Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kriza energjetike në dorë të Ina Ramës

Problematika energjetike i ka tejkaluar të gjitha limitet logjike të lejuara, duke kërcënuar të shndërrohet në një krizë të thellë financiare, që mund të shkaktojë një ortek të vërtetë në ekonominë e vendit. Performanca e dyshimtë e kompanisë publike nuk mund të trajtohet më me diplomacinë e zakonshme të shtypit të përditshëm. Në kornizën aktuale të krijuar duhet vëmendja maksimale e institucionit të akuzës, për të nisur pa humbur kohë një hetim të plotë mbi menaxhimin e kompanisë KESH sh.a. gjatë vitit 2011. Në intervistën e pazakontë në emisionin “Opinion”, shefja e organit të akuzës shprehet se institucioni që drejtohet prej saj (prokuroria) nuk është institucion që shkon dhe gërmon për aktivitet kriminal, por ka institucione të tjera që e informojnë. Mirëpo ajo (prokuroria) mund të marrë dijeni edhe vetë, kryesisht. Pikërisht për shkak të rëndësisë publike të menaxhimit të tregut të energjisë është e domosdoshme që pas një “përgjumje” të gjatë të prokurorisë mbi abuzimet në tregun e energjisë, të nisë një hetim kryesisht. Hetimi është i domosdoshëm për arsye se keqmenaxhimi i kompanisë publike nuk “mjaftohet” vetëm me një dëm financiar të momentit, por i shtrin efektet e tij në të gjithë zinxhirin e kostove të tregut të energjisë.
Shqetësimet dhe kambanat e alarmit mbi abuzimet në tregun e energjisë janë bërë me kohë publike, por deri më tani nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr. Për këtë arsye, po i referohemi edhe një herë deklaratave të kryeprokurores, ku ajo shprehet se nuk i takon të mendojë, por vetëm të dyshojë dhe të hetojë. Nëse në argumentet që do të ofrohen më poshtë do të gjykohet se ka elementë penalë, është detyrim i prokurorisë që të hetojë. Këtu nuk kemi të bëjmë me evidentimin e disa problemeve që kanë të bëjnë me mospërputhjen e të dhënave të konsumit real dhe faturimeve të kryera, të cilat mund të korrigjohen. Këtu kemi të bëjmë me të dhëna të publikuara në faqen zyrtare të Entit(Ç)Rregullator të Energjisë, të cilat na informojnë se KESH sh.a. ka treguar “talent” të spikatur për të shitur energji elektrike me një çmim mesatar të lirë 40 Eur/MWh dhe për të blerë me një çmim mesatar të shtrenjtë 60 Eur/MWh. Nga ana tjetër, çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike për të njëjtën periudhë për kompaninë me shumicë private aksionesh, CEZ-Shpërndarje, është vetëm rreth 50 Eur/MWh. Në shifrat e bëra publike në mënyrë zyrtare ka të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar, që janë kryer vepra në dëm të interesave të qytetarëve dhe të shoqërisë në tërësi.
Më hollësisht, çështja që shtrohet publikisht për hetim të plotë ka të bëjë me të dhëna të raportuara në kuadrin e “Aplikimit për tarifat e reja të energjisë” nga ana e KESH sh.a. dhe CEZ-Shpërndarje pranë ERE. Në këto raporte aplikimi, shifrat e paraqitura zyrtarisht, hedhin hije dyshimi mbi transaksionet financiare të kryera nga kompania publike e energjisë gjatë vitit 2011. Raportet e përgatitura me kujdes nga drejtuesit e KESH sh.a. dhe të kontrolluara gjithmonë me pasion dhe në mënyrë “të pavarur” nga ana e ERE-s, tregojnë se gjatë vitit 2011 nga ana e KESH Gen., struktura e gjenerimit të energjisë që funksionon brenda strukturës së KESH sh.a., është shitur me çmime tregu (eksport dhe tregu vendas) sasia e energjisë prej 232,128 MWh me një vlerë prej EUR 9,280,982 (pa TVSH) dhe me çmim mesatar prej 40 Eur/MWh. Nga ana tjetër, po gjatë vitit 2011 (periudha janar-nëntor 2011) nga ana e FPSH-së, struktura e tregtimit me shumicë të energjisë që funksionon brenda strukturës së KESH sh.a., është blerë me çmime tregu (import dhe tregu vendas) sasia e energjisë prej 1,074,622 MWh me një vlerë prej rreth EUR 64.6 milionë (pa TVSH) dhe me çmim mesatar prej 60.18 Eur/MWh. Ndërsa nuk bëhet më fjalë për eksport, për vitin e ardhshëm është parashikuar të blihet me çmime tregu (import dhe tregu vendas) sasia prej rreth 1,668,007 MWh.
Siç duket KESH sh.a. e ka marrë “me pasion” importin, pasi zotohet të rrisë importin me rreth 60 për qind për vitin korrent, ndërkohë që nuk ia ka qëlluar asnjëherë të menaxhojë dhe t’i paraprijë ndryshimeve meteorologjike. Për korrektesë vlen të përmendet se CEZ-Shpërndarje, gjithashtu për të plotësuar detyrimet kontraktuale, ka blerë me çmime tregu (import dhe tregu vendas), një sasi energjie që përbën 30 për qind të konsumit vjetor në vend, duke arritur të sigurojë një çmim mesatar prej 50.3 Eur/MWh, ose rreth 10 Eur/MWh më lirë se KESH sh.a.. Një hetim i përciptë flet ose për një paaftësi të skajshme të KESH sh.a., ose për një dëm ekonomik me dashje për të realizuar një përfitim të paligjshëm të një shume prej rreth 10 milionë eurosh në importin e energjisë dhe 2 milionë euro dëm financiar si fitim i munguar, për shkak të eksportit të energjisë me një çmim 10 euro më lirë se çmimet mesatare të tregut. Vlen të rikujtojmë se të dyja kompanitë e sipërpërmendura operojnë nën të njëjtat kushte tregu dhe gjenden përballë kërkesave për blerje energjie, gati në të njëjtën kohë. A duhet të vazhdojë të qëndrojë indiferente prokuroria përballë fakteve dhe rezultateve të tilla?
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, e cila juridikisht është pronari i KESH sh.a., deri më sot nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka përdorur të gjitha mjetet për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga “strategjitë” e orientuara drejt importit të energjisë. Pavarësisht kornizave ligjore të vendosura për të rregulluar tregun, është e tepërt të pretendohet ndonjë reagim nga një institucion “kukull” si ERE, i cili veçse ndjek formatin e të gjithë institucioneve “të pavarura” të kontrolluara politikisht. Nën moton “të na rrojë sebepi”, deklarohet me zë të lartë se do të sigurohet patjetër energjia elektrike me çfarëdolloj çmimi, mirëpo harrohet se paratë, të cilat përdoren keq ose shumë keq për të blerë energji me çmime të kripura, janë të taksapaguesve shqiptarë. Si zakonisht, askush nuk po merret me një hetim cilësor të menaxhimit të burimeve ujore në dispozicion të veprave energjetike. Ndërkohë, mbrojtja me çdo mjet e praktikave financiare të dyshimta nga ana e METE-s, logjikisht nënkupton ose një nivel të lartë bashkëpunimi dhe bashkëpërfitimi midis METE-s, ERE-s dhe natyrisht “ekzekutuesit” KESH sh.a., ose një paaftësi të skajshme të tyre. Dëmi prej 12 milionë eurosh, për shkak të paaftësisë apo bashkëpunimit të ngushtë, është kryer. Ky fakt kërkon përfshirjen serioze të prokurorisë në këtë çështje, me qëllim që dikush të përgjigjet për veprimet apo mosveprimet me dashje në dëm të interesave të së gjithë shoqërisë shqiptare.

Gazeta Shqip, 22.02.2012