Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE reagon ndaj Konkurrencës: Kemi bashkëpunuar

Enti Rregullator i Energjisë e ka cilësuar si një keqkuptim deklarimin e Autoritetit të Konkurrencës se ERE nuk zbaton rekomandimet e tij. ERE ka bërë me dije se tregu i energjisë elektrike në vend është monopol natyror, prandaj është edhe i rregulluar. Është politika makroekonomike e qeverisë për ta mbajtur vetë shteti riskun e furnizimit me energji elektrike, arsyeja pse funksionon kështu duke iu përshtatur situatës dhe nivelit ekonomiko-social të vendit. Sipas ERE-s, ky institucion i pavarur funksionon në bazë të ligjit në fuqi, neni 23 i të cilit thekson se çdo shoqëri e licencuar në tregun e energjisë elektrike, e cila kryen më shumë se një nga veprimtaritë që kanë të bëjnë me prodhimin, transmetimin, shpërndarjen dhe furnizimin publik me shumicë ose pakicë, mban llogari të ndara për çdo veprimtari në njësinë e vet të llogarive, si dhe përgatit bilance llogarish të konsoliduara. Gjithashtu sipas ERE-s, edhe eficienca është e miratuar me ligj si për humbjet, ashtu edhe për grumbullimin e parave. Në këtë mënyrë, deklaron ERE, “ne funksionojmë në bazë të ligjit dhe çmimet i vendosim në bazë të metodologjisë së përcaktuar”. Sipas ERE-s, institucioni ka qenë i hapur dhe e ka ftuar përherë Konkurrencën në mbledhjet e saj, madje i ka marrë edhe mendime për çështje të caktuara.

Gazeta Mapo, 22.03.2012