Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“BP”, 7.8 miliardë usd për katastrofën

Kompania e naftës “British Petroleum” deklaron se ka arritur një marrëveshje prej 7.8 miliardë dollarësh me grupin e paditësve të saj për derdhjen masive të naftës në vitin 2010.
Nga marrëveshja do të përfitojnë rreth 100 mijë peshkatarë, banorë lokalë dhe punëtorë pastrimi, jetesa e të cilëve u dëmtua nga derdhja e naftës nga platforma Deepwater Horizon.
Kompania nuk ka pranuar tërësisht fajin dhe ende përballet me akuza nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të ndryshme, si dhe kompani kërkimesh nafte.
Shpërthimi i naftës në Gjirin e Meksikës në prill të vitit 2010 vrau 11 punëtorë dhe derdhi në det katër milionë fuçi nafte. “BP” deklaron se pret që paratë të vijnë nga një kompensim prej 20 miliardë dollarësh që ajo kishte vënë mënjanë më parë.
“Që nga fillimi, “BP” u shpreh e gatshme për t’u përballur me detyrimet e saj ndaj komuniteteve të Gjirit të Meksikës dhe ne kemi punuar shumë për ta përmbushur angazhimin tonë për pothuajse dy vjet”, deklaroi drejtori ekzekutiv i “BP”, Bob Dudley.
“Marrëveshja e propozuar paraqet një progres domethënës drejt zgjidhjes së problemeve të shkaktuara nga aksidenti në Deepwater Horizon dhe kontribuon në përpjekjet për restaurimin ekonomik dhe ambjental të zonave përgjatë Gjirit”, shtoi Dudley.
Avokatët e grupit të paditësve deklaruan nga ana tjetër se marrëveshja përbën dëmshpërblimin më të mirë për numrin më të madh të banorëve të prekur nga katastrofa ekologjike e dy viteve më parë.

TOP Channel, 03.03.2012