Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndërtesat publike, shpenzim zero të energjisë

Shqipëria duhet të reduktojë me 8% konsumin e energjisë elektrike për dy vitet e ardhshme. Për të arritur këtë objektiv duhet të rishikohet i gjithë legjislacioni i deritanishëm, i cili daton që nga viti 2003 dhe që ka dështuar në zbatim. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, e cila ka hartuar projektligjin e ri dhe që do ta relatojë në Kuvend, parashikon që për ndërtesat me performancë ‘afër zero energji’ do të hartohet një plan kombëtar për të rritur numrin e tyre. Përcaktohet që pas datës 31 dhjetor 2018, të gjitha ndërtesat e reja, që janë në përdorim nga autoritetet publike, duhet t’i përmbahen këtij detyrimi.

Zbatimi i këtij ligji, sipas hartuesve, do të jetë më i lehtë në rastin e godinave të reja, ndërsa do të përcaktohen rregullat e rinovimit për ndërtesat që do t’i nënshtrohen rinovimit të madh, në masën 25%.

Nga ana tjetër parashikohet edhe mbikëqyrja e tregut të pajisjeve që konsumojnë energji në ndërtesa, siç janë ato të ngrohje/ftohjes, ndriçimit, ujit të ngrohtë sanitar, pajisjeve dhe larjes e gatimit.

Ndërsa për certifikimin e performancës së energjisë së ndërtesave do të përcaktohen afatet dhe për kategoritë përkatëse të ndërtesave.

Një studim i Marc Jacobson, profesor i Universitetit të Stanford, llogariti se çdo shqiptar do të kursente nga zbatimi i energjisë së rinovueshme rreth 2,723 dollarë. Përdorimi i energjisë së rinovueshme në gjithçka dhe përmirësimi i eficencës së energjisë do të nënkuptonte ulje të ndjeshme të kërkesës për energji.

Edhe pse Shqipëria nuk është anëtar i BE-së, si vend me statusin e kandidatit duhet të mbështesë politikat e kërkuara, që synojnë transformimin e burimeve private të sigurimit të energjisë

Sipas të dhënave zyrtare, sektori i banesave zë përqindjen e dytë më të madhe të konsumit final të energjisë në Shqipëri, pas transportit. Ky i fundit ka zënë një përqindje relativisht të qëndrueshme të konsumit total final të energjisë, gjatë periudhës 2009-2014, duke variuar nga 26% në 28%, me një tendencë të qartë në rritje gjatë kësaj periudhe. Në terma absolutë, konsumi i energjisë në banesa ishte 11% më i lartë në vitin 2014 sesa në vitin 2009. Kjo do të thotë se të paktën 686 ktoe konsumohen në sektorin rezidencial dhe vetëm 56% e kësaj shume është energji elektrike ose 4,408 GWh (krahasuar me konsumin total 7,793 GWh).

Revista Monitor,  16.09.2016