Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, shërbim telefonik për ankesat ndaj faturimeve

Kompania CEZ Shpërndarje ka njoftuar ngritjen e strukturave të reja ku klientët mund të ankohen vetë lidhur me problemet që hasin në faturime. Drejt kompanisë kanë ardhur vazhdimisht ankesa për mënyrën sesi faturohet energjia nga punonjësit në terren. Në shumë raste pas ankesave dhe verifikimeve në terren, CEZ ka larguar nga puna faturistët problematikë. Kapërcimi i problemeve të trashëguara dhe përmirësimi i kujdesit ndaj abonentit ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i CEZ Shpërndarje. Burime nga CEZ bëjnë të ditur se, prej kohësh po krijohen struktura që do të bëjnë të mundur aksesin e vazhdueshëm të klientëve ndaj shërbimeve të kontrollit të faturimit. Shërbimi telefonik është një ndër risitë e reja që do të ndihmojnë abonentët të jenë të lidhur me kompaninë pa shkuar fizikisht atje. Reklamimet mund të bëhen nga vetë abonentët nëpërmjet numrit të dedikuar pa pagesë të telefonit, për mashtrime të ndryshme që mund të bëhen nga abonentë apo dhe nga vetë punonjës të kompanisë CEZ.
“Ne”, – thonë nga kompania CEZ,- në mënyrë të vazhdueshme kujdesemi që të përpunojmë në kohë reale të gjitha ankesat që vijnë nga klientët. Sigurisht është një punë e vështirë sepse shpesh problemet janë të trashëguara. Përmirësimet janë të dukshme dhe të prekshme në të gjitha aspektet”.
Projekte të cilat janë në implementim kanë të bëjnë me formatimin e portofolit personal të çdo klienti. Për shkak të ndryshimeve thelbësore të CEZ dhe sistemeve të saj ka kliente të cilët mund të kenë paguar, por paraqiten si debitor në portofol. Për këtë CEZ ka dedikuar një numër telefoni si dhe punonjës të cilët do të presin vetëm reklamime që lidhen me mos pasqyrimin e pagesave të kryera të abonentëve dhe që të mos humbasin kohën duke shkuar në qendrat e kujdesit por reklamojnë nëpërmjet telefonit, fax ose e-mail.
Në qendrën e kujdesit ndaj klientit në çdo kohë abonentët mund të tërheqin jo vetëm printim të faturës koherente por dhe të faturave debitore historike ashtu sikurse mund të bëjnë pagesën dhe të ankimojnë çdo lloj detyrimi i cili nuk është i bindshëm në dukje dhe që duhet verifikuar për konsumatorët.
Një projekt tjetër i rëndësishëm i cili ka nisur të implementohet është dhe ai që ka si qëllim kryesor përmirësimin e shërbimit të shpërndarjes së faturës nisur nga problematikat e ndryshme të shfaqura përfshi këtu adresarin. Ky projekt është menduar të pilotohet duke përdorur stafin e CEZ Shpërndarje i cili njeh terrenin dhe vendndodhjen e abonentëve. Projekti po pilotohet në zona të ndryshme të Shqipërisë. Piloti i këtij projekti në fazën e parë ka një portofol të kufizuar konsumatorësh dhe prek zona të caktuara si Shkodër Fshat dhe Mirditë, Sarandë dhe Vlorë Fshat. Projekti synon në identifikimin e problematikave që lidhen me cilësinë e shpërndarjes së faturës dhe adresarit dhe përmirësimin e nivelit të arkëtimeve.

Gazeta Shqiptare, 05.03.2012