Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ instalon matës “hajdutë” në banesat e qytetarëve, 25% e faturës shpenzohet nga sahati

CEZ Shpërndarje ka hedhur në “treg” makinacionin më të ri të vjedhjes ndaj qytetarëve shqiptarë. Sahatët e rinj që kanë nisur të instalohen nëpër banesat apo bizneset e qytetarëve, janë manipuluar në favor të CEZ, ose e thënë ndryshe në kurriz të konsumatorit, që para instalimit. Në sahatët që vijnë nga Rumania, është ndërhyrë paraprakisht në mënyrë të tillë, që në fund të muajit, çdo konsumatori që i është vendosur një sahat i tillë, t’i shtohet dhe 25 për qind e shumës së kilovatëve që ai ka shpenzuar realisht. Kështu, vjedhja penalizon rëndë si ata që përpiqen të shpenzojnë sa më pak energji me qëllim që të mos e kalojnë fashën, e cila ua dyfishon çmimin, ashtu dhe ata që për shkaqe të ndryshme e tejkalojnë fashën. Denoncimi për këtë makinacion vjedhjeje ka mbërritur tashmë në Prokurorinë e Tiranës dhe kjo e fundit pritet të nisë së shpejti një hetim për këtë çështje ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë, CEZ Shpërndarje. Por ky nuk është rasti i parë me të cilin CEZ shpërndarje pritet të ndeshet me drejtësinë shqiptare.
Vjedhjet e CEZ në Prokurori
Kompania CEZ Shpërndarje duket se është një ndër kompanitë që ka korrur dhe që vazhdon të korrë më shumë fitime, qëkurse iu “besua” shpërndarja e energjisë elektrike në vendin tonë. Veç fitimeve që kjo kompani vjel për faktin se deri tani është një kompani monopol në treg, skemat e jashtëligjshme të saj duket se nuk kanë të sosur. Pas një denoncimi të mbërritur në dyert e Prokurorisë nga një qytetar, i cili njihte me detaj funksionimin dhe vjedhjen e kësaj kompanie në shpërndarjen e energjisë, Prokuroria ka nisur hetimet ndaj CEZ, pak javë më parë. Sipas denoncimit, në muajin janar të vitit 2011, vetëm përmes fidrit 330 në Tiranë, KESH-i i ka shitur CEZ-it 2.886.000 mijë kilovatë energji elektrike, por nga faturimet e CEZ-it rezulton se është konsumuar 3.940.413 kilovatë energji. Pra, CEZ pretendon se ka shitur 1 milion kilovatë më shumë se sa në fakt ka blerë nga KESH. Në kallëzim thuhet se CEZ vjedh edhe përmes abonentëve, që nuk arrijnë të paguajnë brenda muajit faturën e energjisë. Denoncuesi thotë se abonentit nuk i ndërpritet, por i jepen 6 muaj kohë me qëllim që mbi të aplikohen kamatëvonesa prej 0.5 për qind e faturës në ditë. Kur vlera dyfishohet, CEZ i bën presion konsumatorit të paguajë menjëherë gjysmën e saj dhe pjesën tjetër, të ndarë në muaj. Kallëzuesi ka përshkruar gjithashtu në prokurori një tjetër mënyrë abuzimi nga CEZ-i. Sipas tij, kjo ka të bëjë me selektimin e abonentëve, për të parë kalimin e kufirit të konsumit 300 kilovatorë, për të cilin paguhet çmim më i ulët. Sipas denoncuesit, CEZ e realizon këtë duke e mbyllur faturën mujore të konsumit, herë me një 25 ditë dhe herë me 35 ditë. Ndërsa metoda e fundit e vjedhjes së CEZ sipas denoncimit të mbërritur në prokurori për të cilin kanë nisur dhe hetimet, edhe shteti nuk ka shpëtuar nga “kthetrat” e kësaj kompanie. Denoncuesi ka zbuluar se është manipuluar inventari i materialeve të konsumit të kompanisë si tela, kabllo etj, të cilat edhe pse ekzistojnë në magazinat e saj të blera para disa vitesh, kjo kompani i ka “zhdukur” që të deklarojë blerjen e tyre me çmimet e tregut aktual të cilat janë disa herë më të larta.

Gazeta Sot, 03.03.2012