Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrata e energjisë në favor të CEZ, ERE injoroi vërejtjet e Autoritetit të Konkurrencës

Kontrata e furnizimit me energji elektrike konsumator-CEZ, e cila ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti, ka disa “anomali”, të cilat nuk janë shmangur qëllimisht nga Enti Rregullator i Energjisë, me qëllim që të favorizohet CEZ. Kontrata u miratua nga ERE më datë 21 dhjetor të vitit të shkuar, por gjatë konsultimit publik, madje një vit para miratimit, pasi shqyrtoi draft-kontratën, Autoriteti i Konkurrencës dërgoi pranë ERE një “paketë” me vërejtje, të cilat do bënin të mundur përmirësimin e kësaj kontrate mes qytetarëve dhe CEZ. Por këto vërejtje u hodhën në kosh nga ERE, dhe asnjëra prej tyre nuk gjeti vend në kontratën e firmosur dhe që prej fillimit të këtij viti ka hyrë në fuqi. Vërejtjet e Autoritetit të Konkurrencës
Në vlerësimin e tij ligjor të datës 24 janar të vitit të shkuar, Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur rezerva për projekt-rregulloren për cilësinë e shërbimit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike si dhe për kontratën e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët tariforë. Duke marrë në konsideratë interesin e përgjithshëm publik dhe faktin që operatori CEZ Shpërndarje është monopol në tregun përkatës të shpërndarjes së energjisë elektrike, Komisioni i Konkurrencës është shprehur për disa ndryshime në draft kontratën e paraqitur. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, në kontratë duhet të parashikohej që fatura e energjisë elektrike për klientët tariforë të përmbajë të detajuar çmimin dhe vlerën e energjisë së konsumuar sipas prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes për ta bërë transparent për konsumatorët mënyrën e formimit të çmimit. AK, sugjeronte gjithashtu që në kontratë të parashikohej gjithashtu procedura dhe mekanizmi i dëmshpërblimit për klientët tariforë, pasi në draft nuk ishte përcaktuar qartë se si duhet të veprohet në rastet e dëmshpërblimeve që pësojnë klientët  tariforë (elektroshtëpiake, makineri etj.). AK kishte kërkuar gjithashtu që në kontratë të përcaktohej qartë data dhe mënyra se si klientët do të kenë në dispozicion të tyre faturën e furnizimit, madje sugjerohej që të ketë penalitete për furnizuesit nëse nuk e paraqet faturën brenda kushteve të përcaktuara në kontratë. Sipas AK, Këto penalitete mund të ishin të njëjta me ato që paguan konsumatori për çdo ditë vonese në pagesën e energjisë elektrike (0.1 % e vlerës së faturës).
Parashikimi për ambientet e përbashkëta
Në vërejtjet për kontratën CEZ-konsumator, Autoriteti i Konkurrencës kishte kërkuar gjithashtu që të përcaktohej qartë mënyra e faturimit, vlera dhe çmimi që paguajnë klientët për ambientet e përbashkëta. Po ashtu, në draft-kontratë duhej parashikuar struktura tarifore, orare të ndryshme për klientët tariforë në momentin e lidhjes së kontratës, përveç pasqyrimit në mënyrë të veçantë në faturën përfundimtare të klientit (siç thuhej në draft-kontratë). Autoriteti i Konkurrencës kishte kërkuar gjithashtu që matësit të ishin të certifikuar edhe nga Drejtoria e Metrologjisë ndërsa Enti Rregullator i Energjisë Elektrike të parashikonte afatet se kur, matësit do të vendoseshin në bokse transparente të aksesueshme nga klienti për efekt të transparencës së konsumit të energjisë elektrike. Në vlerësimin e tij ligjor të datës 24 janar të vitit të shkuar për projekt-kontratën CEZ-konsumator për furnizimin me energji, Autoriteti i Konkurrencës kishte vlerësuar gjithashtu që të përcaktoheshin saktësisht parametrat e cilësisë së tensionit në bazë të së cilës lejohet devijimi. Por, edhe pse këto vërejtje ishin konkrete dhe shumë me vend për këtë kontratë, ERE nuk i mori parasysh, duke miratuar një kontratë me kushte të lira në favor të CEZ dhe më të shtrënguara për konsumatorët. 
Kushtet e kontratës së furnizimit me energji elektrike për klientët familjarë
Neni 7
Leximi i matësit dhe faturimi i energjisë elektrike
7.1- Furnizuesi do të bëjë leximin periodik të matësit të energjisë elektrike të klientit për një periudhë kohore prej 30 ditësh kalendarike dhe do ti dërgojë klientit në adresën e dhënë në kontratë, faturën tip të energjisë elektrike, brenda 10 ditëve nga data e leximit.
7.2- Çdo faturë e energjisë elektrike duhet të përmbajë minimalisht:
-Të dhënat teknike mbi pikën e lidhjes.
– Të dhëna identifikuese të Klientit.
– Data e leximit.
– Periudha e faturuar.
– Leximi i matësit dhe konsumi përkatës për periudhën e faturuar
– Çmimi për njësi sipas strukturës së tarifave dhe përbërësit e tij.
– Shuma  në lekë që i korrespondon periudhës së faturimit.
– Shumat e taksave që i korrespondojnë sipas legjislacionit në fuqi.
– Data limit e pagimit të faturës.
– Kamatëvonesa e aplikuar për çdo dite vonesë.
– Penalitetet e mundshme për pagesë të vonuar.
– Vlera e detajuar e debisë së klientit.
– Informacione të nevojshme për Kujdesin ndaj Klientit (përfshirë website i kompanisë, numrat e telefonit, e-mail për ankesat, për defektet si dhe të
ERE).
7.3- Brenda datës 31 dhjetor 2012, furnizuesi është i detyruar të sigurojë aksesin e klientit për leximin e lirë të aparatit matës në çdo kohë.
7.4- Furnizuesi do të sigurojë aksesin online të faturës së konsumit për çdo klient duke garantuar konfidencialitetin e të dhënave të Klientit dhe faturimit.

Gazeta Sot, 02.03.2012