Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Abuzimi me fondet publike, tenderët anulohen me qëllim

Prokurimet publike është sektori ku hasen zakonisht pjesa dërrmuese e dëmeve të shkaktuara buxhetit të shtetit, por krahas arkës sonë të përbashkët, çalimi këtyre procedurave sjell edhe dëme financiare për operatorët garues. Gjatë kontrolleve të ushtruara në institucionet publike, KLSH ka kapur rreth 280 milionë lekë dëme pikërisht tek Prokurimet Publike, i cili ndër të tjera karakterizohet edhe nga një serë problemesh të tjera siç janë procedurat ligjore, anashkalimi i të cilave bëhet shkak për abuzime në përzgjedhjen e firmave fituese. Problemi me tenderët gjen një pasqyron të gjerë në raportin e KLSH-së. “KLSH ka evidentuar si fusha me rrezikshmëri më të lartë në shfaqjen e krimit dhe korrupsionit, investimet publike, përfshirë prokurimet dhe zbatimin e projekteve me fonde publike, koncesionet dhe administrimin e investimeve me financime të huaja; mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore, etj”, – shpjegon Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Problemet
Por cilat janë disa nga problemet që hasen në procedurat e prokurimit publik? KLSH ka parashtruar disa të tilla. Mësohet se nga 689 procedura prokurimi të kontrolluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në 497 prej tyre janë kapur shkelje në drejtime të ndryshme, të cilat fillojnë nga llogaritja e vlerës së kontratës gabim, mosrespektimi i kufijve monetar, përgatitja gabim e dokumenteve, etj. Numri më i madh i shkeljeve është hasur në drejtim të përgatitjes së dokumenteve të tenderit, plot 387 të tilla, të cilat përbëjnë edhe rreth 78 për qind të numrit total. Një numër i konsiderueshëm shkeljesh janë kapur në përllogaritjen gabim të kontratës, 97 raste. Përllogaritja e vlerës limit të kontratës është një nga të dhënat bazë për fillimin e procedurave të një tenderi, në të cilën do të mbështetet edhe pala e interesuar për dhënien e ofertës.
“Hiletë”
Por krahas KLSH-së, janë edhe bizneset ato që shprehen për një mori mungesash dhe shkeljesh të tjera të cilat direkt apo indirekt pasqyrohen me dëme në buxhetin e shtetit në radhë të parë, por edhe të bizneseve pjesëmarrëse në tenderë. Portali, energjia.al, rendiste disa ditë më parë një serë veprimesh të “çuditshme” sipas saj që bënin të anuloheshin me qëllim tenderët. Disa nga shkaqet që bëjnë të anulohen tenderët janë: ndryshimi i fondit limit; probleme teknike; mangësitë në dokumentacion të njërit prej dy ofertuesve; hedhja gabim e fondit limit, etj. Sipas rregullave, nëse një prokurim anulohet për tre herë me radhë, autoriteti prokurues ka të drejtë që të bëjë prokurim të drejtpërdrejtë për të shpëtuar nga djegia e fondeve. Në rastet e prokurimeve të drejtpërdrejta, ka më shumë hapësira për abuzime.
Por edhe nëse realizohet tenderi, në rastin kur kemi të bëjmë me punë, ka prej fituesve që zvarrisin punimet apo rrisin koston me ndihmën e autoriteteve dhe të dyja palët shpëtojnë pa “u lagur”. Një rast konkret na e jep edhe KLSH në raportin e tij në lidhje me rrugën Levan-Tepelenë, ku zvarritja e punimeve dhe ndryshimi i projektit nuk kanë qenë arsye të vlefshme për Autoritetin Rrugor Shqiptar të marrë masa ndëshkuese për kompaninë.
Leskaj “kujdeset” për punën e Çekut
Gjatë raportimit para Komisionit të Ekonomisë, kreu i ri i KLSH-së, Bujar Leskaj u kujdes për të nxjerrë në pah specifikisht problemet që kishte ky institucion gjatë punës së kryer në vitin e shkuar, periudhë kur drejtimin e ka pas Robert Çeku. Gjatë fjalës së tij, Leskaj ceku uljen e vazhdueshme të numrit të kallëzimeve në prokurori për zyrtarët shtetëror të kapur me shkelje edhe pse dëmi i hasur është në nivele të njëjta. “Kemi një ulja të vazhdueshme të numrit të kallëzimeve në prokurori që prej vitit 2005. Kjo vjen në një kohë kur dëmi i kapur nuk ka pasur ndryshim. Ka një përgjumje të KLSH-së për sa i përket marrëdhënieve me prokurorinë. Por gjërat kanë ndryshuar tani. Ne kemi dërguar pesë kallëzime gjatë kontrolleve të ushtruara sëfundmi tek ALUIZNI”, – tha Leskaj.
KLSH, “llogari” Kuvendit për uljet minimale në tenderë
Publikimet në media në lidhje me problemet me tenderët kur në procedura prokurimi dhjetëra milionë dollarë përfitohet një ulje tepër minimale janë transferuar edhe në Komisionin e Ekonomisë. Deputeti Ervin Koçi pyeti Leskajn për shkeljet e hasura në përgjithësi në tenderë, por specifikisht për rrugën e Arbrit (segmeti Ura e Brarit-Tuneli i Qafë Murrizit) dhe atë Librazhd-Qafë Studë, në të cilat është përfituar një ulje minimale nga tenderët. Të dyja këto akse kanë qenë pjesë e një shkrimi të “Shekullit” pak ditë më parë, në të cilin theksohej se edhe pse kishim të bënim me tenderë më vlerë 1.9 miliardë lekë, ulja e përfituar nga gara ishte vetëm 1 milionë lekë. Në lidhje me këtë, Leskaj tha se nuk mund të gjykonte prokurimet publike në përgjithësi por theksoi se verifikimet e KLSH-së do të bëhen rast pas rasti dhe atje ku do të vërehen shkelje do të ndërmerren ndëshkime.
KLSH, shteti kthen vetëm 10 % të dëmit në buxhet 
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kapur rreth 70 milionë dollarë dëme të shkaktuara buxhetit të shtetit nga veprimet dhe mosveprimet e administratës publike gjatë kontrolleve të ushtruara në vitin e shkuar, por kjo është vetëm një pjesë e detyrës. Duhet që këto para të kthehen përsëri në arkën e shtetit për t’u përdorur në projekte të tjera. Pavarësisht dëmit të kapur në vitin e shkuar, i cili konsiderohet tepër i lartë krahasuar me atë të një viti më parë, kthimi i tij në buxhet, është në nivele minimale. Mësohet se nga e gjithë kjo shumë, në arkën e shtetit janë kthyer më pak se 10 për qind e saj.
Kjo çështje ka qenë edhe shkaku kryesor i debateve dje në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend gjatë raportimit të kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj. Deputetët e majtë kërkuan sqarime nga Leskaj në lidhje me arkëtimet e ulta të dëmeve të kapura. Erjon Braçe u përqendrua pikërisht tek dëmi i kapur tek kompanitë shtetërore “Albpetrol” dhe “Operatori i Sistemit të Transmetimit”, dëmi i të cilave përbën më shumë se 78 për qind të totalit të kapur gjatë vitit të shkuar. Nga kontrolli i ushtruar, mësohet se “Albpetrol” nuk është paguar ende nga kompania e “ARMO” për naftën dhe gazin bruto të blerë deri më datë 30 dhjetor të vitit 2010. Fatura e papaguar ndaj “Albpetrolit”, i cili tashmë ndodhet në prag të privatizimit, është në shumën e 39 milionë dollarëve.
Në lidhje me këtë, Leskaj tha se në kontrollin e radhës që do të kryejë tek kjo kompani do të marrë masa ndaj drejtuesve por kjo nuk mjafton sipas deputetëve të majtë. “Ju sapo e keni kryer kontrollin dhe keni nxjerrë këtë dëm. Dëmi në fjalë është pasqyruar edhe në raportin e vitit të shkuar. Dua të di se kur do të mblidhet kjo shumë”, – tha Braçe. Deputet i qarkut të Fierit, Ervin Koçi nga ana tjetër paraqiti abuzimet që po bëhen sipas tij me shkarkimin e padrejtë të punonjësve nga puna në “Albpetrol”. Sipas tij, kompania shkarkon punonjësit me përvojë dhe merr të rinj duke u detyruar nga ana tjetër që të paguajë edhe asistencën e atyre që ka nxjerrë në rrugë.
Por “Albpetrol” nuk është e vetmja kompani shtetërore që ka miliona dollarë para të pambledhura pavarësisht se iu ka ofruar mallin privatëve. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe “Operatori i Sistemit të Transmetimit”. Sipas KLSH-së, OST ka 19 milionë dollarë ende të pambledhura nga kompania e shpërndarjes “CEZ Shpërndarja”, pagesa për energjinë e shërbyer që prej privatizimit të saj deri më datën 15 dhjetor të vitit 2010. Në total, shuma që të dyja kompanitë nuk kanë mbledhur përllogaritet në rreth 58 milionë dollarë. Shuma në fjalë përbën pjesën dërrmuese të dëmit total që KLSH ka kapur gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë vitit të shkuar.

Gazeta Shekulli, 21.03.2012