarit me lekun, kjo për faktin se gjatë këtyre muajve është rritur më shumë kërkesa për dollar, për shkak se blerjet në bursë bëhen me këtë monedhë. Pikërisht, gjatë muajve të fundit, dollari ka fituar pikë ndaj lekut duke u këmbyer aktualisht me 106 lekë.
Importi
Thuajse e gjithë nafta dhe benzina që digjet nga makinat në vend vjen nga jashtë shtetit. Instituti i Statistikave raporton për rritje të ndjeshme të importit të karburanteve gjatë muajit shkurt, nisur edhe nga fakti që prodhimi vendas ka qenë në nivele minimale gjatë kësaj periudhe. Sipas INISTAT-it, importi i karburanteve ka shënuar një rritje të ndjeshme kryesisht gjatë muajit shkurt të këtij viti duke arritur një vlerë totale prej rreth 4.8 miliardë lekë. Krahas rënies së prodhimit vendas, rritjes së blerjeve nga kompanitë nga frika e embargos ndaj Iranit për t’iu shmangur një rritje të mëtejshme të çmimeve, rritja e importit lidhet edhe me tenderët e institucioneve publike për karburantet. APP gëlon aktualisht nga tenderët për karburantin që do të harxhojnë gjatë vitit institucione shtetërore dhe për këtë arsye kompanitë kanë rritur importet. Një faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e importit të karburanteve gjatë dy muajve të parë të këtij viti sipas specialistëve të fushës, është edhe futja në punë e TEC-it të Vlorës, për të cilin mësohet se janë futur në vend sasia të konsiderueshme ton nafte. Megjithatë, kosto e lartë e tij ka bërë që TEC-i të mos fillojë ende punë.

Gazeta Shekulli, 25.03.2012